Ndahet nga jeta Marc Garneau, astronauti i parë kanadez dhe ish-ministër i Jashtëm
- Published in Kanada
Marc Garneau, ish-astronaut dhe figurë qendrore në jetën politike kanadeze për më shumë se një dekadë, u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë këtë të mërkurë (04.06) në moshën 76-vjeçare.
Lajmin e konfirmoi ish-drejtori i tij i komunikimit, Marc Roy, duke përcjellë një mesazh prekës të bashkëshortes së tij, Pamela Garneau: “Marc i përballoi ditët e fundit me të njëjtën forcë dhe kthjelltësi që e karakterizuan gjithë jetën e tij. Ai u nda në paqe, i rrethuar nga dashuria e familjes.”
Garneau ishte një prej figurave më të respektuara në jetën publike kanadeze - një njeri që, përmes shkencës, politikës dhe shërbimit publik, ndikoi thellësisht në rrjedhën e historisë moderne të Kanadasë.

Një jetë në shërbim të shkencës, vendit dhe publikut
Lindur më 23 shkurt 1949 në qytetin e Quebec-ut, Marc Garneau u diplomua në inxhinieri fizike dhe elektrike, përpara se t’i bashkohej Marinës Kanadeze në vitin 1974. Karriera e tij do të merrte kthesë historike në vitin 1984, kur u bë kanadezi i parë që udhëtoi në hapësirë.
Ai mori pjesë në gjithsej katër misione hapësinore dhe më pas drejtoi Agjencinë Hapësinore Kanadeze deri në vitin 2005, kur kaloi në politikë si kandidat liberal në Vaudreuil-Soulanges.
Në vitin 2008, u zgjodh deputet në një nga zonat elektorale të Montrealit dhe qëndroi në skenën politike deri në vitin 2023. Garneau ka shërbyer si ministër i Transportit për më shumë se pesë vite, si dhe si ministër i Punëve të Jashtme, duke qenë një nga të paktët zyrtarë federalë që fliste rrjedhshëm frëngjisht, anglisht dhe rusisht.
Në vitin 2013, ai garoi për drejtimin e Partisë Liberale, por u tërhoq dhe mbështeti Justin Trudeau, të cilin e shoqëroi në qeveri si një nga ministrat më të besuar deri pas zgjedhjeve të vitit 2021.
Reagime nga e gjithë bota politike e shkencore
Ish-kryeministri Trudeau u shpreh thellësisht i prekur nga humbja e mikut dhe bashkëpunëtorit të tij: “Marc mishëroi më të mirën e Kanadasë. Kam pasur nderin të punoj përkrah tij. Ai do të mbetet gjithmonë një model për të gjithë ne.”
Ndërkohë, ministri i Financave François-Philippe Champagne e cilësoi të ndjerin si “një njeri të jashtëzakonshëm, bujar dhe autentik”, ndërsa kreu i opozitës konservatore, Pierre Poilievre, vlerësoi kontributin e tij për vendin edhe përtej dallimeve politike. “Marc Garneau ishte një kanadez i madh. Edhe kur nuk ishim dakord, ai mbeti i përkushtuar ndaj shërbimit të vendit që e donte me gjithë shpirt”, pohoi ai.
Në radhët e botës shkencore, humbja e tij u krahasua me ndarjen nga jeta të astronautëve të epokës së artë amerikane. Astrofizikani Robert Lamontagne theksoi se “Marc u shndërrua në legjendë që me fluturimin e tij të parë në hapësirë. Si astronaut dhe si lider, ai ka vulosur një faqe të rëndësishme të historisë sonë.”
Një trashëgimi që frymëzon brezat
Jeta e Marc Garneau është dëshmi se profesionalizmi, përkushtimi dhe integriteti personal janë vlera të respektuara që i shërbejnë prosperitetit të vendit. Ai mbetet një figurë frymëzuese jo vetëm për kanadezët, por për të gjithë ata që besojnë se shkenca dhe aktiviteti politik mund të ecin dorë për dore në shërbim të publikut.
© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Foto: AFP; The Canadian Press/Sean Kilpatrick












