Kanada

Kanada - Sonte avancon (përsëri) ora, por disa e konsiderojnë të dëmshme

  • Published in Kanada

Shumica e kanadezëve, përveç atyre që jetojnë në Saskatchewan dhe Yukon, do duhet të avancojnë kohën në orët tyre, në 2 të mëngjesit, nesër duke u gdhirë e diela 12 mars 2023. Sipas The Canadian Press, edhe pse në dukje i padëmshëm, kalimi në atë që quhet orari veror, ka efekte në shëndet dhe po kontestohet gjithnjë e më shumë në Amerikën e Veriut, jo vetëm nga mjekët, por edhe nga vendimmarrësit e zgjedhur.

“Ka më shumë errësirë ​​në mëngjes dhe më shumë dritë në mbrëmje, gjë që e çrregullon orën biologjike. Efektet e ndryshimit të orës manifestohen veçanërisht nga një depresion i lehtë dhe ndryshime në presionin e gjakut. Edhe ndryshimi i një ore të vetme ndikon në fiziologjinë dhe trupin tone”, ka pohuar për CBC në një deklaratë gjatë kësaj jave, Dr. Lorrie Kirshenbaum, nga Instituti i Shkencave Kardiovaskulare në Spitalin St. Boniface në Manitoba. Ai dhe Dr. Inna Rabinovich-Nikitin po studiojnë aktualisht lidhjen midis ritmit cirkadian (orës biologjike të trupit) dhe shëndetit kardiovaskular. Hulumtimi i tyre ka dëshmuar se ora cirkadiane është një faktor vendimtare adaptiv ndaj stresit që mund të ndikojë në mekanizmat e kontrollit të cilësisë së zemrës. “Prandaj, pasja e një ore të shëndetshme cirkadiane është e rëndësishme jo vetëm për të parandaluar sëmundjet, por edhe për të shmangur krizat kardiake”, ka theksuar doktoresha Inna Rabinovich-Nikitin.

Të dy mjekët janë në favor të mosndryshimit të orës që u imponohet shumicës së kanadezëve dy herë në vit. Sipas tyre, kalimi i përhershëm në orën standarde do të ndihmonte në parandalimin e rritjes së rreziqeve të diabetit, sëmundjeve të zemrës dhe depresionit, që studimi i tyre e lidh me orën e verës.

Një problem i shëndetit publik

Për profesorin Roger Godbout, drejtor i Laboratorit të gjumit pediatrik në Spitalin e Shëndetit Mendor në Rivière-des-Prairies dhe profesor në Departamentin e Psikiatrisë të Universitetit të Montréal-it, ndryshimi i orës është një problem i vërtetë i shëndetit publik. Ai tashmë ka bërë thirrje për një debat publik për këtë çështje. “Nuk mendoj se ka ndonjë arsye shëndetësore për të ndryshuar orën dy herë në vit. Është diçka mjaft e çuditshme. Vendet që kanë suprimuar ndryshimin e orës janë në situatë më të mirë në aspektin e shëndetit publik”, u shpreh Godbout, gjatë në një interviste për “D'abord l'info”.

Disa e kanë më të vështirë tranzicionin e orarit se të tjerë. Ky është rasti i personave që punojnë me orare atipike, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj efekteve negative të ndryshimit të orës.

Sipas Dr. Lorrie Kirshenbaum dhe Dr. Inna Rabinovich-Nikitin, “ndryshimi i imponuar i orës mund t'i pengojë këta individë që të përshtasin orën e tyre biologjike me orarin e tyre të punës, duke u shkaktuar pagjumësi, lodhje dhe reduktim të funksioneve konjitive”.

Ndërsa Roger Godbout pohon se nga ndryshimi i orës ndikohen shumë “edhe fëmijët, personat që jetojnë në rezidenca për të moshuarit apo të gjithë njerëzit me një rutinë me të cilën janë adaptuar tërësisht”. Po ashtu, shumica e njerëzve do të ndjejnë efekte si rezultat i ndryshimit të orës dhe shumë prej tyre mund ta kenë të vështirë t’i zërë gjumi një natë më pas, ndërsa disave mund t'iu duhen disa ditë për t'u përshtatur dhe do të jenë me humor jo të mirë, sepse humori ekuilibrohet nga hormone të ndjeshme ndaj dritës.

Si të përshtatemi më mirë

Megjithatë, ka mënyra për ta bërë më të lehtë kalimin në orarin e verës. Specialistët sugjerojnë të shkohet në shtrat pak më herët çdo mbrëmje një javë para ndryshimit të orës. Po kështu, të shtunën në mbrëmje (sot), “përpiquni të shkoni në shtrat herët dhe të hani një darkë të lehtë”, këshillon Azadeh Yadollahi, një shkencëtare e atashuar pranë Institutit Kërkimor KITE të Universitetit Health Network, në një intervistë për CBC. Sipas saj, është e rëndësishme të dilet jashtë të dielën në mëngjes (nesër) pas ndryshimit të orës, sepse shëtitja ose ndonjë aktivitet që e ekspozon njeriun ndaj dritës së diellit ndihmon në adaptimin me orën e re.

“Ndryshime të lehta mund të bëhen edhe në dhomën e gjumit për të rregulluar ekspozimin ndaj dritës. Mund ta detyrojmë trupin të përshtatet me dritën duke mbyllur perdet dhe duke e bërë dhomën më të errët në mënyrë që të mund të flemë më herët. Mund të hapim perdet më herët në mëngjes në mënyrë që drita të ndihmojë trupin të zgjohet”, ka shpjeguar Jennifer Bond, një terapiste e frymëmarrjes nga Saint John, New Brunswick, gjithashtu gjatë një intervistë për CBC.

Ndërsa Dr. Elliott Lee, specialist i gjumit në Qendrën e Shëndetit Mendor Royal Ottawa në Ontario, rekomandon përdorimin e melatoninës. “Mund të ndihmojë në ndryshimin e ciklit të gjumit nëse përdoret në kohën e duhur dhe në dozën e duhur. Koha më e mirë për të marrë melatoninë varet nga ritmi cirkadian i dikujt dhe sugjerimi është të konsumohet një tabletë 1-3 mg ndërmjet orës 19:00 dhe 21:00. Të gjithë duhet të bëjnë testet e tyre me ritmin e tyre cirkadian. Por e marrë herë pas here, melatonina mund të ndihmojë në përshpejtimin e rigjetjes së ekulibrit”, është shprehur Dr. Lee.

Shprehi të shëndetshme

Sipas ekspertes së gjumit, Diana McMillan, “orari i dimrit është më i përshtatshëm për trupin e njeriut, por kalimi në orarin veror mund të jetë një mundësi e mirë për të rivlerësuar shprehitë e fjetjes”. Ajo pohon gjithashtu se pasja e një rutinë para gjumit dhe minimizimi i marrjes së kafeinës dhe alkoolit krijon kushte për një gjumë më të mirë. Shmangia e ekraneve një deri në dy orë para gjumit dhe ulja e intensitetit të aktivitetit para se të shkohet në shtrat janë gjithashtu këshilla të rekomanduara nga ekspertët për të nxitur gjumin. Po kështu, ushtrimet fizike të përditshme gjithashtu mundësojnë një higjienë më të mirë të gjumit.

Ndryshime të pritshme ligjore

Në gjithë Amerikën e Veriut, vendimmarrësit politikë po shqyrtojnë mundësinë e dhënies fund traditës së ndyshimit të orës. Në Shtetet e Bashkuara, është depozituar tashmë një projekt-ligj i ri për suprimimin e kësaj praktikë sezonale. Javën e kaluar, senatori i Floridës, Marco Rubio, riparaqiti Sunshine Protection Act, i cili do t'u mundësonte shteteve aplikimin e përhershëm të orës verore.

Nëse miratohet, ky projekt-ligj do ketë efekte edhe në Kanada. Provinca si British Columbia dhe Ontario, parashikohet të marrin të njëjtin vendim. Kryeministri i British Columbia, David Eby, ka deklaruar se provinca e tij synon të jetë në sinkron me shtetet e bregut perëndimor të SHBA dhe mezi po e pret këtë ndryshim. Edhe në Québec, kryeministri François Legault, gjithashtu është shprehur se është i hapur për të diskutuar çështjen e suprimimit të ndryshimit të orës dy herë në vit.

Në Kanada, avancimi i orës ndodh në fundjavën e dytë të marsit, e më pas vendi kthehet në orën standarde të dielën e parë të nëntorit.

Avancimi i orës në dalje të dimrit pat qenë vendosur për të rritur produktivitetin gjatë Luftës së Parë Botërore.

© Flasshqip me informacion nga The Canadian Press dhe CBC