Vende & Zakone

I panjohuri i stacionit - Nga Dashnor Kokonozi

 Dashnor Kokonozi

Nuk e dija nga cila anë e qytetit vinte. E gjeja gjithnjë aty, te stacioni i autobusit të Selvisë. Duhej të kishte shtatëdhjetë vjeç, por gjithnjë më ngjante më shumë se një dandy. Ishte një burrë i fisëm, shtatdrejtë, me flokët të thinjura, të shëndetshme. Mustaqet më pak të thinjura se flokët. Kostumi gjithnjë i bardhë, i pacen, këpucët elegante. 

Kur autobusi qëndronte, ai prapsej ca që t’i linte të gjithë të kalonin përpara. Më shumë mbante re ata që mbrrinin me një frymë e shtynin fort të tjerët që kishin vënë një këmbë te shkallët. Pastaj ata që mezi mbanin ekuilibrin mbi shkallë dhe u ngulnin bërrylat atyre fatlumëve që kishin mundur të hynin brenda. 

Ai nuk lëvizte me tej, nuk largohej. Sikur donte të shihte deri në fund cili nuk do t’i rezistonte betejës së heshtur të bërrylave. Kur autobusi ikte, nuk e kthente kokën ta shihte nga pas. Vështrimin e kishte diku përpara. Thua se nuk e kishte vënë re atë masakër të vogël që sapo kishte ndodhur para syve të tij.

Në stacion mblidheshin të tjerë njerëz. Të gjithë të stresuar, të lodhur ende pa filluar punën. Pyesnin me nervozizëm për orën, por atij nuk iu drejtuan kurrë. Nganjëherë edhe mateshin, por pastaj stepeshin, drejtoheshin gjetiu. Ai qëndronte midis tyre. Me mjekrën pak të ngritur. Si të tregonte se ishte aty, por nuk ishte me ta.

Isha i sigurt se shihte gjithçka, por kurrë nuk e kapa vështrimin e tij drejtpërdrejt mbi dikë. Gjithnjë sytë e tij vijëzonin diçka më lart se kokat e njerëzve. Sikur ishte në kërkim të vazhdueshëm të një realiteti më pak banal.

Unë vazhdoja rrugën time, por kur ktheja kokën për herë të fundit, e shihja se ai ende qëndronte aty, edhe pse autobusi i radhës po largohej nga stacioni duke mbyllur me vështirësi dyert, në rrugë e sipër, si të kishte turp të linte të dukej çfarë ndodhte aty brenda. Ai përsëri nuk e kthente kokën. Thua se nuk donte që të tjerët të kuptonin se ai kishte qenë dëshmitar i një poshtërimi të tillë. 

Kam menduar shumë herë për të. Tani kam bindjen se ai nuk vinte të merrte autobusin. Kurrë nuk e pashë te hipte në të. Më shumë dukej i interesuar të shihte çfarë ndodhte brenda tij. Të kuptonte si ishte jeta e atyre njerëzve gjatë atyre pak çasteve që dera qendronte e hapur. Mbase ishte kjo mënyra e tij për kuptuar thelbin e asaj shoqërie: bërrylat në brinjë, vështrimet e egra, lufta për t’u kapur me thonj e dhëmbë pas ndonjë cope hekuri, babëzinë e parrëfyer duke u ngjeshur pas ndonjë gruaje.

Era e djersës që i lidhte gjithë këta elementë ishte më se e mjaftueshme për ta bindur se kishte para vetes një botë, të cilën mbase nuk e kishte luftuar, përndryshe nuk do të ishte ende aty. Por që ndjente nevojë urgjente të tregonte, të paktën vetes së tij, se as nuk e kishte pranuar kurrë. Se nuk ishte pjesë e saj.

Po të kthehem ndonjëherë në Tiranë, po qe se ai stacion është aty, edhe atë njeri aty do ta gjej. Këtë radhë do t'i flas.

©Dashnor Kokonozi