Arktiku - Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon synon përfshirjen e Rusisë në diskutime
- Published in Kanada
Sipas The Canadian Press, Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë Mary Simon, ka deklaruar se Kanadaja duhet të gjejë një mënyrë për të vazhduar bashkëpunimin me Rusinë në zonën e oqeanit Arktik, së bashku me vendet e tjera të rajonit, pa hequr dorë nga konsiderimi i Moskës si përgjegjëse për pushtimin e Ukrainës në kundërshtim me rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Deklarata e saj është bërë gjatë në një intervistë pas kthimit nga vizita e saj zyrtare në Finlandë, intervistë në të cilën ajo theksoi që edhe pse situata paraqitet “shumë e vështire”, çështjet që lidhen me popujt autoktonë, kërkimet shkencore apo ndryshimet klimatike i tejkalojnë kufijtë ndarës, duke përsëritur që Kanadaja është e vendosur të mbrojë seriozisht sovranitetin e saj në Veri.
Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon vizitoi Helsinkin nga 6 deri me 10 shkurt të këtij viti me rastin e 75 vjetorin të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kanadasë dhe Finlandës, së bashku me një delegacion studiuesish të Arktikut dhe përfaqësuesish qeveritarë mes të cilëve edhe Sekretari Parlamentar i Ministrit të Jashtëm, deputeti Rob Oliphant. Vizita u zhvillua në një kontekst kur Finlanda kërkon lidhje gjithnjë e më të ngushta ushtarake me vendet e tjera perëndimore pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

(Presidenti finlandez Sauli Niinistö dhe Mary Simon, 7 shkurt 2023 - Helsinki)
Finlanda, që ndan një kufi prej 1340 kilometrash me Rusinë, ka financuar një ushtri të fortë gjatë dekadave të fundit, por ka shmangur rreshtimin formal me aleancën ushtarake të NATO-s. Ndërkohë, pas sulmit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës vitin e kaluar, ajo së bashku me Suedinë aplikoi për t'u anëtarësuar në NATO dhe Kanadaja ishte shteti i parë që u deklarua në favor të kësaj kërkese.
Po ashtu, tetorin e kaluar, qeveria finlandeze e modifikoi Strategjinë e Arktikut që kishte publikuar një vit më parë, duke afirmuar se pushtimi i Ukrainës nënkuptonte nisjen e një Luftë të re të Ftohtë, por duke theksuar se do vazhdojë të mbajë një marrëdhënie funksionale me Rusinë fqinje për çështje të tilla si ndryshimet klimatike dhe popujt autoktonë.
Para se të merrte detyrën si Guvernatore e Përgjithshme, Mary Simon (autoktone me origjinë) ka punuar intensivisht për përgatitjen e Dokumentit Strategjik të Kanadasë për Arktikun dhe Veriun, duke drejtuar dhjetëra konsultime në të gjithë Kanadanë Veriore. Ajo ka qenë gjithashtu ambasadore e Kanadasë në Danimarkë, një rol i fokusuar edhe në bashkëpunimin me Inuitët e Groenlandës.

Gjatë intervistës se saj, Mary Simon ka vënë në dukje se Veriu i Largët në përgjithësi e ka shmangur konfliktin gjeopolitik gjatë dekadave, ka qenë gjithmonë një zonë bashkëpunimi, por aktualisht po merr vëmendje në rritje si një zonë e pasur me burime natyrore (naftë dhe gaz) dhe e rëndësishme në fushën e transportit detar, çka nënkupton që pesha strategjike e këtij rajoni sa vjen e bëhet më e madhe.
Ndërkohë, brenda forumit ndërqeveritar të Këshillit të Arktikut, tensionet janë rritur muajt e fundit dhe aktivitetet janë pezulluar që nga sulmi ushtarak i Rusisë në Ukrainë. Organizata, për themelimin e të cilës Mary Simon ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme, koordinon kërkimet në Rethin Polar, rrugët e transportit dhe shërbimet e kërkim-shpëtimit midis tetë shteteve dhe popujve autoktonë. Sipas Guvernatores së Përgjithshme kanadeze, edhe pse situata politike është delikate, një fenomen për shembull si rritja e nivelit të detit, ka një ndikim të drejtpërdrejtë për rajonin dhe është një realitet që dikton vazhdimin e bashkëpunimit.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: The Canadian Press/Spencer Colby; AFP/Markku Ulander












