Kanada

Kanada: Ndryshon përbërja e qeverisë Trudeau, largohen 7 ministra të rëndësishëm

  • Published in Kanada

Ashtu siç ishte paralajmëruar prej dy ditësh nga mediat, kryeministri kanadez Justin Trudeau ka proceduar sot (26.07) përfundimisht me një numër ndryshimesh (7 të larguar dhe 7 ministra të rinj) dhe një rishpëndarje postesh në përbërjen e kabinetit të tij. Vetëm 8 nga 38 ministra nuk kanë ndryshuar portofol.

Justin Trudeau dhe ministri i Rendit Publik Dominic LeBlanc

Betimi i ministrave të rinj u zhvillua gjatë paradites në Rideau-Hall, në prezencë të Guvernatores se Përgjithshme, Mary Simon dhe sipas analistëve politikë, tri janë arsyet kryesore pse kryeministri kanadez e mori një vendim të tillë:

Së pari, muajt e fundit imazhi i qeverisë së tij në sytë e opinionit publik dukej mjaft i dobësuar për shkak të situatës ekonomike dhe inflacionit, por edhe për shkak të disa aferave, ku veçanërisht spikaste ndërhyrja e Kinës në punët e brendshme të Kanadasë dhe në procesin e zgjedhjeve federale të vitit 2019 dhe 2021. Një qeveri me fytyra të reja apo e riorganzuar në funksion të prioriteteve kryesore (ekonomia, strehimi, krijimi i vendeve të punës) dhe pritshmërive të kanadezëve, pretendohet ta përmirësojë ketë imazh.

Së dyti, rikompozimi i qeverisë shihet si një shenjë paralajmërimi për zgjedhje, në rastin më të afërt vitin e ardhshëm (Liberalët janë qeveri në minorancë që mbështeten nga NDP). Rifreskimi me emra të rinj pretendohet t’i japë një impuls partisë në pushtet në syte e elektoratit, veçanërisht në zonën e GTA (Greater Toronto Area), ku janë deputetë 5 nga 7 ministrat e rinj, zonë që mbetet përcaktuese në rast zgjedhjesh për partinë fituese. Po kështu, 4 nga 7 ministrat e larguar nga kabineti (Omar Alghabra, Carolyn Bennett, Helena Jaczek dhe Joyce Murray, kanë deklaruar se nuk do të rikandidojnë në zonat e tyre respektive. Marco Mendicino dhe Mona Fortier ndërkohë kanë pohuar se do të rikandidojnë dhe vetëm ish-ministri i Drejtësisë, David Lametti, nuk ka dhënë sqarime në se do të rikandidojë apo jo.

Së treti, pavarësisht faktit se zgjedhjet e ardhshme do jenë zgjedhjet e katërta për Partinë Liberale që është në pushtet prej vitit 2015, kyeministrit Trudeau ka dashur të japë mesazhin se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga kreu i partisë dhe nga drejtimi i betejës së ardhshme elektorale, edhe pse emra të tillë si Anita Anand, Chrystia Freeland apo François-Philippe Champagne, janë përfolur nga mediat si mëtonjës të postit të tij në rast dorëheqje para fundit të mandatit aktual.

Kabineti i riorganizuar Trudeau do ketë sërish 38 ministra, duke ruajtur paritetin e mëparshëm gjinor, 19 femra dhe 19 meshkuj.

7 deputetë hyjnë për herë të parë në qeveri, mes të cilëve edhe deputetja nga Québec Soraya Martinez Ferrada, e cila është caktuar ministre e Turizmit dhe ministre përgjegjëse e Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik të Kanadasë për rajonet e Québec. Pjesa tjetër e të graduarve vijnë nga GTA.

Ministri i Drejtësisë Arif Virani me familjen

Për rrjedhojë, 7 ministra janë larguar nga kabineti dhe pikërisht: David Lametti (Drejtësia), Marco Mendicino (Rendi Publik), Omar Alghabra (Transporti), Mona Fortier (Këshilli i Thesarit), Joyce Murray (Oqeanet, Peshkimi dhe Roja Bregdetare), Carolyn Bennett (Shëndeti Mendor dhe Varësitë) dhe Helena Jaczek (Shërbimet Publike dhe Furnizimi).

Ministri i Mbrojtjes Bill Blair

23 ministra kanë ndryshuar portofol: Anita Anand kaloi nga Mbrotja tek Thesari; Marie-Claude Bibeau, nga Bujqësia tëk të Ardhurat Kombëtare; Sean Fraser, nga Imigracioni tek Strehimi; Jean-Yves Duclos nga Shëndetësia tek Shërbimet Publike dhe Furnizimi; Pascale St-Onge, nga Sportet tek Trashëgimia Kanadeze; Ginette Petitpas Taylor, nga Gjuhët Zyrtare tek Veteranët dhe Karina Gould ka marrë gjithashtu funksionin e Liderit të qeverisë në Parlament.

Ministrat Champagne, Freeland dhe Ng

Ndërkohë, 8 ministra do vazhdojnë të drejtojnë të njëjtët dikastere, ndër të tjerë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Financave, Chrystia Freeland, ministrja e Punëve të Jashtme, Mélanie Joly, ministri i Inovacionit, Shkencës dhe Industrisë, François-Philippe Champagne dhe ministri i Ambientit dhe Ndryshimeve Klimatike, Steven Guilbeault.

Përbërja e re e qeverisë së Kanadasë

Kryeministër - Justin Trudeau

23 ministra ndyshojnë portofol:

Anita Anand - Presidente e Këshillit të Thesarit;

Marie-Claude Bibeau - Ministre e të Ardhurave Kombëtare;

Bill Blair - Ministër i Mbrojtjes Kombëtare;

Randy Boissonnault - Ministër i Zhvillimit të Punësimit dhe Gjuhëve Zyrtare;

Jean-Yves Duclos - Ministër i Shërbimeve Publike dhe Furnizimit;

Sean Fraser - Ministër i Strehimit, Infrastrukturës dhe Komuniteteve;

Karina Gould - Lidere e qeverisë në Dhomën e Deputetëve;

Mark Holland - Ministër i Shëndetësisë;

Ahmed Hussen - Ministër i Zhvillimit Ndërkombëtar;

Gudie Hutchings - Ministre e Zhvillimit Ekonomik Rural dhe ministre përgjegjëse e Agjencisë së Promovimit Ekonomik të Kanadasë Atlantike;

Kamal Khera - Ministre e Diversitetit dhe Përfshirjes se Personave me Aftësi të Kufizuara;

Dominic LeBlanc - Ministër i Rendit Publik, Institucioneve Demokratike dhe Ҫështjeve Ndërqeveritare;

Diane Lebouthillier - Ministre e Peshkimit, Oqeaneve dhe Rojes Bregdetare Kanadeze;

Lawrence MacAulay - Ministër i Bujqësisë Agroushqimore;

Marc Miller - Ministër i Imigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë;

Mary Ng - Ministre e Promovimit të Eksporteve, Tregëtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit Ekonomik;

Seamus O’Regan Jr. - Ministër i Punës dhe të Moshuarve;

Ginette Petitpas Taylor - Ministre e Veteranëve dhe ministre e asociuar e Mbrojtjes Kombëtare;

Carla Qualtrough - Ministre e Sporteve dhe Aktivitetit Fizik;

Pablo Rodriguez - Ministër i Transporteve;

Harjit S. Sajjan - President i Këshillit Privat të Mbretit, ministër i Mbrojtjes Civile dhe ministër përgjegjës i Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik të Paqësorit Kanadez;

Pascale St-Onge - Ministre e Trashëgimisë Kanadeze;

Jonathan Wilkinson - Ministër i Energjisë dhe Burimeve Natyrore;

7 ministra të rinj hyjnë në qeveri:

Gary Anandasangaree - Ministër për Marrëdhëniet Kurorë-Autoktonë;

Terry Beech - Ministër i Shërbimeve ndaj Qytetarëve;

Soraya Martinez Ferrada - Ministre e Turizmit dhe ministre përgjegjëse e Agjencisë së Zhvillimt Ekonomik të Kanadasë për rajonet e Quebéc;

Ya’ara Saks - Ministre e Shëndetit Mendor, Varësive dhe ministre e asociuar për të Moshuarit;

Jenna Sudds - Ministre e Familjes, Femijëve dhe Zhvillimit Social;

Rechie Valdez - Ministre e Ndërmarrjeve të Vogla;

Arif Virani - Ministër i Drejtësisë dhe Prokuror i Përgjithshëm i Kanadasë;

8 ministra vazhdojnë drejtimin e dikastereve si më parë:

Chrystia Freeland - Zëvendëskryeministre dhe ministre e Financave;

François-Philippe Champagne - Ministër i Inovacionit, Shkencës dhe Industrisë;

Steven Guilbeault - Ministër i Ambientit dhe Ndryshimeve Klimatike;

Patty Hajdu - Ministre e Shërbimeve ndaj Autoktonëve dhe ministre përgjegjëse e Agjencisë Federale të Zhvillimit Ekonomik për Veriun e Ontario-s;

Marci Ien - Ministre e Gruas, Barazisë Gjinore dhe Rinisë;

Mélanie Joly - Ministre e Punëve të Jashtme;

Filomena Tassi - Ministre përgjegjëse për Agjencinë Federale të Zhvillimit Ekonomik për Jugun e Ontario-s;

Dan Vandal - Ministër i Ҫështjeve të Veriut, ministër përgjegjës për  Zhvillimin Ekonomik të Prarive dhe ministër përgjegjës për Zhvillimin Ekonomik të Veriut.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada/Reuters/The Canadian Press