Kanada

Kanada - Viti 2022, rekord prodhimi nafte në provincën Alberta

  • Published in Kanada

Sipas Bankës ATB, me gati 1.4 miliardë barila gjatë vitit 2022, prodhimi i naftës bruto në provincën Alberta ka arritur një shifër rekord, më të lartë se ajo e vitit 2021 dhe pothuaj sa dyfishi i sasisë së naftës të prodhuar në vitin 2010. ATB Financial është një bankë që posedohet nga provinca Alberta, e vetmja provincë në Kanada me një institucion të tillë nën pronësinë e saj ekskluzive.

“Ishte sërish një vit rekord. Prodhuam sasinë më të madhe të naftës në historinë e Alberta-s, rreth 3.73 milionë barila në ditë. Shifra e tejkalon vitin 2021, kur prodhimi ishte rreth 3.61 milionë barila në ditë. Kërkesa në Shtetet e Bashkuara është e fortë. Kjo është një nga arsyet e rritjes së prodhimit dhe sistemi ynë i transportit ka mundur ta mbështesë atë”, ka deklaruar Rob Roach, nëndrejtor ekonomik i ATB Financial, i cituar nga Radio-Canada.

Në përqindje, gjatë 2022, prodhimi i naftës konvencionale në Alberta u rrit me 12% krahasuar me 2021, ndërsa ai nga rërat bituminoze u rrit me 2%. Ndërkohë, përfundimi i projektit të zgjerimit të gazsjellësit Trans Mountain këtë vit, parashikohet ta shtojë kapacitetin e prodhimit ditor me më shumë se 500,000 barila.

Pas sulmit ushtarak rus në Ukrainë dhe rritjes së çmimeve të naftës, për shumë kompani naftënxjerrëse, 2022 ka qenë viti më fitimprurës se çdo here më parë, duke i bërë shumë prej tyre të tërhiqen nga angazhimet për të shfrytëzuar më shumë burime të rinovueshme. Për shembull, kompania amerikane e naftës Exxon realizoi një fitim prej 56 miliardë dollarësh vitin e kaluar, shifra më e lartë ndonjëherë për një kompani nafte të listuar.

Nga ana e saj Chevron, me bazë në SHBA, raportoi një fitim prej 35 miliardë dollarësh më 2022, më shumë se dyfishi i 15 miliardë dollarëve fitim gjatë 2021. Shell realizoi një fitim prej 40 miliardë dollarësh dhe BP e Britanisë gati 28 miliardë dollarë, totali më i lartë vjetor në historinë 114-vjeçare të kompanisë.

Ndërkohë, kompanitë e naftës në Alberta pritet t’i publikojnë zyrtarisht rezultatet e tyre javën e ardhshme.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: Reuters/Todd Korol; ATB Bank/The Owl