Kush është Wab Kinew, i pari autokton që do drejtojë një province kanadeze?
- Published in Kanada

Pas zgjedhjeve që u zhvilluan të martën e kaluar, 3 tetor 2023, ish-reperi dhe gazetari, njëherazi kryetar i New Democratic Party (NDP) të Manitoba, Wab Kinew, do jetë përfaqësuesi i parë i një komuniteti autokton që do drejtojë një provincë në Kanada.
Wab (Wabanakwut) Kinew, 41 vjeç, është djali i një shefi të madh rajonal të Traktatit 3, Tobasonakwut Kinew (R.I.P.) dhe i Kathi Avery Kinew PhD, analiste politike. Ai i ka kaluar vitet e para të fëminisë në komunitetin autokton Ojibway të Onigaming, pranë Kenora, në Ontario.
Prindërit e Wab Kinew ishin një çift i mirëarsimuar dhe ata synonin të njëjtën gjë edhe për djalin e tyre. Për këtë arsye, kur Wab arriti në moshën shkollore ata u vendosën në Winnipeg. Wab u rrit në një lagje të pasur në pjesën jugore të Winnipeg dhe ndoqi Kolegjin Béliveau, një shkollë me program pjesërisht frankofon, ndaj dhe sot ai flet rrjedhshëm anglisht, frëngjisht dhe ojibwe.

Wab Kinew me babain e tij Tobasonakwut Kinew
Wab Kinew është diplomuar për ekonomi në Universitetin e Manitoba-s dhe më pas ka përfunduar studimet në nivel master në programin qeverisje autoktone.
Dikur probleme me ligjin
Në një intervistë për The Canadian Press në vitin 2016, kur u zgjodh lider i NDP, Wab Kinew pat pohuar se në fillim të viteve 2000, ndërkohë që ishte rreth 20 vjeç dhe ende student, ai kish zgjedhur një stil jetese që ai vetë e cilësoi si “stil vetëshkatërrues që e çoi në varësi dhe dhunë, poshtë e më poshtë në planin personal”.
Pikërisht në ato vite ai u bë dhe subjekt i drejtësisë për shak të disa veprave penale. Kështu, ai u akuzua për drejtimin e automjetit në gjendje të dehur si dhe për dhunë të ushtruar ndaj një shoferi taksie, fakte të cilat ai i pranon edhe në librin e tij “The Reason You Walk”, botuar në vitin 2015, veprime për të cilat ai ka kërkuar falje disa herë.

Megjithatë, dokumentet e gjykatës japin një version më pak të zbutur të asaj që ai rrëfen në libër, duke përfshirë edhe sulmin ndaj shoferit të taksisë, gjatë të cilit ai dyshohet se shprehu fyerje raciste dhe e goditi atë me grusht në fytyrë. Më pas, në vitin 2016, Wab Kinew-it iu akordua falje për dënimet e tij penale nga autoritetet përkatëse kanadeze. Sipas The Canadian Press, libri i tij gjithashtu nuk përmend dy akuza për dhunë ndaj partneres së tij në vitin 2003. Akuzat u pezulluan disa muaj më vonë dhe Wab Kinew gjithmonë e ka mohuar të ketë ndodhur një gjë e tillë.
Artist i njohur
Wab Kinew është gjithashtu një muzikant i njohur në botën e repit. Në fund të viteve 1990, ai formoi grupin Dead Indians. Edhe pse grupi nuk publikoi kurrë një album të plotë, mëgjithatë realizoi shumë çfaqje në Amerikën e Veriut dhe preferohej nga të rinjtë e komuniteteve autoktonë. Më vonë, Kinew publikoi dy albume solo, përfshirë Live by The Drum, për të cilin fitoi çmimin si albumi më i mirë Rap/Hip-Hop në Indigenous Music Awards.

Disa vite më vonë, atij iu desh të përballej me kritika ndaj teksteve të këngëve të tij, të cilësuar si mizogjine dhe homofobe, fakt për të cilin ai gjithashtu ka kërkuar falje disa herë. Kritikat ndaj tij u bënë publike në vitin 2016, kur ai kandidoi për postin e kryetarit të NDP Manitoba.
T’i japësh vetes një shans të dytë
Para se të niste karrierën politikë, Wab Kinew punonte si gazetar pranë CBC në Winnipeg. Ai ka drejtuar veçanërisht disa emisione, duke përfshirë The 204 dhe serinë dokumentare 8th Fire. Më pas ai u punësua nga Universiteti i Winnipeg si drejtori përgjegjës për përfshirjen e autoktonëve. Ai ishte gjithashtu kryetari i parë i Bordit Këshillimor Autokton të kryebashkiakut të Winnipeg, Brian Bowman, bord i krijuar pas një artikulli të revistës Maclean që e cilësonte kryeqytetin e Manitoba-s si qytetin më racist në Kanada.

Wab Kinew me nënën e tij Kathi Avery Kinew
Vendimin për t’u marrë me politikë Wab e mori pasi mbushi 30 vjeç, dhe siç e shpjegon ai vetë, kjo ndodhi sepse krijoi bindjen se vetëm përmes politikës mund të ndikonte për të avancuar përpara disa kauza të rëndësishme.
Wab Kinew u frymëzua gjithashtu nga historia familjare e gruas së tij, Lisa Monkman, me profesion mjeke familjeje, nëna e të cilës në vitet 80-të jetonte me ndihmë sociale. Ishte pikërisht një program qeveritar që e nxori familjen e saj nga varfëria dhe i ofroi arsimim dhe karrierë gruas së kryeministrit të ri të Manitoba-s.
“Trajektorja e jetës së tyre u ndryshua për mirë falë punës së tyre të palodhur, mbi të gjitha, por edhe falë disa ndërhyrjeve të politikave publike që u bënë në atë kohë”, rrëfeu Wab Kinew në një intervistë për The Canadian Press së fundmi, pak kohë para zgjedhjeve.

Kinew dhe Monkman u martuan më 27 shtator 2017. Nga martesa e tyre lindi një djalë në maj të vitit 2018. Kinew ka dhe dy djem të tjerë nga një lidhje e mëparshme.
Tashmë 40-vjeçar, Wab Kinew pohon se ai e ndryshoi plotësisht jetën e tij disa vite më parë dhe kjo ishte arsyeja pse ai kandidoi për kryeministër. “Mendoj se ia kam arritur të kem një shans të dytë në jetë dhe besoj se kam një eksperiencë për të kontribuar në mënyrë që ne t'i bëjmë gjërat më mire”.
© Flasshqip.ca me informacion nga The Canadian Press
Foto: Radio-Canada/Mario de Ciccio; CTV News; Wab Kinew Page Facebook












