Kanada

Ottawa - 2 miliardë dollarë transferta shëndetësore për provincat dhe territoret

  • Published in Kanada

Qeveria federale ka njoftuar sot (25.03) një akordimin e një fondi prej 2 miliardë dollarësh në ndihmë të provincave dhe territoreve për reduktimin e listave të pritjes të ndërhyrjeve kirurgjikale. Sipas të dhënave zyrtare aktuale, janë me qindra mijëra operacione të anuluar në dy vitet e fundit për shkak të pandemisë. Njoftimin në emër të qeverisë Trudeau e ka bërë ministri i Shëndetësisë, Jean-Yves Duclos, gjatë një konference për shtyp në Universitetin e Ottawa

Shuma prej 2 miliardë dollarësh do t'u shpërndahet provincave në formën e një transferte të menjëhershme dhe të pakushtëzuar. Përllogaritja e shumës për çdo provincë dhe territor ka marrë për bazë numrin e popullsisë. Vendimi i shpallur për këtë paketë financiare bazohet në projektligjin C-17 të depozituar gjithashtu sot nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Financave Chrystia Freeland në Dhomën e Komunave. Siç dihet, tashmë Liberalët e Trudeau kanë realizuar edhe një marëveshje-koalicion me Neodemokratët e Jagmeet Singh, që garanton mandatin e tyre qeverisës deri më 2025.

Kujtojmë që gjatë fushatës zgjedhore në vjeshtën e kaluar, Liberalët premtuan një investim të menjëhershëm prej 6 miliardë dollarësh për të kompensuar vonesat e shkaktuara nga pandemia, që do të thotë se shuma e deklaruar nga ministri Duclos është në fakt një e treta e premtimit. Ndërkohë, nuk është çudi që shumë shpejt në horizont të shfaqet sërish konflikti mes qeverisë federale dhe atyre të provincave për temën e rritjes së transfertave shëndetësore, për të cilat pritet të rinisin negociatat. Këshilli i Federatës, i cili mbledh së bashku kryeministrat e 13 provincave dhe territoreve të Kanadasë, ka përsëritur prej më shumë se dy vjetësh kërkesën që transfertat shëndetësore duhet të rriten dhe të jepen të pakushtëzuara.

Por duket se vizioni i qeverisë Trudeau do vazhdojë të jetë në diskordancë me synimet e provincave po t’i referohemi deklarimeve të sotme të ministrit Duclos, i cili duke folur për prioritetet e vendosura si reduktimi i listave të pritjes, aksesi në mjekësinë familjare, kujdesi për të moshuarit (përfshirë kujdesin në shtëpi që u ofrohet atyre) shëndeti mendor, varësitë nga droga, dixhitalizimi i të dhënave dhe telemjekësia, theksoi që qeveria federale mund t'u kërkojë provincave të shpenzojnë fonde të reja në këto fusha, gjë që e ka bërë tashmë në të kaluarën me marrëveshjet për shëndetin mendor dhe kujdesin në shtëpi.

Lidhur me vendimin e shpallur sot, rezerva kanë shprehur edhe përfaqësues të opozitës zyrtare në Ottawa, sipas të cilëve, qeveria Trudeau ka krijuar një kornizë diskutimi që mund të jetë e favorshme për të, por jo për autonominë e provincave në fushën e Shëndetësisë.

Sipas Nënkryetarit të Partisë Konservatore, Luc Berthold, të cituar nga Radio-Canada, Liberalët po tentojnë sërish të ndërhyjnë në juridiksionet e provincave, të cilat aktualisht nuk e kanë kërkuar këtë transfertë të menjëhershme. Të njejtin shqetësim ka shprehur dhe Bloc Québécois, duke iu referuar 450 milionë dollarëve të ofruara për Québec nga qeveria Trudeau, shumë kjo afërsisht sa 1% e shpenzimeve vjetore shëndetësore të provincës.

Vazhdimisht vitet e fundit, provincat dhe territoret kanë ripërsëritur argumentin se pjesa e juridiksionit federal në shpenzimet e kujdesit shëndetësor është shumë më e ulët se angazhimi i shprehur dekada më parë në kohën e krijimit të sistemit të kujdesit shëndetësor publik. Kërkesa e përsëritur e provincave është që kontributi federal në favor të tyre të kalojë nga 22% në 35% të kostove të sistemit, çka përllogaritet në rreth 28 miliardë dollarë më shumë në vit, nga të cilat, bazuar në kriterin popullsi, 6 miliardë dollarë duhet t’i përfitojë Québec.

Sipas njoftimit të sotëm të ministrit të Shëndetësisë Duclos, shuma prej 2 miliardë dollarësh do të ndahet si më poshtë:

Ontario: 775,5 m$, Québec: 450,0 m$, British Columbia: 272,4 m$, Alberta: 232,3 m$, Manitoba: 72,4 m$, Saskatchewan: 61,8 m$, Nova Scotia: 51,8 m$, New Brunswick: 41,2 m$, Newfoundland & Labrador: 27,2 m$, Prince Edward Island: 8,6 m$, North Ouest Territories: 2,4 m$, Yukon: 2,2 m$, Nunavut: 2,1 m$.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada