Kanada

Pierre Poilievre i kërkon qeverisë Trudeau të ulë taksat dhe kufizojë shpenzimet

  • Published in Kanada

Pak më shumë se dy javë nga data e paraqitjes së buxhetit të ri federal më 28 mars para Dhomës së Deputetëve, lideri i Partisë Konservatore të Kanadasë, Pierre Poilievre, i ka bërë thirrje dje (12.03.) qeverisë së kryeministrit Justin Trudeau të ulë taksat, të kufizojë shpenzimet dhe të lehtësojë kushtet për ndërtimin e banesave në vend.

Gjatë një konferencë shtypi në Ottawa, Poilievre ia atribuoi koston në rritje të jetesës “deficiteve inflacioniste që rrisin normat e interesit” dhe “taksave mbi karburantet që rrisin çmimet në pompat e benzinës”. Ai theksoi gjithashtu se qytetarët kanadezë, “pas tetë viteve mbretërimi të Justin Trudeau nuk po mund të paguajnë faturat e tyre për strehim, ushqim dhe energji”.

Duke iu referuar rezultateve të një studimi të Qendrës Kanadeze për Kërkime të Aplikuara dhe Sociale në Universitetin e Saskatchewan të botuar tetorin e kaluar, lideri i opozitës i ka kujtuar kryeministrit se “një në pesë kanadezë nuk arrin të ushqehet si duhet sepse ushqimi kushton shumë të shtrenjtë”. Ndërkohë, raporti i fundit i Bankës së Kanadasë, e vlerësoi rritjen e indeksit të çmimeve të konsumit gjatë janarit 2023 në 5.9%.

Në këto kushte, sipas Pierre Poilievre, zgjidhja më e mire për të ndihmuar familjet kanadeze është ulja e taksave. “Ne kemi nevojë për një sistem që shpërblen ata që punojnë”, deklaroi ai.

Kryetari i Partisë Konservatore Kanadeze ka kërkuar gjithashtu vendosjen e një kufiri ligjor për të kontrolluar shpenzimet shtetërore.

Nga Raporti financiar i qeverisë për vitin fiskal 2021-2022 rezulton se borxhi i Kanadasë arrin në 1134.5 miliardë dollarë, rreth 90 miliardë dollarë më shumë se një vit më parë. Megjithatë, borxhi është ulur në 45.5% të prodhimit të brendshëm bruto, krahasuar me 47.5% të një vit më pare, situatë që qeveria e ka justifikuar me vitet e pandemisë kur u zbatuan programe emergjente të ndihmës ekonomike.

Nisur nga ky realitet, për të krijuar mundësi për uljen e taksave dhe eliminimin e deficitit buxhetor, Pierre Poilievre propozoi shkurtimin e fondeve për CBC/Radio-Canada dhe “eliminimin e shpërdorimeve” duke paguar konsulentë me kosto të lartë, një aludim ky për firmën amerikane McKinsey, që gjatë qeverisjes Trudeau ka fituar 23 kontrata që arrijnë vlerën 101.4 milionë dollarë, 30 herë më shumë sesa në kohën e qeverisë Konservatore të kryeministrit Stephen Harper.

Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, lideri konservator ka trajtuar gjithashtu edhe krizën e banesave, duke e drejtuar gishtin edhe nga administratat lokale, burokracia e të cilave, sipas tij, po pengon përshpejtimin e ndërtimit të banesave të reja. “Kanadaja renditet e 64-ta në botë për sa i përket kohës që duhet për të marrë një leje ndërtimi. Nëse politikanët lokalë vonojnë ndërtimet, atëherë do të marrin më pak para për infrastrukturën, ndërsa nëse e shpejtojnë ndërtimin, do të marrin më shumë.”, pohoi ai. Kjo renditje është marrë nga versioni 2020 i Indeksit të Lehtësisë së të Bërit Biznes të Bankës Botërore dhe analiza bazohet kryesisht në të dhënat e Bashkisë Toronto.

© Flasshqip.ca me informacion nga The Canadian Press

Foto: The Canadian Press/Justin Tang