Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 05.02.2023

  • Published in Kanada

 

Ottawa

 

-British Columbia, riatdhesohen objekte kulturore të komuniteteve autoktone Nuxalk dhe Gitxaala

-Alberta, ish-kryeministri Jason Kenney emërohet këshilltar i firmës ligjore Bennet Jones

-Manitoba, një treg artizanal në Winnipeg për të mbështetur Ukrainën dhe ukrainasit

-Nova Scotia, aprovohet rritja 14% e tarifës së energjisë elektrike

-Québec, pas një difekti elektrik evakuohen 309 banesa në kryeqytetin provincial

-Ontario, Marit Stiles nis zyrtarisht detyrën si kryetare e New Democratic Party

 

British Columbia - Dy muzeume të kalibrit botëror do t’u rikthejnë së shpejti objekte të trashëgimisë kulturore komuniteteve autoktone në provincën British Columbia. Muzeu Mbrëtëror provincial ka rënë dakord t’i kthejë komunitetit Nuxal një shtyllë druri totemike duke marrë përsipër dhe shpenzimet e transportit që do të kryhet në datën 13 shkurt. Artefakti dikur ishte një nga shtyllat e hyrjes së shtëpisë të familjes Snuxyaltwa në Talleomy, përpara se pjestarët e komunitetit Nuxalk të zhvendoseshin në Bella Coola për t'i shpëtuar epidemisë së lisë në fillim të viteve 1900. Shtylla përfundoi në Muzeun Mbretëror të British Columbia, ku u ekspozua në sallën Totem në katin e tretë përgjatë shumë vitesh. Komuniteti Nuxalk e paditi në gjykatë Muzeun një vit më parë për moskthimin e tij, pasi shefat e tij e kërkuan rikthimin fillimisht në vitin 2019. Ndërkohë, Muzeu Peabody i Universitetit të Harvardit nënshkroi gjithashtu një marrëveshje për t'i rikthyer deri në fund të shkurtit 2023 komunitetit autokton Gitxaala një shtyllë totemike që ndodhet atje qysh nga viti 1917. Totemi fillimisht pat qenë blerë nga një kompani peshkimi në vitin 1885.

Alberta - Pas 25 vitesh në politikë, kryesisht në nivelin federal, ish-kryeministri i Albertës, Jason Kenney, ka nisur një karrierë të re. Firma e njohur ligjore Bennett Jones e ka angazhuar atë në rolin e këshilltarit kryesor për ekipin e politikave publike dhe ai do të punojë në zyrat e saj në Calgary. “Jam i emocionuar që i bashkohem kësaj firme prestigjioze, e cila ka rrënjë të thella në Alberta dhe një prani të rëndësishme në nivel kombëtar”, ka deklaruar Kenney, duke sqaruar njëkohësisht se në detyrën e tij të re, nuk do të lobojë te qeveria provinciale apo agjencitë e saj. Jason Kenney nuk është ish-kryeministri i parë i Alberta-s që i bashkohet Bennett Jones. Peter Lougheed, që e drejtoi provincën nga 1971 deri në 1985, u bë partner kryesor i saj pasi la shërbimin publik. Sipas Hugh MacKinnon, president i firmës në fjalë, “Jason Kenney sjell një kombinim të jashtëzakonshëm të përvojës së lidershipit dhe politikave publike për Bennett Jones dhe për klientët e saj”.

Manitoba - Nga kjo fundjavë, një grup grash ukrainase të vendosura gjatë vitit të kaluar në Manitoba kanë nisur të shesin në një treg artizanal në Winnipeg produktet e tyre të punuar me dorë, si objekte prej dylli blete, gjerdanë apo byzylykë. Kjo është një mundësi për të rritur të ardhurat e tyre mujore si dhe për të ndihmuar financiarisht të afërmit në atdhe. Në ambientet dhe raftet e tregut L.O.V.E (Locally Operated Vendor Emporium) në Main Street, janë të ekspozuar produkte nga artizanë shumica vendas. Për afro njëqind gratë ukrainase që kanë nisur të shesin produktet e tyre aty, tregu është gjithashtu një ambient për të forcuar lidhjet me komunitetin.

Nova Scotia - Qytetarëve dhe bizneseve në Nova Scotia do t’u duhet të paguajnë më shumë për energjinë elektrike. Komisioni i Shërbimeve Publike të provincës ka miratuar kërkesën e Nova Scotia Power për rritjen e tarifës në masën 14% gjatë një periudhe dy vjeçare. Kryeministri Tim Houston i kishte kërkuar komisionit të refuzonte kërkesën për të mbrojtur kësisoj taksapaguesit, tashmë të prekur rëndë nga inflacioni, por kjo nuk është marrë në konsideratë. Rritja e parë prej 6.9% do zbatohet menjëherë. Rritja e dytë prej 6.9% do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024. Nga ana e tij Komisioni i Shërbimeve Publike i ka konsideruar këto rritje të arsyeshme dhe të përshtatshme, por në të njëjtën kohë pranoi dhe disa kërkesa nga organizatat e avokimit në favor të personave me të ardhura të ulëta, për të shqyrtuar opsione pagesash ose kreditimi për këtë kategori.

Québec - Një tub uji i dëmtuar ka lënë në errësirë dhe pa ngrohje dje (04.02.) në mbrëmje ​​309 apartamente në lagjen Charlesbourg në Quebec City (godinat 5300, 5310 dhe 5320 bulevardi Henri-Bourassa). Ka qenë rreth orës 20:05, kur zjarrfikësit janë thirrur për të ndërhyrë dhe sipas Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri të Bashkisë, dëmi ka ardhur nga çarja e një tubi furnizimi me ujë të një lavatriçeje në katin e 5-të të njërës nga godinat. Uji ka depërtuar në katet e nëndheshme, duke shkaktuar dëme të mëdha në instalimet elektrike të cilat furnizojnë edhe dy godinat fqinje. Në kushtet e mungesës së energjisë elektrike dhe një të ftohti ekstrem u vendos evakuimi i të gjithë apartamenteve. Ndërkohë nuk u raportua asnjë i lënduar. Një pjesë e banorëve shkuan të kalojnë natën diku tjetër, ndërsa një duzinë u strehuan në ambientet e urgjencës të ngritura nga Kryqi i Kuq. Sot në mëngjes (05.02.) ende punohej për rivendosjen e energjisë elektrike ndërsa në pesë apartamente të dëmtuar rëndë nga uji, banorët nuk do mund të rikthehen menjëherë.

Ontario - Marit Stiles u shpall zyrtarisht kryetare e NDP (New Democratic Party) të Ontarios gjatë paradites së djeshme (04.02.) në Toronto. Ajo është deputete provinciale që nga viti 2018 dhe ishte e vetmja që kandidoi për të zëvendësuar Andrea Horwath, e cila dha dorëheqjen qershorin e kaluar pas humbjes në zgjedhje. Pas dorëheqjes së saj rolin e drejtuesit par Interim e kreu Peter Tabuns. Marit Stiles përfaqëson zonën elektorale Davenport dhe prej disa vitesh është përgjegjëse për arsimin në NDP. Para se të zgjidhej deputete ajo ka qenë komisare shkollore në Toronto. Dje ajo ka shpalluar dhe objektivin e saj kryesor politik, fitoren e zgjedhjeve të ardhshme provinciale që do të zhvillohen në vitin 2026. Nga ana e tij, Jagmeet Singh, kreu i NDP kanadeze, ka deklaruar që Marit Stiles është personi më i përgatitur për të drejtuat provincën dhe se përparësia kryesore e NDP është krijimi i një sistemi më të mirë kujdesi shëndetësor në Ontario.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada