Kanada

Çiklisti kanadez Michael Woods fiton etapën e 9-të në Tour de France

  • Published in Kanada

Çiklisti kanadez me origjinë nga Ottawa, Michael Woods, ka arritur dje (09.07.) suksesin më të madh të karrierës së tij sportive, duke fituar etapën e 9-të të Tour de France (edicioni 110), teksa mbërriti i pari në majën e famshme vullkanike Puy de Dôme, në lartësinë 1415 metra. Kjo është fitorja e tretë e një kanadezi në një nga etapat e këtij kompeticioni prestigjioz, pas Steve Bauer në vitin 1988 dhe Hugo Houle vitin e kaluar (2022). Woods ka fituar gjithashtu më pare dy etapa të Tour d’Espagne (2018, 2022) dhe një medalje bronzi në Kampionatin Botëror të Çiklizmit në vitin 2018.

Woods përshkoi distancën 182.4 km midis Saint-Léonard-de-Noblat dhe Puy de Dôme në 4 orë 19 minuta dhe 41 sekonda. Woods, garon aktualisht me fanellën e ekipit Israel-Premier Tech, drejtori sportiv i të cilit është pikërisht fituesi i vitit 1988, kanadezi Steve Bauer. Israel-Premier Tech, i përket miliarderit izraelito-kanadez Sylvan Adams, i lindur në Québec, filantrop shumë i njohur dhe i pasionuar pas çiklizmit, i cili ka investuar në veçanti që ky sport të zhvillohet në Izrael.

Pas fitores Woods ka deklaruar pë France2 që “ngjitja ishte shumë e vështirë dhe në fillim nuk e imagjinova se mund të fitoja, por mendova se duhej të jepja maksimumin tim”.  Me këtë sukses, çiklisti kanadez e shtoi emrin në një liste prestigjioze, së bashku me Fausto Coppi, fituesi i parë në Puy de Dôme në vitin 1952, Federico Bahamontes, i cili festoi ditëlindjen e tij të 94-të pikërisht dje dhe Luis Ocaña apo Lucien Van Impe, i kurorëzuar në vitin 1975.

Michael Woods, ka lindur më 12 tetor 1986 në Ottawa. Ai është diplomuar në Universitetin e Michigan ku pat fituar dhe një bursë si sportist. Para se të fillonte karrierën si çiklist në vitin 2013, Michael Woods ishte një atlet i distancave të mesme. Ai vendosi rekorde kombëtare në 1000 metra dhe 3000 metra si dhe fitoi medaljen e artë në 1500 metra në Kampionatin Pan Amerikan për të rinjtë në atletikë, në vitin 2005. Ai u tërhoq nga atletika pas një dëmtimi të këmbës së majtë dhe konkurroi në garën e tij të fundit si atlet në vitin 2007.

Tour de France është një garë çiklistike që organizohet qysh nga viti 1903 dhe prej asaj kohe është zhvilluar rregullisht çdo vit, përjashto vitet e dy luftrave botërore. I organizuar nga ASO (Amaury Sport Organisation) dhe i transmetuar nga rrjetet televizive në 190 shtete, Tour de France është evenimenti i tretë sportive më i shikuar në botë, pas Lojërave Olimpike Verore dhe Kampionatit Botëror të Futbollit.

Tour de France, Tour d’Italie dhe Tour d’Espagne, janë tre turnetë kryesore çiklistike. Tour de France është më i vjetri, konsiderohet si gara më prestigjioze nga të treja dhe më e madhja e çiklizmit në botë. Tradicionalisht, gara zhvillohet në muajin korrik. Edhe pse itinerari ndryshon çdo vit, formati i garës mbetet i njëjtë, me kalimin nëpër vargmalet e Pirenejve dhe Alpeve si dhe përfundimin në bulevardin Champs-Élysées në Paris. Edicionet moderne të Tour de France përbëhen nga 21 etapa të shpërndara në një periudhë prej 23 ditësh dhe mbulojnë afro 3500 kilometra. Fituesi i Tour de France në vitin 2022 ishte danezi Jonas Vingegaard Rasmussen.

© Flasshqip.ca me informacion nga Agence France-Presse

Foto: Reuters/Stephane Mahe