Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 06. 02. 2022

Isabelle Weidemann, medalistja e pare kanadeze në Pekin

(Bronz, 3000m patinazh shpejtësie)

 

British Columbia, disa të plagosur në Pemberton si pasojë e orteqeve

Alberta, Gjykata urdhëron vaksinimin e një fëmijë kundër vullnetit të babait

Në provincat e Altantikut nis rimëkëmbja pas stuhisë së madhe të dëborës

Prince Edward Island, në listë pritje prej shtatë vjetësh për mjek familjeje

Toronto, ndahet nga jeta ish-drejtuesi i “Toronto Star” John Honderich

Pekin, nisin Lojërat Olimpike Dimërore ku marrin pjesë 215 atletë kanadezë

 

British Columbia, disa të plagosur në Pemberton si pasojë e orteqeve

Të paktën pesë persona u plagosën nga dy ortekë ditën e djeshme (05.02) në afërsi të Pemberton, British Columbia. Dy prej tyre në gjendje kritike u transportuan me helikopter në Spitalin e Përgjithshëm të Vancouver, ndërsa një i tretë po trajtohet në një klinikë në Whistler, rreth 30 kilometra nga Pemberton. Mjekët e Ndihmës Mjekësore mbërritën në vendngjarje rreth orës 13:00. Në ndihmë të të plagosurve u përdorën katër autoambulanca dhe një helikopter. Pemberton është një fshat turistik me rreth 2500 banorë në distancë rreth 150 km nga Vancouver.

 

Alberta, Gjyakata urdhëron vaksinimin e një fëmijë kundër vullnetit të babait

Me vendim gjyqi, një nënë në Alberta ka fituar kontrollin e plotë mbi vendimet mjekësore për fëmijën e saj të imunokompromentuar, pasi babai i djalit nëntë vjeçar refuzoi ta vaksinonte atë kundër COVID-19. Babai gjithashtu kish vënë në dyshim efektshmërinë e trajtimeve kundër leuçemisë ndaj fëmijës. Gjyqtarja Anna Loparco e Gjykatës së Mbretëreshës në Alberta, i akordoi nënës së fëmijës autoritetin për të marrë vendime për kujdesin e tij shëndetësor, duke deklaruar se kundërshtimet e babait bazoheshin në teori konspirative dhe informacione të pasakta mjekësore. Në vendimin e saj, gjyqtarja Loparco kujtoi që fëmija vuan nga astma, që ai u diagnostikua me leuçemi në vitin 2019 dhe megjithëse vlerësohet që po rikuperohet, trajtimet e tij duhet të vazhdojnë deri në shtator 2022. Fillimisht, prindërit e djalit bashkëpunuan për ta lejuar atë të merrte trajtimet e tij për sëmundjen, por gjithçka ndryshoi në shkurt 2021. Sipas dëshmisë së nënës, babai i fëmijës i thoshte asaj se kishte përshtypjen që kanceri ishte i rremë dhe trajtimi ishte thjesht një mënyrë që qeveria të pasuronte kompanitë farmaceutike, lexohet në vendimin e gjykatëses Loparco, madje babai nuk pranoi t'i jepte djalit të tij pilulat e kimioterapisë, duke preferuar të konsultohej me një mjek natyropat.

 

Në provincat e Altantikut nis rimëkëmbja pas stuhisë së madhe të dëborës

Situata po i kthehet normalitetit, në provincat e Atlantikut, pas një stuhie të fortë dimërore që i përfshiu ato këtë javë, ndërmjet të enjtes në mbrëmje dhe të shtunës në mesditë. Ndërsa në pjesën më të madhe të New Brunswick dhe Prince Edward Island ranë rreth 50 cm dëborë, në Nova Scotia dominoi shiu i akullt. Ndërkohë stuhia ka vazhduar dhe sot (06.02) në Newfoundland dhe Labrador, ku ka në rënë rreth 45 cm dëborë dhe ku temperatura në disa zona, sipas paralajmërimit të Environment Canada, pritej të zbriste deri në minus 46 gradë Celsius. Në gadishujt Burin dhe Avalon parashikohej gjithashtu deri në 90mm shi i akullt. Si zakonisht, stuhia ka shkaktuar probleme në qarkullimin rrugor dhe ndërprerje të energjisë elektrike në zona të caktuara. Ndërkohë vazhdojnë kudo operacionet për hapjen e rrugëve dhe rilidhjen e energjisë elektrike.

 

Prince Edward Island, në listë pritje prej shtatë vjetësh për mjek familjeje

Prej shtatë vitesh, në Prince Edward Island, një familje emigrantësh nga Rusia është ende në kërkim të një mjeku familjar, pas regjistrimit në listën e pritjes të provincës. Madje kryefamiljari Anton Mizerin, i cituar nga Radio-Canada, vuri në dyshim nëse emigrantët janë në disavantazh, apo jo, kur kërkojnë një mjek familjar dhe ka pohuar se shumë emigrantë janë në të njëjtën situatë si familja e tij. Si kudo gjetkë në Kanada, Prince Edward Island përdor një regjistër pacientësh, në të cilin duhet të regjistrohen të gjithë ata që nuk kanë një mjek familjar dhe atyre u caktohet një mjek sipas parimit firts come, first served. Mungesa e aksesit tek mjeku i familjes nuk është një problem i ri në ishull, sikurse dhe në disa province të tjera (në Québec janë mbi 900,000 të tillë). Aktualisht rreth 22,000 banorë janë të regjistruar aty në listën e pritjes.

 

Toronto, ndahet nga jeta ish-drejtuesi i “Toronto Star” John Honderich

Është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare Jon Honderich, ish-botuesi, kryeredaktori dhe kryetari i bordit të drejtorëve të “Toronto Star”, njoftoi e përditshmja dje në mbrëmje (05.02). John Honderich, me profesion avokat dhe gjithashtu i diplomuar në shkencat ekonomike dhe politike, sipas “Toronto Star” ishte një drejtues dhe financues mediash, por mbi të gjitha një i pasionuar i flaktë për gazetarinë, i bindur që gazetat kishin rëndësi jetike për një qytet dhe një komb. Honderich e nisi punën fillimisht si reporter për “Toronto Star” dhe familja e tij e zotëronte pjesërisht gazetën nga viti 1948 deri në vitin 2020. “Ai besonte se përmes angazhimit në favor të drejtësisë sociale dhe ekonomike, “The Star” mund ta bënte shoqërinë tonë më të drejtë dhe demokracinë tonë më të forte”, thuhet në artikullin e të përditshmes. Në rrjetet sociale gjithashtu homazhet kanë qenë të shumta. Shumë gazetarë vlerësuan kontributin e tij në botën mediatike dhe shprehën trishtimin për ndarjen e tij nga jeta. Kryetari i Bashkisë së Torontos, John Tory, vlerësoi veçanërisht përkushtimin e John Honderich për qytetin.

 

Pekin, nisin Lojërat Olimpike Dimërore ku marrin pjesë 215 atletë kanadezë

Siç ishte njoftuar, në mungesë të një delegacioni zyrtar shtetëror kanadez, kanë nisur të premten (04.02) Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022, pas një ceremonie hapjeje, ku binte në sy sipas Agence France Press, “modernizmi dhe maturia”. Presidenti kinez Xi Jinping, me formulën e zakonshme “Deklaroj se Lojërat Olimpike të 24-ta Dimërore janë të hapura”, njoftoi fillimin e eventit që e futi Pekinin në historinë olimpike, duke u bërë qyteti i parë që organizon Lojërat Verore dhe Dimërore. I udhëhequr nga atletët Marie-Philip Poulin dhe Charles Hamelin, delegacioni olimpik kanadez në përbërje të të cilit janë 215 atletë dhe 85 trajnerë, hyri në Stadiumin Kombëtar të Pekinit, i mbiquajtur “Foleja e Zogut”. Sipas Komitetit Olimpik Kanadez, ky është delegacioni i tretë më i madh i vendit në Lojërat Olimpike Dimërore dhe 106 atletë në përbërje të tij janë femra (totali më i madh i tillë në historinë e Lojërave Olimpike Dimërore). Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 do të vazhdojnë deri më 20 shkurt. Rreth 2,900 atletë nga 90 komitetet olimpike kombëtare ndodhen aktualisht në kryeqytetin kinez. 109 konkurimet në shtatë lloj sportesh olimpike dimërore, do të zhvillohen në 13 ambiente garash të shpërndara në tre zona: Pekin, Yanqing dhe Zhangjiakou.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada, Reuters, USA Today