Lluci dhe llumi - Nga Bamir Bebeziqi
Llucin e njoh herët e besoj shumë durrsakë, bashkëmoshatare të mi e kujtojnë. Më kujtohet kur mbushej pjesa e Brrylit para ish-Nish Kimikes me lluc, nga gërryerjet e basenit të portit.
Kujtoj një tub të gjatë që fillonte diku nga Kantieri e vazhdonte përgjatë rrugës para Bankës, vazhdonte tek muri pas lulishtes së Vollgës e ne fëmijë hipnim mbi tub, vraponim e nuk rrëzoheshim.
Më vonë, me lluc filluan të mbushnin bregdetin, për të zgjerur kantierin tek Agipi, siç i thonim. Na pëlqente lluci e na pëlqente të shtriheshim, të zhyteshim në të e të bëheshim plotësisht në ngjyrë lluci. Ashtu siç ishim, i fusnim një të zhytur në det në krahun tjetër të gurëve e lluci pastrohej e më pas rifillonim ritualin.
Të zhyteshe në lluc ishte një nga kënaqësitë e fëmijërisë sonë, e sot kur e kujtoj, më vjen për të qeshur. Atë lojën tonë natyrore, sot e kanë vjedhur edhe disa spektakle televizive, ku disa vajza të bukura e muskuloze me kostum banjo, bëjnë mundje në një lloj arene mbushur me një si masë xhelatinoze, që më kujton llucin kur ne ishim fëmijë, e në fund të ndeshjes, vajzat nuk dallohen se çfarë janë, femra të gjalla, apo statuja.
Sot nuk ka më lluc, nuk ka më fëmijë që luajnë në lluc, pasi fëmijët kanë shumë gjëra të tjera për t’u argëtuar, por ne sot kemi me shumicë llum... llum që po mbush pak e nga pak çdo hapësirë e përpiqet të na marrë frymën. Llumi nuk është si lluci. Llumi në përbërjen e tij i ka të gjitha, ka edhe llucin, por ka edhe shumë shtesa të tjera, që secilit i shkon në mend e nuk dua të ndyj fjalorin tim.
Llumin e gjen kudo, në rrugë, në plazh, në restorant, në avion, në stadium, e shkon lart, shumë lart, deri tek njerëz që kanë fuqi të ndryshojnë edhe jetën tonë.
Por, nëse llucin, ne fëmijët e kishim si argëtim në verë e gjenim mundësinë për t’u pastruar, llumit është shumë e vështirë t’i gjesh sapunin. Ai të ngjitet në trup e nuk të shqitet, e nuk të mbetet gjë tjetër veçse t’i bësh vend në veten tënde e të jetosh bashkë me të.
Në kapitalizmin që po jetojmë, janë gjithmonë dy palë, dy forca, dy trupa, dy ushtri që luftojnë gjithmonë me njëra-tjetrën. Njëra që kërkon të marrë më shumë, duke të dhënë më pak, e tjetra që kërkon të bëjë më pak e të marrë më shumë. Kjo është një luftë, e ashtu siç e njoh historinë, që ka për të vazhduar përjetë, vetëm se shoqëria jonë ka gjetur një zgjidhje, që këto dy forca, apo dy palë mos të përplasen ashpërsisht, e që të amortizohen goditjet, ka krijuar atë që quhet llum, që zbut goditjet, por në krahun tjetër të infekton me mikrobet e tij, me semundjet e tij, me pisllëkun e tij.
Llumi njerëzor është i shumëllojshëm. Ka llum me kollare e me kostume të shtrenjta, që kanë emra të bukur, si politikanë, gazetarë, analistë, gjykatës a prokurorë, deputetë apo mbrojtës të rendit, ka edhe pa kollare, që janë disa tipa me qafë të trashë, me kokën tulse, të cilët gjithë kohën na paraqiten nëpër tavolina, ku hanë e pinë, me ora, celularë e me veshje të shtrenjta, që në jetë nuk kanë bërë kurrë ndonjë punë të ndershme, por dinë vetëm si të trazojne llumin, si të vozisin në të, si të flenë në të, si të dashurojnë në të, si të hanë në të e si të vdesin në të. Llumi njerëzor, nuk është vetëm mashkull, por është edhe femër, që paraqitet edhe ajo me forma e trajta të ndryshme
Këta tipa “llumistë”, po përdor një fjalë të re timen, i gjen nëpër botë, bile edhe në botën më demokratike, por janë me pakicë. Për fatin tone të keq, në atdheun tonë janë bërë me shumicë e i degjojme çdo ditë bëmat e tyre.
Kam një neveri natyrore për llumin, jo për llucin. Kam neveri për ata njerëz, sidomos ata të cilët janë me pushtet e kanë në dorë fate njerëzish, të cilët emërojnë në poste shtetërore llumistë, pozojnë me llumistë, ulen në tavolinë me llumistë, shkëmbejnë autografe e telefonata me llumistë, bëjnë shëtitje me skaf me llumistë, mbrojnë llumistë, apo argëtohen me hiret e llumisteve.
Shoqëria shqiptare do të shpetojë nga llumi, vetëm kur të gjithë së bashku të distancohemi prej tij, të mos pranojmë më shoqërine e tij, të ndërpresim bashkëpunimin me të, pasi sëmundjet që ai mbart, janë vdekjeprurëse.
© Bamir Bebeziqi












