Vërtet ju impresionon Mark Carney? - Nga Joseph Facal
- Published in Kanada
- Nga: Joseph Facal - Journal de Montreal
Prita disa ditë para se të filloja të krijoja një mendim, me idenë se edhe fillestarit i duhet dhënë një shans.
Mark Carney ndoshta do të shfaqet i papërmbajtshëm gjatë fushatës, por në fillimet e saj nuk më duket fort bindës.
I përgatitur?
Me një frëngjishte të nivelit të italishtes sime, ai deklaron se njëkohësisht do ulë taksat, do eliminojë deficitin dhe do rrisë shpenzimet ushtarake.
Sigurisht, një premtim për ulje taksash gjithmonë ka efektin e vet, megjithatë, dikush duhet të më shpjegojë se si mund t’i ulësh ato (pra, të privohesh nga të ardhurat fiskale) dhe në të njëjtën kohë të ulësh shpenzimet publike... dhe gjithashtu të blesh avionë dhe tanke. Përveç nëse ai mendon ndryshe në varësi të gjuhës që përdor.
Partia Liberale e Kanadasë po na e paraqet Mark Carney-n si më të aftin, si më të përgatiturin për t’i bërë ballë Donald Trump.
Pse? Për shkak të CV-së që ka.
Po çfarë ka në CV-në e tij? Ka qenë guvernator i bankave të Kanadasë dhe Anglisë.
Roli kryesor i një banke qendrore është të përcaktojë normën bazë të interesit për të ndikuar në kreditë dhe shpenzimet, duke u përpjekur kështu të ngadalësojë ose të stimulojë ekonominë. Është një rol i rëndësishëm, por teknik. Si drejtues, ju jeni përpara një paneli kontrolli dhe merrni vendime bazuar në treguesit që shfaqen.
Në politikë, kur një vend gjendet në një krizë që teston reziliencën e tij, lideri duhet të jetë në gjendje të bashkojë, të mobilizojë, të frymëzojë, të shpjegojë, të justifikojë, të bëjë që vendimet e dhimbshme të pranohen dhe të forcojë moralin e bashkëqytetarëve.
Nuk ka absolutisht asgjë në funksionet e mëparshme të z. Carney dhe as në atë që kemi parë këto ditë që të dëshmojë se ai i ka këto aftësi.
Mark Carney është versioni më i fundit i një strategjie marketingu që partitë politike shpesh e tentojnë in extremis.
Në një kohë kur klasa politike është më e përbuzur se kurrë, Liberalët po na ofrojnë një antipolitikan, që thuhet se është i matur dhe serioz, për të krijuar një kontrast me një politikan karriere si Pierre Poilievre.
Këtë produkt marketingu, antipolitikanin, e kemi parë në disa versione. Kemi parë intelektualin universitar (Michael Ignatieff, ju kujtohet?), biznesmenin, atë “që me të vërtetë e kupton ekonominë” (Pierre Fitzgibbon), ndërsa tani teknokratin e akullt kompetent (Carney).
Sigurisht, të zëvendësosh një klloun si Trudeau, ke mundësinë ta përforcosh përshtypjen e seriozitetit, por duke mos ditur asgjë për pikëpamjet e Carney-t mbi shumë çështje, secili projekton mbi të pritshmëritë e veta.
Disa votues mendojnë: urrej Trump, përçmoj Trudeau, nuk i besoj Poilievre... ndoshta Carney është një opsion.
Por ai nuk mund të vazhdojë të perceptohet si një fletë e bardhë për shumë kohë. Ai do të duhet të shpjegojë qëndrimet e tij për imigracionin, refugjatët e rremë, laicitetin, financimin e shëndetësisë, etj.
Ai dëshiron fushatën më të shkurtër të mundshme pikërisht për t’iu shmangur sa më shumë këtij ekzaminimi të hollësishëm.
Bilanci i Liberalëve
Një fushatë zgjedhore është sigurisht një test për liderët dhe, në një masë më të vogël, për të gjithë kandidatët.
Por ne nuk e kujtojmë mjaftueshëm faktin se një fushatë zgjedhore është gjithashtu një test për elektoratin.
Carney është tani kreu i partisë në pushtet, parti e cila na ka lënë bilancin më të keq në historinë moderne të Kanadasë.
Ta harrojmë këtë, kjo do të thoshte shumë për ne!
Burimi: Journal de Montreal












