Montréal - Arrestohet një i dënuar më burgim të përjetshëm për vrasje në Shqipëri
- Published in Kanada
Disa media të metropolit frankofon kanadez kanë raportuar dje (10.02.) arrestimin në muajin janar të këtij viti në Montréal, të një vrasësi të dënuar më burgim të përjetshëm në Shqipëri. Ai quhet Ëngjëll Brahimi dhe prej disa vitesh jetonte në provincën e Québec, me një identitet të rremë.
Brahimi në vitin 2000 ka ekzekutuar me armë zjarri automatike një oficer të lartë të Policisë së Shtetit në Shqipëri dhe djalin e tij 8-vjeçar. Në kërkesën për ekstradim të depozituar gjatë kësaj jave pranë Gjykatës së Montréal-it thuhet se “pas atentatit në vitin 2000, ai u arratis në Greqi, më pas në SHBA dhe më në fund në Kanada, me emër të rremë, madje duke marrë nënshtetësinë kanadeze”. 59-vjeçari u arrestua nga Policia Federale Kanadeze, me kërkesë të autoriteteve shqiptare, që e kishin shpallur atë në kërkim qysh para 23 vitesh.
Sipas asaj që shkruan tabloidi frankofon Journal de Montréal, “Brahimi kërkonte të hakmerrej ndaj policisë për shkak të vdekjes së të vëllait të tij gjatë një konfrontimi me armë zjarri që kishte ndodhur disa vite më parë. Objektivi i tij i hakmarrjes ishte kreu i hetimit policor të veprave penale të një prej rretheve të këtij vendi ballkanik (Fier). Kur oficeri i policisë po shëtiste në plazh me gruan dhe fëmijët, Brahimi i ka zënë pritë me një automatik të mbushur me municion luftarak. Ai filloi të qëllonte duke goditur me plumba një fëmijë dhe duke plagosur dy persona, por nuk arriti ta vriste fillimisht objektivin. ‘Kriminel, ma vrave djalin!’ pat thirrur nëna e fëmijës ndërsa oficeri ishte larguar. Brahimi megjithatë e ka ndjekur atë për ta ekzekutuar buzë një lumi kur trupi i tij u gjet të nesërmen”.
Pas krimit Brahimi është larguar e pas disa kohësh vendoset në Québec, ku nis të jetojë me një identitet të rremë (me emrin Piro Kota) dhe punonte si shofer kamioni.
Autoritetet shqiptare e gjykuan dhe e dënuan atë në mungesë me burgim të përjetshëm për veprat penale vrasje me paramendim, vrasje, tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje. “Zënia pritë ndaj viktimës tregon shkallën e paramendimit. Ai e dinte se kishte fëmijë të pranishëm”, thuhet ne vendimin e drejtësisë shqiptare.
Në vitin 2018, Interpoli ka konkluduar paraprakisht se ai jetonte në Quebec. Madje policia gjeti dhe pseudonimin e tij, por u desh kohë për të konfirmuar se ishte vërtet i njëjti person.
I arrestuar dhjetë ditë më parë, Brahimi nuk e ka fshehur identitetin e tij të vërtetë, madje ka shpjeguar edhe peripecitë e zhvendosjeve të tij derisa ka mbërritur në Kanada
Ai pritet të kërkojë lirimin me kusht javën e ardhshme në gjykatën e Montréal-it ku do të përfaqësohet nga avokatët penalë Andrew Barbacki, Jordan Trevick dhe Sara Abdel-Malik.
© Flasshqip me informacion nga Journal de Montréal











