Java Kanadeze - Lajme shkurt 26 mars 2023
- Published in Kanada

-British Columbia, Masonët kinezë festojnë 160 vjetorin e prezencës në Kanada
-Saskatchewan, mjekët e familjes kritikojnë buxhetin e ri provincial
-Nova Scotia, qeveria shtyn afatin për garantimin e çmimit tavan të qirave të banesave
-Québec, rreth 30,000 klientë të Hydro-Québec pa energji elektrike të shtunën gjatë natës
-Ontario, nis detyrën zyrtarisht kryepeshkopi i ri i Torontos, Franck Leo
British Columbia - Më shumë se 500 anëtarë të 19 degëve të Masonerisë kineze në Kanada janë mbledhur sot (26.03.) në selinë kombëtare në Vancouver, për një ceremoni rituale në vigjilje të 160 vjetorit të pranisë së organizatës së tyre në vend. Dega e parë kanadeze e kësaj organizate u themelua nga minatorët kinezë që punonin në Barkerville, rreth 200 km në juglindje të Prince George, British Columbia, në vitin 1863. Masoneria Kineze në Kanada drejtohet nga Cecil Fung. Dikur, në mesin e shekullit të 17-të, ajo u themelua në Kinë si një shoqëri sekrete me emrin Hongmen, që synonte të përmbyste dinastinë Quing dhe të rivendoste sundimin e dinastisë Ming. Dy shekuj më vonë, anëtarë të saj u vendosën fillimisht në California duke krijuar degën e tyre të parë në San Francisko në 1849, ndërsa 14 vite më vonë krijuan dhe degën në British Columbia. Organizata konsiderohet se ka luajtur një rol të madh në zhvillimin e komunitetit kinez në kontinentin e Amerikës së Veriut, veçanërisht duke ofruar shërbime të asistencës për imigracionin dhe duke promovuar kulturën kineze. Kjo organizatë njihet gjithashtu si përkrahëse e politikës zyrtare të Pekinit.

Cecil Fung
Saskatchewan - Organizata që përfaqëson mjekët e familjes në Saskatchewan ka deklaruar se buxhetit provincial, të publikuar të mërkurën e kaluar (22.03.), i mungojnë ndryshimet e nevojshme për t'i inkurajuar mjekët e kësaj kategorie të vazhdojnë të praktikojnë në provincë. Presidenti i Shoqatës Mjekësore të Saskatchewan, John Gjevre, i cituar nga Radio-Canada, është shprehur se qeveria nuk po bën mjaftueshëm për të reformuar sistemin e kujdesit shëndetësor, me qëllim që t'u japë më shumë akeses tek një mjek familjeje banorëve të provincës. Mjekët e Saskatchewan janë duke lobuar veçanërisht për një metodë të ndryshme shpërblimi dhe për një sistem të kujdesit shëndetësor të organizuar rreth ekipeve të drejtuar nga mjekë, ndër të tjera për të ulur ngarkesën administrative që rëndon mbi këta të fundit. Sipas Gjevre, fondet shtesë për shëndetin janë mirëpritur, por është zhgënjyese të shohësh provinca të tjera duke bërë ndryshime që ai shpresonte të shihte edhe në Saskatchewan. “Shumë mjekë largohen nga Saskatchewan drejt provincave të tjera, për shkak të kostove të larta të praktikës këtu”. Për shembull, Nova Scotia po mendon t'u ofrojë mjekëve një bonus për t'u siguruar që pacientët e tyre të marrin kujdes në kohë. Nga ana e saj, British Columbia tani ofron një model pagese më fleksibël për mjekët e saj, pasi u lejon atyre të paguhen sipas rëndësisë së problemeve mjekësore të pacientëve të tyre. Kolegji i Mjekëve dhe Kirurgëve të Saskatchewan i ka bërë thirrje gjithashtu qeverisë së Saskatchewan të ndryshojë mënyrën se si paguhen mjekët në provincë, duke theksuar se British Columbia është veçanërisht tërheqëse për të diplomuarit e rinj.

Ministri i Shëndetësisë Paul Merriman - Saskatchewan
Nova Scotia - Qeveria e provincës Nova Scotia e ka shtyrë afatin për kufirin e rritjes së qirave të banesave deri në fund të vitit 2025, por do t'i lejojë pronarët t'i rrisin ato më shumë se sa lejohet aktualisht. Në vend të 2%, rritja e qirasë do të kufizohet në 5% nga 1 janari 2024 deri më 31 dhjetor 2025, ndërsa deri më 31 dhjetor të këtij viti, rritja e lejuar do mbetet 2%. Sipa ministrit të Shërbimeve të Brendshme, Colton LeBlanc, duke ndryshuar këtë kufi, qeveria po përpiqet të arrijë një ekuilibër midis të drejtave dhe nevojave të qiramarrësve dhe atyre të pronarëve në kushtet e një situate inflacioni. Tavani i përkohshëm që kufizonte rritjen e qirasë në 2% pat qenë vendosur në nëntor 2020 nga ish-qeveria liberale e Stephen McNeil dhe kjo masë parashikohej të mbetej në fuqi për sa kohë province do ishte në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë. Edhe pse se ishte kundër kontrollit të qirasë, Partia Progresiste-Konservatore e kryeministrit Tim Houston e zgjati afatin për kufirin prej 2% në vjeshtën e vitit 2021, menjëherë pasi fitoi zgjedhjet.

Québec - Më shumë se 30,000 klientë të Hydro-Québec kanë mbetur pa energji elektrike gjatë natës nga mbrëmë deri sot në mëngjes (26.03.). Sipas njoftimit të korporatës shtetërore, Montérégie dhe Lanaudière janë rajonet më të prekura. Në përditësimin e orës 7 të mëngjesit, faqja internet e Hydro-Quebec njoftonte se 12,463 klientë janë të privuar nga energjia në Montérégie dhe 10,720 në Lanaudière. Hydro-Québec raportoi gjithashtu edhe 7,391 klientë pa energji elektrike në zonën qëndrore të provinces. Ndërprerjet filluan pak pas mesnate për shkak të disa difekteve, pa saktësuar nëse kushtet atmosferike ishin shkaku i tyre. Ndërkohë një paralajmërim për rreshje dëbore ka qenë në fuqi në disa rajone të Québec që nga mbrëmja e së shtunës. Në Ontario-n fqinje, të paktën 21,000 klientë janë raportuar pa energji elektrike për shkak të erërave të forta.

Ontario - Arqidioqeza e Torontos, më e madhja e Kishës Katolike në Kanada, prej të shtunës (25.03.) ka në krye një emër të ri, kryepeshkopin Franck Leo. Mesha e shugurimit të tij, ku ishin të pranishëm rreth 1,200 vetë, u zhvillua në bazilikën e katedrales Saint-Michael në qendër të metropolit, gjashtë javë pasi Papa Françesku e emëroi zyrtarisht kryepeshkopin Leo në këtë post. Kryepeshkopi i ri pason kardinalin Thomas Collins, i cili dha dorëheqjen në ditëlindjen e tij të 75-të në janar 2022, sipas një rregulli që thotë se të gjithë peshkopët duhet të ofrojnë dorëheqjen kur arrijnë atë moshë. Franck Leo u emërua për herë të parë peshkop në korrik 2022 dhe dy muaj më vonë kaloi në funksionin e zëvendëskryepeshkopit të Arqidioqezës së Montréal-it. Prelati ka lindur në Montréal në vitin 1971, nga prindër imigrantë italianë. Nga viti 1990 ai u pranua në Seminarin e Madh të Montréal dhe u shugurua prift në vitin 1996.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada












