Vende & Zakone

Një bisedë pranë livadheve alpine të Shishtavecit - Nga Çapajev Gjokutaj

Dje ndërkohë që po shetisnim në livadhet alpine të Shishtavecit, po mendoja se natyra atje ka diçka që fqinjëron me të magjishmen. Nis kjo magji me ndjesinë komode që përcjell bari ku shkel, ndjesi që të kujton tapetet e fisme, vazhdon me pastërtinë e ajrit që vërshon në gjak e të nxit të ndihesh më i ri dhe përfundon me transparencën kristal që të bën ta ndjesh qielllin pranë, gati gati pjesë të vetes. Mes kësaj magjie m’u kujtuan livadhet alpine zvicerane.

Përfund fshatit të Shishtavecit takuam një grua në të dyzetat dhe një vajzë 17-18 vjeç. Sa kishin dalë nga një haur dhe po ngjiteshin për në shtëpi. Gruja kishte hedhur në kurriz një deng kashte, kurse vajza shtynte një karrocë dore mbushur përgjysëm me patate.

Në bisedë gruaja tregonte se jeta është shumë e vështirë, ndaj fshati është boshatisur, kanë mbetur vetëm pleqtë. Të rinjtë kanë ikur, fillimisht me pasaportat bullgare e më pas me marifete që përfundojnë në Angli.

“Ja, edhe të zotët e kësaj vilës, në Angli janë”, tha gruaja duke treguar një vilë të ndërtuar për merak.

“E bënë vjet, vijnë gjatë verës dy tri javë e ikin. Edhe im bir iku para një muaji në Sofje. Do vazhdojë shkollën e lartë për fiskulturë”, shtoi pas disa çastesh gruaja. Pastaj në bisedë e sipër përmendi se e bija, ajo që shtynte karrocën me patate, vitin tjetër do zbriste në Tiranë e do studionte për infermieri. Kemi një shtëpi atje, sqaroi.

Më pas tek po ngisja makinën për në Novosej, m’u kujtua gruaja që dihaste nën peshën e dëngut me kashtë dhe ndërkohë fliste për të ardhmen e çunit dhe gocës.

Vështirësitë i nxisin të kërkojnë rrugëdalje, të guxojnë e të synojnë një të ardhme më të mirë për fëmijët. Do ishte mirë që guximi e kuturia të synonte jo ikjen, as ngurtësimin e pareve në shtëpi atje e shtëpi këtu, po sipërmarrjen në këto vise të bekuara, thashë me vete dhe prap m’u ndërmend Zvicra e, krejt pa shkak edhe Don Kishoti që këndonte: “tek ky vend më hodhi fati, fat’ i zi e taksirati”.

©Çapajev Gjokutaj