Vende & Zakone

Dhimbje për Sahatin e Tiranës - Nga Alba Kepi

Alba Kepi - Romë

Sot i thonë Kulla, por për ne është Sahati.

Sahati nuk është Kulla e orës, por dashuria e kohës.

Sahati është koha e Dashurisë.

Sahati është vendtakimi i të dashuruarve para uljes tek stoli i tyre.

Sahati është pikëpuqja e besimtarëve para faljes në xhaminë me të njëjtin emër të ndërtuesit të saj.

Sahati është banaku i punës i usta Tufinës, pa të cilin nuk pjestojmë dot ditën.

(Tirana - Tablo e piktorit Vangjush Mio)

Sahati është sofra mes miqsh duke dëgjuar këngët e Kasemit.

Sahati është kafja e pushimit pas orëve të gjata në bilbliotekë.

Sahati është kufiri i xhiros së fundit në bulevard para se të puthemi.

Sahati është libri i ndaluar nën bluzën e mikut që ta ka sjellë nga jashtë.

Sahati është gëzimi i tifozit pas fitores në derbin me Partizonin.

Sahati është qetësia e një pasdite kur këmbët të dridhen e kokën ngre lart e lutesh.

Sahati është tavolina e punës së një misioni që ke nisur.

Sahati është amaneti i qytetit, është buzëqeshja e ijes me merhamonin e bardhë si bora e Dajtit.

Sahati është tundja e kokës së tatës që nuk i vë kurrë shulin portës.

Sahati është poezia e parë e poetit të ri, por dhe kryevepra e shkrimtarit më me emër.

Sahati është thirrja kunder sistemit e ultrasve në shkallet e stadiumit.

Sahati është liria kundër diktaturës e mafias.

Sahati është makina e nuses që oshëtin rrugëve nga gëzimi.

Sahati është darka e beqarëve para se të vishen dhëndurrë.

Sahati është paja e gocës.

Sahati është hëna, hëna e asaj cope qielli që ke mbi kokë, e që po iu prek orbita shkatërron të gjithë ligjet gjeofizike.

Dikur e quanim Sahati, sot i thërrasin Kullë.

Sahatin, litari e zinxhirët që e lidhën nuk do e njohin kurrë.

Mbi lakun që i varet në fyt rëndon dhe pesha jonë e heshtjes, që ashtu tinëz po i shpejton marrjen e frymës së fundit.

Kemi mbetur të varur pas Kullës e jemi të gjithë fajtorë.

©Alba Kepi