Kanada

Québec, funeral madhështor për oficeren e policisë Maureen Breau që humbi jetën në krye të detyrës

  • Published in Kanada

Në qytetin Trois-Rivières të provincës Québec, është zhvilluar dje (13.04) funerali madhështor për përcjelljen në banesën e fundit të oficeres së Policisë Provinciale (Sûreté du Québec) Maureen Breau, ceremoni ku përveç qytetarëve dhe të afërmve, në një manifestim solidariteti të paprecedent kanë marrë pjesë rreth 4,000 policë nga i gjithë vendi, por edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Maureen Breau, humbi jetën më 27 mars gjatë një operacioni policor në Louisville, teksa po i vinte në ndihmë një kolegu dhe u godit për vdekje me thikë nga një person me probleme të shëndetit mendor. Sipas pohimeve të kolegëve të saj më të afërt, dita e fundit e patrullimit të saj në terren do të ishte 30 marsi, pasi ajo sapo ishte graduar hetuese në Sektorin e Krimeve të Rënda.

Maureen Brau, me eksperiencë 20 vjeçare në profesion, ishte nënë e dy fëmijëve dhe në 2 prill do të festonte ditëlindjen e saj të 43-të. Bashkëshorti i saj, Daniel Sanscartier, është gjithashtu oficer policie në radhët e Sûreté du Québec. Kjo është hera e parë në 33 vjet që një oficer i Sûreté du Québec humb jetën në detyrë gjatë një konfrontimi të dhunshëm dhe hera e parë që ky institucion organizon një funeral zyrtar. Një kolonë me oficerë policie e gjatë mbi një kilometër, marshoi nëpër rrugët e qytetit drejt bazilikës ku u zhvillua ceremonia e lamtumirës për kolegen e tyre.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada/Ivanoh Demers