Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 9 prill 2023

  • Published in Kanada

 

 

-British Columbia, Policia e Vancouver përditëson protokollin e përdorimit të prangave

-Alberta, zbulohen fosile që mendohet se hedhin dritë mbi transformimin e dinosaurëve në zogj

-Nova Scotia, krijohet regjistër provincial për banesat e dhëna me qira për turistët në rrjetin Airbnb

-Québec, kritika në adresë të Hydro-Québec për difektet dhe linjat elektrike të dëmtuara nga shiu i akullt

-Ontario, Bashkia Toronto parashikon lejimin e përdorimit të alkoolit në parqe

 

British Columbia - Pas një hetimi nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut e provincës dhe nga një komision i posaçëm, Policia e Vancouver njoftoi të premten (07.04.) se ka përditësuar zyrtarisht protokollin e prangosjes, që tashmë u kërkon oficerëve të policisë të marrin parasysh moshën, përkatësinë etnike dhe seriozitetin e një incidenti të dyshuar përpara se të prangosin një person. Ky njoftim zyrtarizon përfundimisht ndryshimet e përkohshme në këtë protokoll, pas një incidenti të ndodhur në maj 2021, me një ish-gjyqtar 81 vjeçar në pension dhe më pas me një qytetar që i përkiste një komuniteti autokton. Më 14 maj 2021, Selwyn Romilly, i pari gjyqtar nga komuniteti Black anëtar i Gjykatës së Lartë të Provincës British Columbia, ndërkohë që po shëtiste në Stanley Park, u vu në pranga dhe u ndalua nga 5 oficerë të policisë, ndërkohë që ata ishte vënë në kërkim të një personi me gjysmën e moshës së tij. Pas incidentit, Shefi i Policisë së Vancouver së bashku me kryetarin e atëhershëm të Bashkisë, Kennedy Stewart, i kishin kërkuar falje ish-gjykatësit Romilly.

Alberta - Një analizë kimike e lëvozhgave të vezëve të fosilizuara të Troodonit, një dinosaur mishngrënës me gjatësi një meter, që ka jetuar 75 milionë vjet më parë, ofron njohuri të reja se si dinosaurët jetuan, riprodhuan dhe evoluan për t'u shndërruar në zogj. Këtë e pohon një studimit i botuar të hënën e kaluar (03.04.) në revistën shkencore amerikane Proceedings of the National Academy of Sciences, studim që analizon lëvozhgat e vezëve të dinosaurëve të zbuluara në pjesën jugore të Alberta-s.  Sipas François Therrien, bashkëautor i këtij artikulli dhe paleontolog në Muzeun Mbretëror Tyrrell në Drumheller të kësaj provincë, i cituar nga Radio-Canada, studimi mund të japë shumë informacion rreth asaj që ndodhi gjatë këtij transformimi të një dinosauri tipik mishngrënës në një zog. Ai nënvizon se ky tranzicion ishte gradual, hipotezë që studiuesit e bazojnë tek ekzaminimi i ngjashmërive midis dinosaurëve, zvarranikëve dhe zogjve modernë. Ndërsa Darla Zelenitsky, profesoreshë e Paleobiologjisë së dinosaurëve në Universitetin e Calgary-t dhe gjithashtu anëtare e ekipit studimor, ka shpjeguar se kërkimet lënë të kuptohet se dinosauri i prodhoi vezët e tij shumë ngadalë, gjë që është tipike për zvarranikët modernë. Studiuesit ishin gjithashtu në gjendje të përcaktonin temperaturat e trupit të Troodon-it dhe kështu të kuptonin më mirë sistemin e tij riprodhues. Foletë e dinosaurëve, disa prej të cilave janë gjetur në dy vende në Alberta-n jugore, përmbanin deri në 24 vezë, çka sugjeron hipotezën që Troodonet femra vendosnin vezë në fole të përbashkëta.

Nova Scotia - Krahasuar me vitin e kaluar, numri i objekteve për akomodimin e turistëve në provincën Nova Scotia, përfshi dhe ata me qira afatshkurtra, është rritur në një masë të konsiderueshme. Tashmë ligji i detyron të gjithë pronarët e akomodimeve turistike me qira të regjistrohen në regjistrin provincial. Për herë të parë, që nga 1 prilli 2023, ky detyrim përfshin edhe personat që përdorin vendbanimin e tyre kryesor si akomodim me qira afatshkurtër, përmes platformës Airbnb. Deri në fillim te javës së kaluar, për vitin 2023-2024 ishin regjistruar 2988 banesa, nga vetëm 1720 të regjistruara në periudhën 2022-2023. Hotelet, motelet dhe akomodime të tjera të ngjashme të destinuara për turistët përfaqësojnë vetëm 13% të akomodimeve të regjistruara këtë vit. Ligji parashikon gjithashtu që pronarët e akomodimit të disponueshëm në platformat online, si Airbnb ose VRBO, të mbajnë një regjistër rezervimesh. Personat që nuk regjistrojnë objektin e tyre në regjistrin e provincës mund të gjobiten me 1000 dollarë në ditë dhe deri në 7500 dollarë në vit.

Quebéc - Edhe pse kanë kaluar 5 ditë qysh nga reshjet e shiut të akullt që lanë pa energji elektrike gati 1 milionë abonentë të Hydro-Québec, kryesisht në zonat rreth Montréal dhe në kufi me Ontarion, ende jo të gjitha dëmet janë riparuar. Deri në orën 13:30 të ditës së sotme (09.04.), numri i abonentëve pa energji llogaritej në 94,860, nga të cilët 65,841 në ishullin e Montréal-it. Në Montérégie 11,008 banesa ishin ende në pritje për t'u rilidhur, krahasuar me 11,548 në Outaouais, ndërsa në Laval pa energji ishin ende 5548 konsumatorë. Kompania ka deklaruar që deri sot në mbrëmje objektivi është të riparohen 95% e difekteve që ndodhën për shkak të shiut të akullt. “Pesë ditë pa energji elektrike, pa internet apo televizor, sigurisht dhe pa ujë të ngrohtë, pa frigorifer dhe pa ngrohje. Me kalimin e orëve, durimi shteron, kazanët e plehërave mbushen me ushqime të skaduara dhe një pyetje lind në mendjen e mijëra klientëve që janë ende pa energji: a mund t'i besojmë rrjetit të energjisë elektrike të Hydro-Quebec? Dhe mbi të gjitha, a e ka korporata kapacitetin e nevojshëm për t'u përballur me episodet e ardhshme të motit të keq, të cilët pritet të dhjetëfishohen për shkak të ndryshimeve klimatike?”. Kështu është shprehur dje në valët e Radio-Canada, përfaqësuesi i grupit të organizatave mjedisore për energjinë, Jean-Pierre Finet. Ai e kritikoi ashpër menaxhimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit nga kompania shtetërore Hydro-Québec, detyra e të cilës është të parashikojë dhe zvogëlojë risqet dhe dëmet kur ndodhin ngjarje të tilla. Ndërkohë, edhe Auditorja e Përgjithshme e Québec e pat vënë në pikëpyetje besueshmërinë e rrjetit të korporatës në fjalë disa muaj më parë. Në raportin e depozituar në Parlamentin provincial dhjetorin e kaluar, Guylaine Leclerc pat vënë në dukje se vetëm në vitin 2021, rreth dy milionë klientë ishin prekur nga ndërprerjet dhe kompania nuk ka bërë sa duhet për mirëbajtjen e zonave me vegjetacion pranë linjave të shpërndarjes apo transmetimit, përgjegjësi kjo e ndarë mes saj dhe bashkive përkatëse.

Ontario - Bashkia Toronto po shqyrton mundësinë që banorëve të qytetit t’u lejohet konsumimi i alkooli në parqe. Një projekt pilot mund të fillojë të aplikohet këtë verë nga 1 korriku deri më 9 tetor. Mocioni u prezantua javën e kaluar nga dy anëtarë të këshillit bashkiak, Shelley Carroll dhe Chris Moise. Ata u kërkojnë kolegëve dhe administratës së Bashkisë të marrë në konsideratë këtë propozim. Nëse mocioni pranohet në parim, çdo këshilltar bashkiak do të ketë zgjedhjen për ta aplikuar ose jo për zonën e tij zgjedhore. Këshilltarja e Don Valley North, Shelley Carroll, e cituar nga Radio-Canada, ka deklaruar se kjo nuk është një ide e re. Qysh vitin e kaluar është diskutuar ky opsion dhe ajo beson se, konsumi nëpër parqe ështe diçka që ekziston, sepse Bashkia në fakt nuk e ka zbatuar kurrë rregulloren në mënyrë rigoroze. Këshilltarja ka shprehur gjithashtu shqetësimin që diskutime të tilla shpesh zvarriten në këshillin bashkiak dhe nëse ky projekt pilot nuk do miratohet para Ditës së Kanadasë, ai mbetet të shtyhet për verën e vitit 2024.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada