Vende & Zakone

"Kafe Gjirokastra" - Nga Dashnor Kokonozi

 Dashnor Kokonozi - Francë

Graniti i verdhë i bordurës ovale të lulishtes në qendër të kryeqytetit, nuk e rifitoi kurrë më statusin e privilegjuar që gëzonte atyre mbrëmjeve të buta tiranase, në kapërcyell të viteve ’70 - ‘80.

Te gjithë ia njihnin njeri-tjetrit orën kur shfaqej te "Kafe Gjirokastra". Aty ishte vendi më i sigurtë për të takuar miqtë e të njohurit.  Te "Kafe Gjirokastra" kishte shumë shanse të gjeje edhe ata që kishe humbur nga sytë prej kohësh, aty mund të takoje cilin të doje edhe pa lënë takim.

Së fundi, me pak shans mund të qëllonte që aty të shfaqej edhe ndonjë siluetë, që e kishe parë vetëm kalimthi pas derës që po mbyllej të një autobuzi dhe më tej e kishe humbur shpresën se do ta shihje përsëri.

Aty secili ekspozonte veten, por më shpesh, mëdyshjet e moskuptimet me veten, por edhe ndonjë çamçakëz që e bluante me këmbëngulje e vullnet të admirueshëm deri në orët e vona të natës, sa i ndryshonte strukturën atomike.

Aty shfaqeshin edhe ata që donin të tregonin me çdo kusht, se nuk ishin arrestuar, megjithë fjalët që ishin përhapur. Të gjithë veç atij vetë, e dinin se deri sa ato fjalë ishin përhapur, ai do të arrestohej së shpejti.

Vendet përballë Bashkisë së qytetit ishin më të kërkuarit. Aty më mirë se gjetiu mund të ndiqje ngeshëm rrjedhjen e asaj çka kishte më të mirë për të ekspozuar një qytet i tërë, vajzat e tij me të vërtetë të bukura, ndonjë student të ardhur nga Kina (ata që kishin studiuar në Perëndim ishin rralluar nga mosha dhe aksidentet e jetës, ata të demokracive popullore sikur po hynin në ujë), por edhe ndonjë plaçkë që e kishte kaluar kufirin në mënyrë klandesite nën sediljen e ndonjë mauneje, ndonjë tjetër të përshtatur nga një fustan i viteve ’30  dhe pastaj talentin në ngritje të rrobaqepësve klandestinë të kryeqytetit, asnjëherë të vlerësuar si opozitarët e parë të estetikës funerare komuniste.

Mbrëmjet te ai vend ishin gjithçka u mbetej në kujtesë atyre që merrnin emërime të largëta. Për të kishin nostalgji të internuarit.

"Kafe Gjirokastra" ishte lozha e privilegjuar e një ankandi ku sublimohej frustracioni dhe mizerja seksuale e elitës modeste të kryeqytetit.

©Dashnor Kokonozi