Masakra në Saskatchewan: Vdes pas arrestimit i dyshuari Myles Sanderson
- Published in Kanada
Konfirmohet një zhvillim i ri në raport me ngjarjen e rëndë të ndodhur të dielën e kaluar në James Smith të Saskatchewan, zhvillim pas të cilit duket se do jetë e vështirë të mësohet me saktësi të plotë e gjithë e verteta. Policia Federale Kanadeze (RCMP) deklaroi mbrëmë që Myles Sanderson, njëri nga dy të dyshuarit si autor i vrasjeve dhe plagosjeve i shpallur në kërkim, ka vdekur dje pasdite, pak çaste pas arrestimit.
Autoritetet kishin emetuar fillimisht një alarm urgjent që njoftonte se një person i armatosur me thikë po ngiste një furgon të bardhë të vjedhur pranë Wakaw, rreth 90 km në verilindje të Saskatoon, ndërsa rreth orës 15:30 me orën e Saskatchewan, automjeti në fjalë u pa në autostradën 11, pranë fshatit Rosthern, 66 km në verilindje të Saskatoon, kryeqendra e provinces.

Sipas Radio-Canada, për të garantuar sigurinë e shoferëve të tjerë që qarkullonin në ato momente në të njejtin aks rrugor, policët e RCMP e detyruan automjetin e dyshimtë ndalojë afër një kanali duke e rrethuar. Më pas ata konfirmuan se shoferi ishte me të vërtetë Myles Sanderson. Menjëherë pas arrestimit, u konstatua se i dyshuari ndodhej në një gjendje të vështirë respiratore. Urgjenca mjekësore e thirrur në vendgjarje e ka transportuar atë në spital ku dhe u deklarua i vdekur.
Mësohet se Shërbimi Policor i Saskatoon dhe Ekipi i Reagimit ndaj Krimeve të Rënda i Saskatchewan do të kryejnë një hetim të pavarur për rrethanat e kësaj vdekjeje.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: CBC/Radio-Canada/Chanss Lagaden
*Në foto lart Rhonda Blackmore, drejtuese e Divizionit të RCMP në Saskatchewan.












