Kreu i Bllokut të Kebek denoncon: Mark Carney po përdor tensionet me SHBA për përfitime politike
- Published in Kanada
Kreu i Bllokut të Kebekut, Yves-François Blanchet, ka deklaruar sot (11.04.) se Mark Carney, po e përdor në mënyrë të tepruar statusin e tij si kryeministër, duke u paraqitur si i vetmi ndërmjetës me Donald Trump për pothuajse çdo çështje. “Ka një instrumentalizim, ka një përdorim me karakter partiak të një krize shumë të rëndësishme që i tremb njerëzit, dhe kjo nuk është mënyra më e mirë për t’i shërbyer demokracisë”, tha ai.
Mark Carney e pezulloi fushatën e tij për herë të tretë për të marrë pjesë në një mbledhje të Komitetit qeveritar që merret me marrëdhëniet kanadezo-amerikane dhe sigurinë kombëtare në Ottawa, komitet në të cilin nuk është ftuar kurrë opozita.
Kreu i Bllokut denoncoi skenarin e sajuar të “heroit të madh kanadez” pas të cilit, papritmas, duhet të rreshtohen të gjithë kebekasit - edhe nëse kjo nënkupton sakrifikimin e identitetit të tyre. Yves-François Blanchet përsëriti atë që ka thënë prej disa ditësh: që Mark Carney po vishet me petkun e kryeministrit, ndonëse populli ende nuk e ka zgjedhur. “Mendoj se duhet të tregohet pak më i përmbajtur dhe të pranojë se nuk ka marrë një mandat nga qytetarët kanadezë”, përfundoi ai.
Mark Carney u zgjodh kryetar i Partisë Liberale më 9 mars 2025 duke zëvendësuar Justin Trudeau në krye të vendit më 14 mars. Ai i shpalli zgjedhjet pas 9 ditësh me një afat ligjor minimal dhe në kushtet kur Dhoma e Deputetëve nuk funksiononte prej 6 muajsh, e mbyllur me të vetmen arsye, mosrrëzimin me mocion besimi të qeverisë së kryeministrit Trudeau, këshilltar ekonomik i të cilit Carney ishte prej 5 vitesh.
Skenari i nxjerrjes në skenë të Carney-t i përgatitur në kulisa u zbatua me përpikmëri pas një veprimi teatral që pasoi me dorëheqjen e zv.kryeministres dhe ministres së Financave Chrystia Freeland, gjoja e revoltuar se do të zëvendësohej në portofolin e Financave nga Carney, i cili është dhe kumbari i djalit të saj. Ndërkohë Freeland u rreshtua menjëherë pas Carney (ndonëse sa për sy e faqe e konkurroi në garën për kryetar partie) duke marrë portofolin e Transporteve.
Pas mbledhjes së sotme Carney ka deklaruar që “ne kemi një strategji”, por nuk ka shpjeguar aspak se ku konsiston kjo strategji. Kujtojmë po ashtu që para disa ditësh, Yves-François Blachet, gjatë një interviste me tre gazetarë të Radio-Canada në emisionin “5 shefa, 5 intervista”, kur u pyet ç’mendon për Mark Carney u shpreh se “ne nuk njohim as kush është personi dhe nuk dimë as cili është plani i tij”.
© Flasshqip.ca
Foto: The Canadian Press/Sean Kilpatrick, Adrian Wyld, Justin Tang












