Skiatorja kanadeze Laurence St-Germain kurorëzohet kampione bote në slalom
- Published in Kanada

Skiatorja kanadeze me origjinë nga Québec, Laurence St-Germain arriti një fitore të shkëlqyer në garën e slalomit në Kampionatin Botëror të Skive Alpine. Ndryshe nga ç’parashikohej, ajo fitoi medaljen e artë pas dy provave të shtunën (18.02.) në Méribel të Francës. Sportistja e fundit kanadeze që pat fituar një medalje të artë në këtë garë, që eshte dhe më e shpejta, ka qenë Anne Heggtveit në vitin 1960, në Squaw Valley, Kaliforni.
“Isha i bindur se po të ndiqja planin tim dhe të ruaja qetësinë do të arrija një rezultat të mirë, por fitorja ishte... krejtësisht e papritur”, deklaroi ajo pas garës.
St-Germain regjistroi fillimisht kohën e tretë më të shpejtë në raundin fillestar, përpara se të ngjitej në majën e podiumit gjatë fazës së dytë, falë një kohe të kombinuar prej 1 min 43 s 15/100. Ajo përfitoi edhe nga gabimet e vogla të amerikanes Mikaela Shiffrin (1:43.72), e vetme në krye deri në gjysmë të garës, e cila përfundimisht u rendit në vendin e dytë përpara gjermanes Lena Dürr (1:43.84).

Ky titull i papritur për St-Germain erdhi pas kurorëzimit të kanadezit tjetër, James Crawford, fitues i super-G në Courchevel gjatë javës së parë të Kampionatit Botëror. Medaljet e bronzta u fituan nga Kanadaja edhe në garën paralele të ekipeve mikse, si dhe në zbritje nga Cameron Alexander. Këto katër fitore në të njëjtin kompeticion botëror përbëjnë një rekord kombëtar. Rekordet e mëparshme ishin tre medalje gjatë edicioneve 1958, 1968 dhe 2017.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada Sport
Fotot: CBC/Radio-Canada











