Kanada

Kryeministri Trudeau viziton Kievin për herë të dytë që nga fillimi i luftës në Ukrainë

  • Published in Kanada

Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka zhvilluar sot (10.06.) një vizitë të shkurtër në kryeqytetin ukrainas Kiev. Kjo është vizita e tij e dytë qysh nga fillimi i luftës mes Rusisë dhe Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar. Kabineti i kryeministrit ka njoftuar se vizita kishte për qëllim riafirmimin e mbështetjes së tij ndaj presidentin Volodymyr Zelensky, përballë zhvillimeve dramatike në konfliktin mes tij dhe Rusisë. Kjo vizitë zyrtare e Justin Trudeau është planifikuar në fshehtësinë më të madhe për arsye sigurie dhe nuk ka informacion se me çfarë mjeti transporti ai ka hyrë në Ukrainë. Gjatë vizitës në Kiev, Trudeau u shoqërua nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja kanadeze e financave, Chrystia Freeland.

Ndalesën e pare kryeministri kanadez e bëri në qendër të Kievit, përballë manastirit të famshëm St. Michael's Golden-Domed, ku ndodhet edhe muri i kujtimit i ngritur në nderim të ushtarëve ukrainas që kanë rënë në luftën me Rusinë. Më pas ai u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe në konferencën e përbashkët për shtyp, Trudeau njoftoi, ndër të tjera, një ndihmë të re financiare prej 500 milionë dollarësh për Ukrainën, zgjatjen e pjesëmarrjes së Kanadasë në Operacionin UNIFIER deri në vitin 2026 për të ndihmuar në trajnimin e ushtrisë ukrainase, dërgesën e municioneve (288 AIM -7 raketa dhe 10,000 predha 105 mm) si dhe sanksione të reja kundër 24 personave dhe 17 subjekteve që mbështesin pushtimin rus.

Për të mbështetur popullsinë ukrainase pas më shumë se një viti konflikti, Kanadaja do të financojë gjithashtu disa projekte në fushën e shëndetit mendor në shumën prej 265,000 dollarësh si dhe do të drejtojë një pjesë të ndihmës së saj humanitare për të mbështetur zonat e përmbytura nga shkatërrimi i digës Kakhovka në lumin Dniepër.

Kryeministri Justin Trudeau mbajti edhe një fjalim para deputetëve të Parlamentit ukrainas ku ndër të tjera ka nënvizuar guximin dhe ndjenjën e sakrificës të popullit ukrainas si dhe dënoi edhe një herë pushtimin rus, duke theksuar se Vladimir Putin e nënvlerësoi vendosmërinë dhe unitetin e aleatëve dhe partnerëve demokratikë përballë autoritarizmit dhe brutalitetit. Ndër aleatët dhe partnerët, ai ka përmendur shtatë vendet e G7, 21 anëtarët e APEC, 24 anëtarët e G20, 31 anëtarët e NATO-s, 35 anëtarët e Organizatës së Shteteve Amerikane, 56 anëtarët e Komonuelthit si 88 shtete dhe qeveri të Frankofonisë.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Louis Blouin