Ontario, zgjedhjet lokale: Tory rizgjidhet në Toronto, Sutcliffe fiton në Ottawa
- Published in Kanada
Sot (24.10) u zhvilluan zgjedhjet lokale në 417 bashkitë e provincës Ontario. 6036 vetë gjithsej kanë konkuruar për 2860 vende këshilltarësh apo kryetar bashkie. Në listat e kandidimit 31% ishin femra, shifër kjo më e lartë se ajo e viti 2018 (27%). Në 217 bashki, pjesërisht është përdorur dhe vota online dhe me telefon ndërsa 548 kandidatë (për këshilltarë, kryetar bashkie apo prefekt) janë zgjedhur drejpërdrejt pa konkurent.
Në metropolin kanadez, Toronto, ashtu siç pritej, ka fituar për të tretën herë radhazi me rreth 62% të votave, kryebashkiaku John Tory. Tory u përball me 30 kandidatë të tjerë, shumica dërrmuese e të cilëve ishin të panjohur për publikun. Më i njohuri prej tyre, urbanisti Gil Penalosa, ka marrë gati 18% të votave.
Nga ana e tij, John Tory premtoi që do ta mbante nivelin e rritjes së taksës së pronës nën normën e inflacionit. Gjatë këtij mandati të ri, i cili siç ka deklaruar vetë John Tory do të jetë i fundit, ai do përballet me sfida të vështira, përfshi deficitin prej 857 milionë dollarësh në buxhetin e bashkisë, aksesin në strehim dhe koston e lartë e jetesës, nevojën për të përmirësuar transportin publik dhe sigurisht rimëkëmben ekonomike pas pandemisë.
Kryetari i Bashkisë Toronto, si ai i Ottawa, së shpejti do të ketë kompetenca të shtuara, të akorduara nga qeveria e Doug Ford. Ai do mund të vërë veton ndaj atyre vendimeve të këshillit bashkiak që do të pengonin prioritetet e provincës, veçanërisht në fushën e strehimit.

Mark Sutcliffe, kryetari i ri i Bashkisë Ottawa
Në kryeqytetin federal Ottawa, pasuesi i Jim Watson (i cili nuk rikandidoi) është zgjedhur Mark Sutcliffe. Në Mississauga është rizgjedhur kryetare për herë të tretë Bonnie Crombie, ndërsa në Brampton ka fituar për herë të dytë Patrick Brown. Në Windsor është rizgjedhur Drew Dilkens, në Kingston Brian Paterson, në Kitchener Berry Vrbanovic, në London Josh Morgan dhe në Burlington Marianne Meed Ward. Ndërkohë, dy politikanë të njohur, ish-shefja e opozitës provinciale NDP, Andrea Horwath dhe ish-lideri i Liberalëve të Ontarios, Steven Del Duca, e kanë provuar fatin këtë radhë në zgjedhjet lokale dhe ia kanë dalë, megjithëse me rezultat të ngushtë. Horvath është zgjedhur kryetare bashkie në Hamilton (me rreth 1600 vota diferencë), ndërsa Del Duca ka fituar me 851 vota më shumë në Vaughan.
Ende nuk ka dalë zyrtarish shifra e pjesëmarrjes në zgjedhje, ndërkohë që në zgjedhjet e vitit 2018, pjesëmarrja ka qenë 38,3 %, më e ulta kjo qysh nga viti 1982.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio Canada












