Në Vancouver!
- Published in Kanada
Vancouver-i është qyteti më i madh i provincës së British Columbia në Kanada dhe i treti për nga popullsia krahasuar me metropolet e tjera kanadeze. Ndodhet në bregun e Oqeanit Paqësor dhe ka një klimë të butë krahasuar me standardin e klimës kanadeze. Debora bie përafërsisht 11 ditë në vit dhe zë shtresë vetëm disa centimetra, ndërsa vera është e thatë, e ngrohtë e me diell.
Karakteri
Vancouver është një qytet i përbërë prej etnive të ndryshme. Rreth 50% e banorëve nuk janë anglishtfolës të lindur. Vancouver krenohet me faktin që vazhdon të renditet ndër qytetet kryesore ku jetesa është shumë e mirë. Ai është i njohur për programet inovative në fushën e mjedisit.
Qytetarët e Vancouver janë shumë miqësorë dhe të sjellshëm, por ka opinione nga të sapoardhurit që vankuverianët janë të rezervuar dhe të vështirë për t’u bërë miq. Sipas Forbes, Vancouver është qyteti i 10-të më i pastër në botë.
Shqetësuese në Vancouver janë bandat e gangsterëve, kryesisht ato që kanë lidhje me drogën. Numri i krimeve të dhunshme këtu është më i lartë krahasuar me qytetet e tjera në Kanada. Gjithashtu krimet ku përdoren armët mes grupeve rivale si dhe grabitjet janë në nivele të larta. Shpeshherë policia këshillon qytetarët që të shmangin sa më shumë frekuentimin e pjesës lindore të qendrës së Vancouver-it.
Bizneset dhe vendet e punës
British Columbia ka një ekonomi të lulëzuar. Vancouver ka një ekonomi diverse me qendra industriale të mëdha e të zhvilluara. Aty ndodhet porti më i madh i Kanadasë ku çdo ditë qarkullojnë 200 milion dollarë ngarkesa. Porti renditet i pari në Amerikën e Veriut për eksport dhe sipas InterVistas gjeneron 7 miliard dollarë në paga për 115,000 vende të punës.

Në Vancouver ka edhe industri të tjera, duke përfshirë bioteknologjinë, lëndët djegëse dhe zhvillimet e programeve kompjuterike.
Kompania Electronic Arts punëson një mijë persona në Burnaby, duke e bërë atë studion më të madhe të lojërave. QLT Inc., një kompani globale biofarmaceutike, është e vendosur në Vancouver, duke punësuar 350 vetë në kërkime dhe teknologji.
MDA (MacDonald, Dettwiler dhe Associates) ka mbi 1,000 punonjës në Richmond, që punojnë në teknologjinë satelitore dhe të sistemeve të informacionit. Ballard Power Systems, i cili zhvillon teknologjinë e qelizave të karburantit, ka rreth 700 të punësuar në Burnaby. Kompanitë e teknologjisë së jashtme në Vancouver përfshijnë Ericsson, IBM, Intel, Kodak, Microsoft dhe Nokia. HSBC Canada ka selinë e saj në Vancouver, ashtu si edhe një numër të madh të kompanive të minierave dhe pylltarisë.
Industria e prodhimit të filmave ka marrë hov në Vancouver - ose "Hollywoodi i Veriut" siç përshkruhet ndonjëherë. Aty prodhohen shfaqjet më të mëdha televizive të çdo vendi në Amerikën e Veriut.

Vendndodhja piktoreske e Vancouver-it bën që industria e turizmit të jetë gjithashtu e zhvilluar. Normat e papunësisë së Kolumbisë Britanike kanë tendencë të jenë vazhdimisht më të ulëta se mesatarja kanadeze. Ekonomia e Vancouver-it parashikohet të rritet me 2% çdo vit nga 2018 - 2020.
Edukimi
Vancouver ka dy universitete kryesore: “British Columbia University” (UBC) dhe “Simon Fraser University”. Newsweek e ka renditur UBC në vendin e tretë të universiteteve më të mira të Kanadasë (pas McGill University dhe Universitetit të Torontos) dhe të 47-tin në botë. Universiteti Simon Fraser renditet i 10-ti në Kanada sipas “Times Higher Education”.

Vancouver ka gjithashtu disa kolegje si dhe Universitetin e Artit dhe Dizajnit “Emily Carr” dhe “Vancouver Film School”. Shkollat fillore të financuara nga qeveria dhe shkollat e mesme u ofrojnë studentëve një arsim cilësor. Nëse nuk zgjidhni arsimim privat, shkolla e fëmijës tuaj përcaktohet nga zona ku jetoni.
Ku të jetosh në Vancouver
Vancouver është një qytet me tregun më të shtrenjtë të shtëpive në Kanada dhe renditet nga “Demographia” si qyteti i tretë më pak i përballueshëm në botë, prapa Hong Kongut dhe Sidneit. Qyteti ka tentuar të ndërtojë strategji për të zvogëluar kostot e strehimit, duke përfshirë strehimin me bashkëpronësi, rritjen e densitetit dhe suitat dytësore të legalizuara. (Një suitë dytësore është një shtëpi e vetme e ndarë më dysh me hyrje më vete, sigurisht me kuzhina, dhoma dhe banjot e tyre).

Plot qytetarë jetojnë në godina të larta, pasi strehimi me densitet të lartë po merret në konsideratë më tepër në Vancouver sesa në qytetet e tjera kanadeze, për shkak se çdo zgjerim i Vancouver-it kufizohet nga oqeani dhe malet. Në mes të vitit 2018, shtëpia mesatare në Vancouver kushton 1,094,000 dollarë, shumë më e shtrenjtë se në Toronto, 772,000 dollarë; Calgary, $ 431,000; Ottawa, 389,000 dollarë ose Montreal, 345,000 dollarë. Lagjet më të mira të Vancouver-it ndodhen në qendër të qytetit, në pjesën perëndimore të tij dhe në pjesën veriore.
Mjedisi dhe transporti
Vancouver është i pastër dhe i jetueshëm, me ambiente të mrekulleshme dhe politika të forta për mbrojtjen e mjedisit. Një rritje e shpejtë e popullsisë, e dyfishuar 20 vitet e fundit ka çuar në shtimin e përdorimit të automjeteve. Megjithatë Vancouver ofron një varietet mundësish të transportit publik, që nga autobusët elektrikë, tragetet dhe linjat hekurudhore.

Vancouver ka vetëm një autostradë të madhe pa pagesë. Gjithashtu nëpër qytet ka korsi të dedikuara për biçikletat duke i bërë ato një nga mjetet më të përdorshme gjatë gjithë vitit. Shumë njerëz në Vancouver më tepër sesa në qytetet e tjera preferojnë të shkojnë në punë në këmbë ose me biçikletë.
Çfarë të bësh në Vancouver

Vancouver ofron aktivitete të shumta artistike, restorante të mira nga një sërë nacionalitetesh, mundësi për aktivitete në natyrë gjatë natës dhe një shumëllojshmëri veprimtarish sportive. Prej gjithë këtyre aktiviteteve, rezulton se në Vancouver ka një normë të ulët të obezitetit -12% në krahasim me mesataren kanadeze prej 23%.
Referenca: livingin-canada.com
©Flasshqip.ca











