Kanada-Ukrainë: 650 milionë dollarë ndihmë ushtarake shtesë nga Ottawa
- Published in Kanada
Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky e ka përfunduar dje në mbrëmje (22.09.) në Toronto vizitën e tij të dytë zyrtare në Kanada, pas eventit që u zhvillua në Fort York Armoury ku morën pjesë rreth 1,000 të ftuar, mes të cilëve dhe përfaqësues të diasporës ukrainase-kanadeze.
Gjatë ndalesës në Ottawa, ku Zelensky u mirëprit ngrohtësisht edhe në Dhomën e Komunave, kryeministri Justin Trudeau rikonfirmoi mbështetjen e qeverisë kanadeze për Ukrainën duke njoftuar edhe një ndihmë ushtarake shtesë prej 650 milionë dollarësh. Kjo paketë e re, i cila do të ofrohet në një periudhë tre vjeçare, do t'i furnizojë Ukrainës 50 automjete të blinduara, duke përfshirë automjete të evakuimit mjekësor. Kanadaja gjithashtu do të dërgojë ushtarakë për të trajnuar forcat ajrore ukrainase për drejtimin dhe mirëmbajtjen e avionëve F-16-të që janë transferuar tashmë atje.

“Ne po e orientojmë qasjen tonë për të ofruar ndihmë shumëvjeçare, duke siguruar që Ukraina të ketë mbështetjen e parashikueshme që i nevojitet për sukses afatgjatë. Rezistenca e Ukrainës ka qenë e jashtëzakonshme, por ekonomia e saj ka nevojë për mbështetje për të përballuar pushtimin. Qeveria duhet të ketë burime të mjaftueshme për të ndihmuar popullsinë, prandaj ne do të ofrojmë edhe mbështetje makroekonomike gjatë vitit fiskal 2024-2025”, pohoi Trudeau gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas.
Dy liderët nënshkruan gjithashtu një marrëveshje të tregtisë së lirë e cila do të mbështesë zhvillimin ekonomik të Ukrainës dhe do t'u japë kompanive kanadeze akses të privilegjuar si dhe do të krijojë vende pune, detajoi kryeministri kanadez. Gjithashtu, Justin Trudeau njoftoi edhe mbështetje për shërbimet e shëndetit mendor për popullin ukrainas.

Përpara deklarimit të djeshëm për një paketë shtesë, Kanadaja ka dhënë tashmë më shumë se 8.9 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, duke përfshirë 5 miliardë dollarë mbështetje direkte financiare dhe 1.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake. Kjo përfshin, tanke Leopard 2, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe artileri, automjete të blinduara si dhe municione.
Kanadaja ka mirëpritur gjithashtu 175,000 ukrainas që nga fillimi i luftës. “Faleminderit që i keni bërë ukrainasit të ndihen si në shtëpinë e tyre”, u shpreh Zelensky gjatë fjalimit të tij para deputetëve kanadezë. Kanadaja është streha e komunitetit të dytë më të madh të diasporës ukrainase në botë pas Rusisë. Jo më pak se 1.4 milionë kanadezë kanë deklaruar në censin e fundit se kanë origjinë ukrainase, çka përbën gati 4% të popullsisë në vend.

Në fillim të programit zyrtar dje në mëngjes ishte Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë Mary Simon që u takua me Volodymyr Zelensky-n, një takim që ajo e quajti “historik”.
“Nuk do ta harroj kurrë momentin kur e dëgjova presidentin Zelensky në Dhomën e Komunave të përdorte fjalën inuktitut “ajuinnata” - që do të thotë “kurrë mos u dorëzo përballë furtunës” - për të përcjellë mesazhin e shpresës te populli i tij”, lexohej ndër të tjera në deklaratën zyrtare të Guvernatores së Përgjithshme pas takimit.
© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Fotot: The Canadian Press/Adrian Wyld; Reuters/Blair Gable












