Kanada

Kanadaja përditëson protokollet e emergjencës në rast sulmi bërthamor

  • Published in Kanada

Sipas The Canadian Press, Kanadaja po përditëson aktualisht protokollet e emergjencës për përballimin e pasojave të një sulmi të mundshëm taktik bërthamor në Evropë, ose përhapjes së rrezatimit në territorin e saj në rastin e një shpërthimi të një termocentrali bërthamor në Ukrainë.

Memorandumet e brendshme të Public Safety Canada (ministria e Rendit Publik) tregojnë se masat e planifikuara përfshijnë përditësimin e një plani ultra-konfidencial, që parashikon mënyrën e funksionimit të qeverisë federale në rast të një krize madhore ekstreme. Informacioni që The Canadian Press ka siguruar bazuar në Ligjin për të Drejtën e Informimit, konfirmon gjithashtu se Ottawa ka nisur procedurat e përditësimit të një protokolli për njoftimin e publikut kanadez në rastin e hyrjes në territorin e vendit të raketave balistike.

Sulmi ushtarak rus i Ukrainës në shkurtin e vitit të kaluar nxiti një sërë diskutimesh dhe iniciativash federale të cilat synonin të siguronin që Kanadaja të jetë sa më e përgatitur për përballimin e pasojave të një aksidenti katastrofik bërthamor. Memorandumi i Public Safety Canada, i përgatitur përpara një takimi zyrtarëve të lartë të menaxhimit të emergjencave që është mbajtur në gusht 2022, lë të kuptohet se vëmendja kryesore përqendrohej tek termocentrali bërthamor në Zaporizhia të Ukrainës, që u godit nga bombardimet.

Nga ana e tyre, ekspertët dhe zyrtarët përgjegjës kanadezë patën parashikuar se efektet e mundshme të një çlirimi të pakontrolluar të radioaktivitetit, nëpërmjet ekspozimit të drejtpërdrejtë ose konsumit të ushqimit të kontaminuar, do të vareshin nga afërsia me centralin dhe për këtë arsye Global Affairs Canada bleu tableta jodur kaliumi si masë paraprake, ndërsa stoqet u shpërndanë në Kiev dhe misionet diplomatike kanadeze në vendet fqinjë më Ukrainën në gusht 2022.

Institucionet përgjegjëse për menaxhimin e emergjencave patën hartuar gjithashtu plane për një rritje të konsiderueshme të numrit të kërkesave për ndihmë konsullore pas një fatkeqësie në një termocentral bërthamor. Megjithatë sipas memorandumit të sipërpërmendur, nuk pritej asnjë efekt radioaktiviteti në shëndetin e njeriut jashtë Ukrainës si rezultat i emetimit të fortë të rrezatimit nga Zaporizhia.

Po kështu, sipas Planit Federal të Emergjencës Bërthamore, “Public Safety Canada do të koordinonte komunikimet me publikun në lidhje me një aksident ose sulm bërthamor me implikime ndërkombëtare. Një përgjigje në kohë dhe e mirë-koordinuar do të ishte e nevojshme për t’iu përgjigjur shqetësimeve të publikut, perceptimit të një rrezikut të lartë si dhe për të ruajtur besimin e qytetarëve tek qeveria”. Gjithashtu, në një situatë të tillë, parashikohet që Public Safety Canada dhe Privy Council Office (zyra që mbështet kryeministrin dhe kabinetin qeveritar) përditësojnë me shpejtësi planin e vazhdimit të funksionimit të organeve kushtetuese, që ka për qëllim të sigurojë mbarëvajtjen e funksioneve thelbësore të pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor në rast fatkeqësie ekstreme.

Zhvendosja e vendfunksionimit të institucioneve kryesore

Plani në fjalë parashikon dhe një proces për zhvendosjen e institucioneve kryesore, duke përfshirë Zyrën e Kryeministrit, Kabinetin Federal, Parlamentin dhe Gjykatën e Lartë, në një vend alternativ jashtë zonës së kryeqytetit federal.

Plani është një version modern i një programi të epokës së Luftës së Ftohtë, sipas të cilit anëtarët e qeverisë do të zhvendoseshin në një objekt nëntokësor në perëndim të Ottawa, i njohur tashmë si “Diefenbunker”, një emërtim që të kujton dhe emrin e kryeministrit të trembëdhjetë të Kanadasë, John Diefenbaker.

Memorandumi i Public Safety Canada konfirmon gjithashtu ekzistencën e një protokolli kombëtar të alarmit në rast hyrje të raketave balistike në hapësirën ajrore kanadeze, dokument i ratifikuar edhe nga provincat dhe territoret. Qeveria federale dhe Forcat e Armatosura Kanadeze e patën elaboruat këtë protokoll në vitin 2018 për të përcaktuar mënyrat me të cilat publiku dhe partnerët kryesorë federalë do të informoheshin.

Sipas Ed Waller, profesor në Universitetin Teknik të Ontarios dhe ekspert në fushën e sigurisë bërthamore, “është normale që një krizë si ajo që ka përfshirë një pjesë të Evropës t'i shtyjë zyrtarët përgjegjës kanadezë të përshpejtojnë rishikimin e planeve të emergjencës”. Waller ka pohuar gjithashtu që në përgjithësi, “duke pasur parasysh numrin e reaktorëve bërthamorë në territorin e saj, Kanadaja ka pasur prej kohësh plane të elaboruar si duhet për përballimin e një situate emergjence bërthamore, ”.

© Flasshqip me informacion nga The Canadian Press

Foto: Getty Images/Keith Binns