Kanada

Doug Ford thirret dëshmitar para Komisionit për gjendjen e jashtëzakonshme

  • Published in Kanada

Sipas CBC/Radio-Canada, kryeministri i Ontarios Doug Ford dhe ish-Avokatja e Përgjithshme e Ontarios, Sylvia Jones (aktualisht ministre e Shëndetësisë e provincës), janë thirrur me detyrim të paraqiten si dëshmitarë para Komisionit Hetimor për hetimin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga qeveria Trudeau në muajin shkurt. Media shtetërore saktëson megjithatë që të interesuarit do të apelojnë në gjykatë për ta anuluar këtë thirrje.

Prokurorët e Komisionit që drejtohet gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Ontarios, Paul Rouleau, kanë deklaruar se i ftuan Doug Ford dhe Sylvia Jones për të dhënë dëshmi më 19 shtator, por këta dy të fundit kanë refuzuar në mënyrë të përsëritur, edhe pse u ishte kërkuar të dëshmonin mbi baza vullnetare. Na ana e tij, Doug Ford, javën e kaluar, kur u mor në pyetje nga një gazetar i CBC, pat pohuar se nuk kishte refuzuar dhe se nuk i ishte rikërkuar të dëshmonte.

Sipas asaj që shkruhet në një letër të dërguar sot (24.10), prokurorët besojnë se dëshmia e kryeministri Ford dhe ish-Avokates së Përgjithshme ka rëndësi të veçantë për konkluzionet që do dalin nga hetimi. Kjo është dhe arsyeja pse ata po përdorin të drejtën e Komisionit për të thirrur me detyrim dëshmitarët.

Pas letrës së sotme të Komisionit Rouleau, ka reaguar qeveria Ford, përmes një deklaratë me shkrim ku thuhet se do të kërkohet rishqyrtim gjyqësor për të anuluar thirrjen me arsyetimin “se nuk është në përputhje me imunitetin parlamentar të deputetëve”. “Ne besojmë se pyetjet në lidhje me përgjigjen institucionale të Ontarios do marrin sqarime mjaftueshëm nga dëshmitë e dy zyrtarëve të tjerë të lartë të përzgjedhur tashmë nga Komisioni”, përfundon deklarata në fjalë.

Komisioni Rouleau ka mandatin të hetojë vendimin e qeverisë së Justin Trudeau për të aplikuar Aktin e Masave Urgjente duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme më 14 shkurt 2022, për t'i dhënë fund një proteste që mblodhi së bashku kamionistët e Freedom Comvoy dhe manifestues të tjerë, kundër masave kufizuese shëndetësore që lidheshin me COVID-19, proteste e cila paralizoi qendrën e Ottawa nga e shtuna 29 janar deri të dielën 20 shkurt 2022.

Në total, rreth 65 dëshmitarë do duhet të paraqiten para gjykatësit Paul Rouleau, përfshi kryeministrin Justin Trudeau dhe shtatë ministra, organizatorë të manifestimit si dhe zyrtarë nga Shërbimi Informativ Kanadez i Sigurisë.

Foto: The Canadian Press/Chris Young/Adrian Wyld