Kanada

Kupa e Botës në ski - Kanadezja Valérie Grenier fiton Slalomin e Madh

  • Published in Kanada

Pas gati 50 vjetësh, një skiatore kanadeze fiton sërish Slalomin e Madh në garat e Kupës së Botës në ski. Ajo quhet Valérie Grenier. Skiatorja 26 vjeçare nga Ottawa u ngjit në podiumin e vendit të parë dje (07.01.) pasi arriti të fitojë duke realizuar shpejtësinë 1 minutë, 55 sekonda dhe 1/100. Pas saj, e dyta u rendit italiania Marta Bassino, ndërsa e treta sllovakja Petra Vhlova. Gara u zhvillua në Kranjska Gora të Sllovenisë. “Pata një ndjesi të jashtëzakonshme. E prisja prej kaq kohësh këtë ditë. Ishte një ëndër që më në fund u realizua”, ka deklaruar ajo për Radio-Canada Sport.

Bassino, Grenier dhe Vhlova

Përpara fitores së djeshme, në dy kompeticionet e fundit të Kupës së Botës në ski, vitin e kaluar në të njëjtën pistë dhe më 2019 në Itali, Valérie Grenier pat arritur të renditej e katërta. Kanadezja e fundit që e pat fituar vendin e parë në Slalomin e Madh para Valérie Grenier, ka qenë Kathy Kreiner në vitin 1974. Më pas, në vitin 2006, në të njëjtën garë, Geneviève Simard pat qenë renditur e dyta. E rikuperuar pas shumë dëmtimeve fizike gjatë karrierës, me rezultatin e djeshëm, Valérie Grenier tashmë ndodhet në vendin e 7-të në renditjen e përgjithshme.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot:

Alpine Canada/Gepa Pictures/Mario Buehner

Getty Images/Christophe Pallot/Agence Zoom