Ottawa - Më shumë se 100 protestues të arrestuar dhe forca të shumta policore në veprim
- Published in Kanada

Pas dekretimit të gjendjes së jashtëzakonshme dhe ndërhyrjes sot (18.02) të shtatë lloj shërbimesh të ndryshme policore në zonën e Parliament Hill në Ottawa, bilanci që kanë sjellë mediat në mbrëmje është mbi 100 të arrestuar nga radhët e manifestuesve. Sot, për shkak të operacionit policor të planifikuar nuk u zhvillua as seanca në Dhomën e Komunave, ku do të vazhdonte ai që konsiderohet si “debat historik” rreth aplikimit për herë të parë në historinë e Kanadasë nga ana e qeverisë federale të Ligjit të Masave Urgjente, të miratuar para 34 vjetëve. Në disa tarraca godinash, pranë Parliament Hill, janë parë të vendosur edhe snajperë si dhe mbi turmën e protestës dronë që filmonin.

Një manifestues i kontaktuar qysh në mëngjes nga Radio-Canada ka pohuar arsyet që e shtynë atë t'i bashkohej lëvizjes në Ottawa. “Është respektimi i të drejtave dhe lirive. Ne jemi këtu për të qëndruar drejt dhe në këmbë. Ekziston një ndryshim midis të qenit i dhunshëm dhe të qëndruarit drejt dhe jo në gjunjë. Unë jam në këmbë, jo në gjunjë, për të mbrojtur të drejtat dhe liritë. Ne të gjithë ndodhemi këtu që qeverisja të bëhet e përgjegjshme”.
Drejtuesi i përkohshëm i Policisë së Ottawa, Steve Bell, ka deklaruar se policia është munduar në maksimum të evitojë përdorimin e forcës dhe sipas tij asnjë manifestues nuk është plagosur, ndërkohë që nga radhët e policisë ai ka raportuar një të plagosur lehtë. Megjithatë, në fotot e publikuara në media të ndryshme, por edhe në video të shpërndara në rrjetet sociale, janë parë qartazi pamje të ushtrimit të forcës nga ana forcave të rendit.

Steve Bell
Janë përdorur edhe kuaj për ta ndarë turmën e protestuesve në mes dhe në një foto duken dy persona të shtrirë në tokë mbi të cilët kanë shkelur kuajt. Policia ka mohuar se ka të plagosur ndërsa nga manifestuesit thuhet e kundërta, të paktën për personat që shihen në foton e mëposhtme (nga asnjë media nuk ka konfirmim për këtë). Në filmime policët janë dëgjuar të avanconin përpara duke thirrur në kor, pamje këto që të kujtonin filma me beteja në kohët e lashta. Përballë tyre, dëgjoheshin zëra manifestuesish që kendonin himnin kombëtar “O Canada”.

Përveç mbi 100 të arrestuarve, gjatë gjithë ditës janë rimorkjuar dhe larguar nga qendra e qytetit edhe mbi 20 automjete të madhësive të ndryshme. Ndërkohë, përveç Chris Barber dhe Tamara Lich, nga drejtuesit e Freedom Convoy u ndaluan sot edhe Daniel Bulford dhe Pat King. Chris Barber, pasi është paraqitur para një gjykatësi gjatë ditës, është liruar më pas me kusht, ndërsa seanca para gjykatësit e Tamara Lich që duhej gjithashtu të zhvillohej sot është shtyrë për nesër (19.02).
Sot përfaqësues të protestës mbajtën një konferencë për shtyp gjatë së cilës ata i bënë dy kërkesa qeverisë kanadeze. Nga njëra anë, Freedom Convoy 2022 kërkoi që Gjykata e Lartë e Kanadasë të shqyrtojë vlefshmërinë kushtetuese të masave dhe kufizimeve që lidhen me COVID-19, të përdorura gjatë pandemisë. Protestuesit kërkuan gjithashtu një hetim publik dhe të pavarur për përgjigjen e qeverisë ndaj COVID-19.

Ndërhyrja e policisë së Ottawa dhe trupave të tjera mbështetëse (mbi 1000 trupa policore janë përdorur sipas disa burimeve) ka shkaktuar vështirësi në qarkullim për shkak se rreth qendrës është krijuar një perimetër sigurie si dhe janë bllokuar disa dalje nga autostrada 417.
Mbrëmja, para pak minutash në qendër të Ottawa, nga pamjet e ofruara në TV prej Radio-Canada dukej e qetë (edicioni i orës 23:00). Nesër protesta hyn në ditën e saj të 23-të, ndërkohë që pritet një rritje e mëtejshme e presionit nga ana e policisë, kur dihet që numri i protestuesve është ende i konsiderueshëm e mes tyre ka edhe femijë. Po nesër, pritet të rifillojë dhe debati në Dhomën e Komunave për miratimin ose jo të masave të urgjencës.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada
Fotot: Radio Canada, Facebook












