Kanadaja ofron 10 milionë dollarë ndihmë të menjëhershme për Turqinë dhe Sirinë
- Published in Kanada
Pas tërmetit shkatërrimtar që goditi të hënën Turqinë dhe Sirinë, qeveria e kryeministrit Justin Trudeau njoftoi dje pasdite (07.02.) se ka vendosur të ofrojë një ndihmë humanitare urgjente të menjëhershmë prej 10 milionë dollarësh.
Deklaratën në emër të qeverisë e bëri Ministri i Zhvillimit Ndërkombëtar, Harjit Sajjan, sipas të cilit aktualisht po vlerësohen dhe nevojat për ndihmë shtesë në terren, përfshi dhe dërgimin e Ekipit të Reagimit ndaj Fatkeqësive Natyrore të Forcave të Armatosura Kanadeze. Ministri Sajjan kujtoi gjithashtu se me financimin prej 50 milionë dollarësh që Kanadaja ka dhënë për reagimin ndaj fatkeqësive në Siri, partnerët e saj në terren kanë nisur tashmë aktivitetet e ndërhyrjes emergjente.

Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.8, i cili u pasua nga pasgoditje të forta, rrafshoi mijëra ndërtesa në Turqinë juglindore dhe pjesë të Sirisë fqinje. Numri i të vdekurve në të dy vendet i deklaruar deri tani arrin gati në 8,000 vetë dhe pritet të rritet, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë. Sipas nënpresidentit turk Faut Oktay, më shumë se 8,000 njerëz janë nxjerrë nga rrënojat në zonat e prekura nga tërmeti dhe rreth 380,000 janë strehuar në hotele dhe ndërtesa qeveritare.
1)Foto kryesore lart (Getty Images/Ozan Kose): Punonjësit e kërkim-shpëtimit duke mbajtur në barelë një person të shpëtuar nga rrënojat e ndërtesave në Kahramanmaras, epiqendra e tërmetit.
2)Foto në tekst (Associated Press): Pamje ajrore e Hatay, një qytet në Turqinë jugore.
© Flasshqip.ca me informacion nga The Canadian Press












