Toronto: Ish-kreu i Policisë së qytetit, Mark Saunders, kandidat për kryetar bashkie
- Published in Kanada

Pas dorëheqjes së kryetarit të Bashkisë Toronto, John Tory, 10 shkurtin e kaluar për shkak të një skandali, në metropolin kanadez do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme për kryetarin e ri më datën 26 qershor. Kandidaturat priten të regjistrohen nga data 3 prill deri më datën 12 maj, ndërkohë që mes datave 8 dhe 13 qershor qytetarët mund të votojnë edhe paraprakisht.
Ndërkohë kanë dalë dhe emrat e parë të kandidatëve që synojnë të ulen në kolltukun që la bosh John Tory. Ndër ta spikat emri i Mark Saunders, 61 vjeç, i cili ka drejtuar Policinë e Torontos nga viti 2015 deri në vitin 2020 dhe ka shërbyer në radhët e kësaj strukture 37 vjet. Në kushtet kur shumë qytetarë të metropolit shprehen të shqetësuar për gjendjen e sigurisë, veçanërisht në transportin publik, në vende publike apo edhe pranë shkollave, ish-kryepolici Saunders, në deklaratën për shpalljen e kandidaturës ka pohuar se siguria e qytetit do jetë prioriteti i tij numër një.

Sipas komenteve, Mark Saunders konsiderohet një kandidat serioz në garën për kreun e Bashkisë Toronto, jo vetëm për faktin së është një emër shumë i njohur për banorët e qytetit, por edhe sepse mendohet se ka mbështetjen e shumë anëtarëve të kabinetit të kryeministrit Doug Ford. Madje në zgjedhjet e fundit provinciale ai kandidoi si deputet i Partisë Progresiste-Konservatore, pa arritur megjithatë të fitojë garën në zonën Don Valley West (ish-zona e ish-kryeministres Kathleen Wynne), përballë liberales Stephanie Bowman
Përveç Mark Saunders, deri tani e kanë konfirmuar kandidimin për kreun e bashkisë, këshilltari bashkiak aktual i distriktit St. Paul, Josh Matlow si dhe Anthony Furey, gazetar i Toronto Sun. Ndërkohë pritet që listës së kandidatëve t’i bashkohet urbanisti i njohur Gil Penalosa, i cili u rendit i dyti pas John Tory-t në zgjedhjet e fundit si dhe Ana Bailão, këshilltare e distriktit Davenport 2010-2022 dhe zëvendëskrytare e Bashkisë Toronto nga 2017 deri më 2022. Kostoja e zgjedhjeve të parakohshme të 26 qershorit është llogaritur të shkojë rreth 13 milionë dollarë.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada; Toronto Star;












