Kanada

Kompania farmaceutike Moderna do prodhojë 100 milionë doza vaksine në vit në Montreal

  • Published in Kanada

Kryeministrat Justin Trudeau dhe François Legault kanë njoftur sot (29.04) ndërtimin nga kompania farmaceutike amerikane Moderna, të një fabrike të prodhimit të vaksinave në rajonin e Montréal me kapacitet 100 milionë doza në vit. Investimi prej 180 milionë dollarësh do të përfshijë gjithashtu një qendër kërkimore. Sipas kryeministrit kanadez, përveç krijimit të qindra vendeve të reja të punës, prezenca e Moderna në vend do t'i mundësojë Kanadasë të forcojë ndjeshëm kapacitetet e saj bioprodhuese. Kjo do të jetë fabrika e parë e Moderna-s jashtë SHBA dhe ndërtimi i saj parashikohet të përfundojë në vitin 2024.

Negociatat në lidhje me vendndodhjen e saktë të objekteve nuk kanë përfunduar ende. Ndërkohë, presidenti i Moderna, Stéphane Bancel, ka deklaruar një marrëveshje partneriteti dhjetëvjeçar me Kanadanë duke theksuar se qeveria kanadeze ishte një nga qeveritë e para në botë që mbështeti financiarisht përpjekjet për përgatitjen dhe prodhimin e vaksinës së COVID-19.

Moderna, kompani e cila u themelua në vitin 2010 në SHBA, u bë veçanërisht e njohur në mbarë botën gjatë pandemisë me përgatitjen e Spikevax. Moderna është aktualisht prodhuesi i dytë më i madh në botë i vaksinave kundër COVID-19. Ajo po përgatit dhe po teston gjithashtu medikamente me potencial premtues për të luftuar sëmundje të tjera infektive si HIV, Zika, sindromën respiratore VRS dhe virusin Epstein-Barr (mononukleoza).

Dikur një fuqi botërore në fushën e bioprodhimit, Kanadaja mbeti plotësisht e varur nga prodhimi i vaksinave nga vendet e tjera gjatë pandemisë COVID-19. Qeveria aktuale, e cila ka premtuar të rindërtojë kapacitetet bioprodhuese të vendit, akordoi 2.2 miliardë dollarë në prill 2021 për këtë qëllim.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: Radio-Canada