Kanada

Zgjedhjet në Partinë Konservatore Kanadeze: Poilievre dhe Charest deklarojnë mbështetësit

  • Published in Kanada

Tashmë në radhët e partisë kryesore opozitare kanadeze, Partisë Konservatore, gara për zgjedhjen e pasardhësit të Erin O’Toole ka nisur të konturohet më qartë. Pas Pierre Poilievre, deputetit të Carleton në Ontario, listës iu shtua një emër shumë i njohur, Jean Charest. Avokati 63 vjeçar Jean Charest, ish-kryeministër i Québec (2003-2012), në vitet 1986-1993 ka qenë ministër e zv. kryeministër në qeveritë e Brian Mulroney dhe Kim Campbell. Gjithashtu kryetar për katër vjet i Partisë Progresiste Konservatore në vitet e saj më të vështira, kur pas zgjedhjeve të vitit 1993 në Dhomën e Komunave nga 295 kandidatë, arritën të zgjidhen vetëm 2. Njëri nga dy deputetët ishte pikërisht Jean Charest. Para shpalljes së zgjedhjeve të vitit 1993, Konservatorët kishin 153 deputetë në parlament.

Dy kandidatët kryesorë për kreun e Konservatorëve ndërkohë kanë nisur të informojnë opinionin publik rreth mbështetjes që kanë siguruar deri tani. Ndërsa Jean Charest mbante një fjalim para mbështetësve të tij në Calgary të enjten në mbrëmje (10.03) kur nisi zyrtarisht fushatën, Poilievre, i konsideruar si favorit sipas sondazheve, nga ana e tij njoftoi të nesërmen në Twitter se kish siguruar tashmë 41 mbështetës nga grupi prej 119 deputetësh konservatorë në Dhomën e Komunave. Kjo shifër u arrit pasi deputetët Chris Lewis (Essex) dhe Kerry-Lynne Findlay (South Surrey-White Rock) konfirmuan se do të mbështesnin Pierre Poilievre në garën e lidershipit.

Duhet theksuar që sipas rregullave të brendshme të Konservatorëve, liderja par Interim e opozitës Candice Bergen dhe kreu i grupit parlamentar konservator John Brassard, nuk mund të përfshihen në listat mbështetëse të kandidatëve për kreun e partisë.

Ndërkohë, dje (11.03) Jean Charest ka siguruar mbështetjen e deputetëve federalë nga Québec Richard Lehoux (Beauce) dhe Bernard Généreux (Montmagny-L'Islet-Kamouraska-Wolf River). Listës i janë shtuar edhe ish-ministrat federalë Christian Paradis dhe Pierre Blais, si dhe ish-ministrat provincialë Julie Boulet, Jean D'Amour dhe Norbert Morin. Mes 10 deputetëve të Quebec nga Partia Konservatore, 6 deri tani janë deklaruar hapur në favor të Jean Charest ndërsa Pierre Paul-Hus (Charlesbourg-Haute-Saint-Charles), Richard Martel (Chicoutimi-Le Fjord) dhe Jacques Gourde (Lévis-Lotbinière) janë ende duke reflektuar mbi pozicionimin që do marrin. Nga lista e Québec, rregulli nuk lejon përfshirjen në fushatë të Luc Berthold (Mégantic-L'Érable), i cili përkohësisht kryen detyrën e zëvendëskryetarit par Interim të Partisë Konservatore.

Në garën për lidershipin Konservator janë përfshirë edhe dy emra të tjerë që deri tani nuk kanë marrë asnjë mbështetje nga grupi i deputetëve në Ottawa. Ata janë Leslyn Lewis, deputete e Haldimand-Norfolk dhe deputeti provincial konservator i Torontos, Roman Baber, kundërshtar i hapur i kufizimeve shëndetësore. Ndërkohë pritet dhe shpallja e kandidaturës nga Kryetari i Bashkisë Brampton dhe ish-lideri i Partisë Konservatore Progresiste të Ontarios, Patrick Brown, i njohur si mik prej vitesh i Jean Charest.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada