Kanada

Tragjedi në Saskatchewan, 10 të vdekur e 18 të plagosur pas një sulmi me thika në Weldon

  • Published in Kanada

Përditësuar më 05.09, 16:15;

Një tragjedi ka pllakosur dje (04.09) provincën kanadeze të Saskatchewan, bilanci i të cilës, sipas raportimeve paraprake të mediave të ndryshme që u referohen burimeve të RCMP (Policia Federale Kanadeze) deri sot paradite ishte 10 të vdekur dhe 15 të plagosur. Me vonë gjatë pasdites organet kompetente e kanë ndryshuar bilancin e të plagosurve duke e çuar atë në 18. Të gjitha viktimat kanë qenë pré e sulmit me thika, Ngjarja e rëndë ka ndodhur pikërisht në territorin e komunitetit autokton James Smith Cree dhe në fshatin Weldon. Dy të dyshuarit Damien Sanderson dhe Myles Sanderson ende nuk janë arrestuar nga policia. Ata mendohet se lëvizin me një automjet Nissan Rogue me ngjyrë të zezë, me targë 119 MPI.

Damien Sanderson dhe Myles Sanderson

Pak pas orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme, shefi i Departamentit të Policisë së Regina, Evan Bray postoi një video në Twitter, ku pohoi se besonte që dy të dyshuarit si autorë të krimit makabër ndodheshin ende në Regina, më shumë se 300 km në jug të vendit të ngjarjes. Nga ana e saj, bazuar në këqyrjet dhe hetimet paraprake në terren, Policia Federale Kanadeze (RCMP) beson se disa prej viktimave të sulmeve ishin të planifikuara, ndërsa të tjerat u zgjodhën rastësisht.

Lajmin për tragjedinë e djeshme e ka publikuar në faqen e saj në rrjetit social Facebook edhe Shoqata Shqiptaro-Kanadeze “Iliria” me qendër në Regina të Saskatchewan, e drejtuar nga Z. Ajdin Kozmaqi, e cila konfirmon se të gjithë bashkëkombasit tanë, anë e kënd provinces, janë shëndoshe e mirë dhe në vende me siguri të plotë. Aktualisht në Regina numërohen rreth 50 familje shqiptare, kryesisht me origjinë nga Kosova. Me shoqatën sot ka qenë në komunikim dhe Ambasada e Republikës së Kosovës dhe Ambasadori Adriatik Kryeziu. Edhe Ambasada nga ana e saj ka publikuar gjithashtu rreth orës 15:30 një njoftim zyrtar në faqen e vet në Facebook.

Ndër të tjera në komunikatën e shoqatës shqiptare thuhet që "dy të dyshuarit kryesorë si autorë të aktit të tmerrshëm në komunitetin e Weldon dhe në rajonin e Melfort, që la të vdekur 10 dhe të plagosur 15 persona, janë Damien Sanderson dhe Myles Sanderson, të cilët dyshohet se ndodhen në Regina. Policia Federale (RCMP) dhe ajo lokale u bëjnë thirrje të gjithë banorëve të Saskatchewan që të bashkēpunojnë me policinë dhe të qëndrojnë në vende të sigurta. Është shpërndarë gjëndje alarmi dhe po kryhet kërkim i gjërë anë e kënd provinces e jashtë saj… Poashtu, është dhënë urdhër nga policia që të mos i ndalni automjetet për ata që bëjnë autostop. Sipas informacioneve që i kemi, të gjithë bashkëkombasit tanë, anë e kënd provincës, janë shëndoshe e mirë dhe në vende me siguri të plotë".

Kronologjia e ngjarjes (4 shtator 2022):

Ora 5:40 e mëngjesit: Telefonata e parë në RCMP në lidhje me sulmin me thika në James Smith Cree Nation. Në minutat në vijim, policia merr disa telefonata të reja që raportojnë sulme të tjera.

Ora 7:12 e mëngjesit: RCMP emeton alarmin e pare lidhur me dy agresorët. Alarmi u dërgohet banorëve të James Smith Cree Nation dhe komuniteteve përreth, duke përfshirë Candle Lake, Prince Albert, Melfort, Humboldt dhe Rosthern.

Ora 7:57: Dërgohet alarmi i dytë që përmban emrat dhe fotot e dy të dyshuarve.

Ora 8:20: Dërgohet alarmi i tretë, këtë herë për të gjithë banorët e Saskatchewan, pasi policia mundi të konfirmonte se dy të dyshuarit po udhëtonin me një automjet.

Ora 9:45: Dërgohet alarmi i katërt që informonte banorët e Saskatchewan se të dyshuarit kishin shkaktuar disa viktima në Komunitetin James Smith Cree dhe në fshatin Weldon. Alarmi sqaron gjithashtu se disa nga sulmet janë kryer në mënyrë të rastësishme. Policia jep edhe përshkrimin e veturës së të dyshuarve.

Ora 11:25: Alarmi dërgohet edhe në Manitoba dhe Alberta.

Ora 12:07: Dërgohet alarmi i pestë për të informuar se automjeti i të dyshuarve është parë nga një shofer në Arcola Avenue në Regina. U bëhet thirrje banorëve të qytetit të qëndrojnë në një vend të sigurt.

Ora 15:40: RCMP u drejtohet mediave gjatë një konference për shtyp për të komunikuar njoftimin e parë zyrtar lidhur me numrin e viktimave.

Vazhdojnë kërkimet

Ndërkohë vazhdon kërkimi për gjetjen dhe arrestimin e dy të dyshuarve. Urdhër-arrestet me akuzë të trefishtë janë lëshuar tashmë nga Policia Federale Kanadeze (RCMP). Myles Sanderson dhe Damien Sanderson akuzohen për vrasje të shkallës së pare, tentativë vrasje dhe dhunim banese. Ndërsa hetimi përparon, RCMP parashikon që do të ngrihen dhe akuza shtesë.

“Të jeni të sigurt se ne përdorim të gjitha burimet njerëzore dhe teknologjike për të gjetur dhe arrestuar ata që janë përgjegjës për këtë tragjedi”, tha në një deklaratë gjatë pasdites së sotme drejtuesja e RCMP në Saskatchewan, Rhonda Blackmore. Aktualisht qindra punonjës të RCMP janë angazhuar me këtë ngjarje. Forcat e policisë u bënë thirrje qytetarëve që kthehen nga fundjava e gjatë të kontrollojnë për shenja aktiviteti të dyshimtë rreth shtëpive të tyre.

Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada, The Canadian Press/Heywood Yu