Kanada

Java kanadeze - Lajme shkurt 5 mars 2023

  • Published in Kanada

 

Oqeani Arktik

-British Columbia, e para provincë kanadeze që do mbulojë koston e kontraceptivëve

-Alberta, dëborë, ngricë dhe vizibilitet i reduktuar në rrugët e Calgary

-Saskatchewan, Orkestra Simfonike e Regina në vështirësi financiare

-Nova Scotia, përfundon në Bahamas një shishe e hedhur në oqean nga 6 peshkatarë të provincës

-Québec, Bashkia Montréal kërkon falje dhe paguan 6 milion dollarë dëmshpërblim ndaj disa manifestuesve

-Ontario, ish-ministrja Kathryn McGarry caktohet në krye të Partisë Liberale

 

British Columbia - Gjatë publikimit të buxhetit të ri provincial të martën e kaluar, (28.02) qeveria e British Columbia njoftoi se prej tani e tutje, kontraceptivët me recetë do të mbulohen nga sigurimi shëndetësor dhe sipas ministres së Financave, Katrine Conroy, ky është rasti i parë në gjithë Kanadanë. Masa e re e qeverisë, e vlerësuar me një kosto 119 milionë dollarë për tre vjet, do të hyjë në fuqi më 1 prill. Për të përfituar, personat e mbuluar nga sigurimet shëndetësore duhet të marrin një recetë nga mjeku përpara se të shkojnë në farmaci. Për më tepër, nga muaji maj, të drejtën për dhënien e recetës për kontraceptivët do ta kenë edhe farmacistët. Sigurimi shëndetësor do të mbulojë kontraceptivët hormonalë dhe oralë, injeksionet si dhe pajisjet intrauterine. Nga përllogaritjet e ekspertëve të qeverisë, programi i ri mund t’u kursejë individëve rreth 10,000 dollarë gjatë gjithë jetës, po të kihet parasysh që kostoja mujore e kontraceptivëve është rreth 25 dollarë. Deri më sot, British Columbia i subvenciononte pjesërisht kontraceptivët vetëm për personat me të ardhura të ulëta përmes programit Fair PharmaCare. Ndër vendet evropiane, veçanërisht Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania e subvencionojnë kontracepsionin pjesërisht ose totalisht.

Alberta - Sipas autoriteteve të Bashkisë Calgary, moti i ftohtë dhe dëbora që nisi sot (05.03.) dhe pritet të vazhdojë deri nesër, rrezikon t’i bëjë disa arterie rrugore në qytet të pasigurta, ndaj dhe ata u kanë kërkuar drejtuesve të automjeteve të jenë maksimalisht të kujdesshëm e t’i japin më shumë kohë vetes për të arritur në destinacion. Zëdhënësi i Calgary Highways, Chris McGeachy, ka paralajmëruar veçanërisht qytetarët  që kushtet e motit, dëbora dhe ngricat mund të reduktojnë ndjeshëm vizibilitetin dhe të rrisin rrezikun e rrëshqitjeve  nëpër rrugë. Nga dhjetori 2022, në Calgary ka rënë gjithsej 82.6 cm dëborë, sasia më e lartë kjo midis dhjetorit dhe shkurtit qysh nga dimri i 2017-2018.

Saskatchewan - Orkestrës Simfonike të Regina (RSO) i është dashur të anulojë tre nga shfaqjet e planifikuara në muajin prill, për shkak të numrit shumë të ulët të biletave të shitura. Sipas Drejtorit artistik, Gordon Gerrard, numri i spektatorëve krahasuar me shifrat para pandemisë mezi arrin 20%. Anulimi i shfaqjeve është një mënyrë për të kufizuar vështirësitë financiare që po përjeton orkestra aktualisht dhe nëse publiku nuk e mbështet më shumë atë, rrezikon të krijohet një situatë shumë e vështirë. Përpara pandemisë, numri i spektatorëve për çdo shfaqje në Qendrën e Arteve Conexus shkonte nga  1200 deri në 1500. Aktualisht, numri maksimal i biletave që shiten nuk e kalon shifrën 400. Drejtori artistik Gerrard mendon se është krijuar një realitet i ri dhe beson se pandemia ka ndryshuar shprehitë e spektatorëve, të cilët për t'u argëtuar preferojnë të qëndrojnë më shumë në shtëpi.

Nova Scotia - Një shtetas amerikan që po kalonte pushimet në Bahamas ka gjetur së fundi një shishe të hedhur në oqean shtatë vjet më parë. Falë rrjeteve sociale, ai ka mundur të gjejë personat që e kishin hedhur atë ne ujë, të gjithë peshkatarë nga Nova Scotia. Për Byron Miller, nga Karolina e Veriut, kjo ka qenë shishja e tretë e sjellë nga deti dhe e gjetur prej tij në të njëjtin plazh, Manjack Cay në pjesën veriore të ishullit Bahamas. Brenda shishes ndodhej një letër e mbështjellë me qese, ku ishin shkruar me dorë gjashtë emra dhe disa koordinata gjeografike. Dy nga emrat nuk ishin më plotësisht të lexueshëm. Byron Miller më pas iu drejtua Facebook-ut duke u përpjekur të gjente autorët e shënimeve dhe arriti të konfirmojë se ata ishin pikërisht peshkatarë nga pjesa juperëndimore e provincës Nova Scotia. Në një ditë korriku të vitit 2016, teksa ktheheshin nga gjuetia e merlucit, ata e hodhën shishen e tyre përgjatë brigjeve të Massachusetts.

Québec - Një sagë e gjatë ligjore mes Bashkisë Montréal dhe mijëra demonstruesve, objekt i arrestimeve masive, ka përfunduar në favor të këtyre të fundit. Bashkia do t’u paguajë atyre një dëmshpërblim prej gjashtë milionë dollarësh. Me një zgjidhje jashtëgjyqësore me marrëveshje, u është dhenë fund 16 padive në grup (që fillimisht reklamonin 53 milionë dollarë) në lidhje me protesta që ndodhën në vitet 2012-2015 për të kundërshtuar fillimisht rritjen e tarifave të studimeve gjatë krizës studentore të vitit 2012, për të denoncuar brutalitetin e policisë apo deri te protestat antikapitaliste apo ato kundër masave shtrënguese të qeverisë. Të gjitha paditë kishin një emërues të përbashkët: forcat e policisë kryen arrestime masive pasi i bllokuan demonstruesit në kurth duke shkelur të drejtat e tyre themelore. Nga shuma e përgjithshme do zbriten shpenzimet e avokatëve (25% e shumës totale) dhe janë rreth 3,119 persona që pritet të marrin kompensim rreth 1,500 dollarë. Ndërkohë, qysh nga viti 2015, forcat e policisë së Montréal nuk kanë kryer më arrestime masive. Marrëveshja e arritur parashikon gjithashtu që brenda dhjetë ditëve nga nënshkrimi, Bashkia të publikojë në faqen e saj të internetit një falje publike për një periudhë 90-ditore.

Ontario - Në përfundim të asamblesë vjetore që u mbyll sot (05.03.) në Hamilton, ish-ministrja e qeverisë liberale të Ontarios, Kathryn McGarry, është caktuar të drejtojë Partinë Liberale të provincës. McGarry ka qenë Ministre e Burimeve Natyrore dhe Ministre e Transportit në qeverinë e Kathleen Wynne, por e humbi mandatin e saj si deputete në zonën elektorale të Cambridge në vitin 2018, kur Liberalët u shpartalluan në zgjedhjet e atij viti. Më pas ajo u zgjodh kryetare e Bashkisë së Cambridge, por nuk arriti të rizgjidhet për së dyti tetorin e kaluar. Anëtarë të tjerë të ekipit të ri drejtues të Partisë Liberale të Ontarios janë caktuar Damien O'Brien, nënkryetar ekzekutiv, Pankaj Sandhu, sekretar dhe Tim Shorthill, arkëtar. Një nga detyrat e kryesore të ekipit të ri do jetë përcaktimi i rregullave dhe afateve për garën e ardhshme të lidershipit që do të zhvillohet mbi bazën e parimit një anëtar, një votë.

Kathryn McGarry

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada