Java Kanadeze - Lajme shkurt 20 Mars 2022
Ottawa, zgjatet me 3 vjet leja emergjente e qëndrimit për refugjatët ukrainas
Ontario, kryeministri Doug Ford shkon në Washington për bisedime në fushën e tregëtisë
British Columbia, rritje e konsiderueshme e qirave të banesave në Vancouver
Alberta, jugu i provincës, vendi perfekt për të admiruar faunën në dimër
Manitoba, burokracia administrative vonon mbërritjen e refugjatëve ukrainas
Québec, Këshilli i Bashkisë së qytetit rihap më në fund dyert për publikun
Montréal, krijohet një qendër e specializuar për shëndetin mendor të adoleshentëve
Nova Scotia, fregata Halifax niset në mbështetje të misionit të NATO
Prince Edward Island, gjatë vitit 2021 çmimi i shtëpive u rrit 8,5%
Newfoundland, aprovohet projekti për hapjen e një miniere ari

Kulla e paqes, Parlamenti Federal Ottawa - Foto Chris Wattie
Ottawa - Qeveria kanadeze e ka zgjatur në tre vjet afatin e lejeve të qëndrimit për ukrainasit që kërkojnë strehim për shkak të luftës me Rusinë. Dy javë pas shpalljes së krijimit të një programi udhëtimi urgjent për refugjatët ukrainas dhe sipas njoftimit të Ministrit Federal të Imigracionit Sean Fraser, Immigration Canada nisi aplikimet në internet të enjten e kaluar (17.03). Kërkesat për qëndrim të përkohshëm - të cilat janë pa pagesë - mund të dorëzohen online nga kudo në botë prej ukrainasve dhe anëtarëve të familjes së tyre të afërt. Kështu, personat që do të mbërrijnë në Kanada do konsiderohen ligjërisht të zhvendosur, në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Gjatë qëndrimit në vend, ukrainasit do të përfitojnë leje pune menjëherë pas mbërritjes, leje studimi si dhe akses në kujdesin shëndetësor. Në Québec, ata do të kenë akses në Regjimin Provincial të Sigurimit Shëndetësor, mundësi pajisjeje me leje drejtimi automjeti dhe shërbime të subvencionuara për kujdesin ndaj fëmijëve.
Ontario - Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, do të udhëtojë drejt Washington-it nesër (21.03) për takime të nivelit të lartë me zyrtarë të administratës Biden dhe drejtues biznesi. Udhëtimi, në një deklaratë të publikuar nga qeveria provinciale, përshkruhet si një mision tregtar që synon tërheqjen e specialistëve të kualifikuar në Ontario. Deklarat nënvizon gjithashtu edhe dëmin e shkaktuar nga politikat proteksioniste të SHBA. Sipas Ford, siç citohet në deklaratën e qeverisë, “ndërsa punojmë për të tërhequr më shumë punëtorë të kualifikuar dhe për të ndërtuar rrugët, autostradat, urat dhe infrastrukturën e tranzitit publik të nevojshëm për të çuar përpara ekonominë tonë, ne do të takohemi me disa nga partnerët tanë më të afërt për të riafirmuar potencialin e pashembullt ekonomik të Ontarios”. Kjo do të jetë vizita e parë e Kryeministrit Ford në Shtetet e Bashkuara, që kur protestuesit bllokuan urën Ambassador në Windsor, duke ndërprerë korridorin jetik tregtar për ditë të tëra dhe duke shkaktuar humbje prej miliona dollarësh. Programi zyrtar i vizitës përfshin takime me Marisa Lago, Nënsekretaren për Tregtinë Ndërkombëtare dhe Daniel Watson, Zëvendës Përfaqësuesi Tregtar i SHBA-së për Hemisferën Perëndimore. Kryeministri Ford do të marrë pjesë edhe në një tryezë të rrumbullakët me anëtarë të Këshillit Amerikano-Kanadez të Biznesit.

Kryeministri i Ontarios Doug Ford - Foto Chris Young
British Columbia - Sipas klasifikimit National Rent Rankings të qyteteve kanadeze, që realizohet nga Website rentals.ca, në 6 muajt e fundit, qiratë e banesave në Vancouver dhe Victoria janë rritur më shumë se 20%. Sipas të njejtit burim, Vancouver aktualisht ka çmimin mesatar më të lartë të qirave në rang Kanadaje. Për një apartament me një dhomë gjumi, mesatarja e qirasë mujore është 2,239$, ndërsa për një apartament me dy dhoma gjumi 3,050$. Në Victoria, aktualisht një apartament me një dhomë gjumi kushton mesatarisht 1,661$, ndërsa një me dy dhoma gjumi 2,667$. Për krahasim me Calgary (provinca Alberta, në kufi me British Columbia) që renditet në vendin e 26-të, një qiramarrës aty duhet të paguajë për një apartament me një dhomë gjumi mesatarisht 1,300$, ndërsa për dy dhoma gjumi 1,500$. Sipas autoriteteve të British Columbia, shkaku i qirave të larta, është numri gjithnjë në rritje i personave që vendosen me banim atje, si dhe fakti që numri i apartamenteve të lira në dispozicion në qytetet e mëdha është nën shifrën 1%.
Alberta - Sipas specialistit naturalist Brian Keating në Calgary, i cili ka zhvilluar një udhëtim vëzhgues në Medicine Hat dhe Cypress Hills, aktualisht një nga vendet më të përshtatshmë për organizuar një safari dhe për të shijuar e njohur nga afër faunën e Alberta-s është pjesa jugore e provincës. Në sezonin e dimrit aty vazhdojnë të qëndrojnë vetëm një numër i kufizuar shpendësh, veçanërisht ata që i rezistojnë të ftohtit, si një lloj bufi i quajtur Nyctal, shqiponja, patat apo tetrat bishtmprehta. Po kështu dhe antilopat e Amerikës, drerët bishtbardhë (Virginia cerfs) dhe një lloj ketri i quajtur spermophilus, kafshë të cilat lëvizin zakonisht në grup.

Tetra bishtmprehtë - Foto Brian Keating
Manitoba - Nga Winnipeg raportohet se disa pengesa serioze administrative, që lidhen kryesisht më gjuhën dhe logjistikën, vazhdojnë të jenë shkak vonese për mbërritjen e refugjatëve nga Ukraina, megjithë programin e përshpejtuar që nisi të vihet në zbatim nga Ottawa të enjten e kaluar (17.03). Për të plotësuar formularin e Autorizimit të Udhëtimit Emergjent Kanada-Ukrainë, duhet të paraqiten disa dokumente në lidhje me arsimin, shërbimin ushtarak ose historinë e punësimit. Këto dokumente janë të vështira për t'u paraqitur në kohë lufte, sipas Nick Krawetz, një kanadez me origjinë ukrainase, i cili bashkëpunon prej shtatë vjetësh me administratën federale për të lehtësuar imigrimin e ukrainasve në Kanada. Njerëzit kanë ikur me nxitim prej luftës dhe në shumë raste nuk i disponojnë këto dokumete, pa folur për referencat në internet nëpër të cilat duhet naviguar, që edhe për dikë me anglishten gjuhe amtare nuk janë të lehta për t’u orientuar. Mijëra ukrainas vazhdojnë të kontaktojnë Kongresit Ukraino-Kanadez, aq sa nënkryetari i degës në Manitoba, Dimytro Malyk, i ka deklaruar Radio-Canada se po përballet me një fluks të jashtëzakonshëm telefonatash dhe kërkesash.
Québec - Duke filluar nga nesër (21.03), qytetarët e Québec do mund të marrin pjesë sërish drejtpërdrejt në mbledhjet e këshillit bashkiak të qytetit. Ky nuk do të jetë megjithatë ende një rikthim i plotë në normalitet, sepse numri i vendeve të rezervuara për publikun do të jetë i kufizuar, ka specifikuar Bashkia në njoftimin e saj për shtyp, dhe qytetarët do të pranohen sipas parimit të radhës së paraqitjes. Mbajtja e maskës do të jetë e detyrueshme në çdo kohë dhe duhet të respektohet një distancë prej një metër midis secilës karrige. Qytetarët që nuk mund të marrin pjesë, do të mund ta ndjekin seancën drejtpërdrejt në faqen e internetit të Bashkisë. Ata që dëshirojnë t'u bëjnë pyetje këshilltarëve, mund t'i dërgojnë ato duke plotësuar një formular online. 7 marsi i këtij viti ka qenë dita kur Këshilli Bashkiak i kryeqytetit të provincës frankofone u rimblodh për herë të parë në sallën e vet qysh nga shpallja e kufizimeve për shkak të pandemisë.

Godina e Bashkisë Québec - Foto Pierre-Alexandre Bolduc
Montréal - Nesër (21.03) në Spitalin e Fëmijëve të Montréal, brenda Departamentit të psikiatrisë, do të inaugurohet Qendra e specializuar e shëndetin mendor për adoleshentët, e quajtur SPOT Montréal, e cila parashikohet të mbështesë një numër prej rreth 1000 adoleshentësh çdo vit, nga ata që kanë synuar ose tentuar të bëjnë vetëvrasje. Qëllimi është të zhvillohet një plan trajtimi individual dhe intensiv, për të ndihmuar në reduktimin e këtij fenomeni, si dhe për të ofruar teknika për lehtësimin e menaxhimit të turbullimeve psikologjike. SPOT Montreal do mbështetet në një qasje multidisiplinare të bazuar në ekspertizën e psikologëve, punonjësve socialë, psikoedukatorëve dhe infermierëve. Në program parashikohen, terapitë individuale me një psikolog, qasje familjare dhe takime në grup. Gjithashtu, programi do t'i lejojë adoleshentët të vazhdojnë të ndjekin shkollën dhe aktivitetet e tyre të tjera. Në fund të 12 javëve të terapisë, do të krijohet edhe një urë lidhjeje me burimet dhe shërbimet komunitare.
Nova Scotia - Një tjetër luftanije kanadeze u nis nga porti i Halifax në Nova Scotia dje (19.03) me një mision gjashtëmujor drejt ujërave të Atlantikut të Veriut dhe Evropës Veriore në mbështetje të NATO-s. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, anija kanadeze e Madhërisë së Saj (HMCS) Halifax, do t’i bashkohet Grupit të Përhershëm Detar të NATO-s OneSNMG1 në Operacionin REASSURANCE të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut në Evropën Qendrore dhe Lindore në mbrojtje të sovranitetit të vendeve anëtare. Fregata Halifax ka një ekuipazh prej 253 vetësh. Ajo ka në përbërje edhe një detashment të integruar ajror që operon me një helikopter Cyclone CH-148.

Fregata Halifax - Foto Andrew Vaughan
Prince Edward Island - Si në shumicën e provincave kanadeze, blerja e një shtëpie sa vjen e bëhet gjithnjë e më pak e përballueshme edhe në Prince Edward Island. Shoqata Kanadeze e Pasurive të Paluajtshme ka njoftuar së fundi se çmimi mesatar i shtëpive në këtë provincë u rrit me 8.5% në vitin 2021. Tashmë nga viti 2020 deri në vitin 2021, Prince Edward Island regjistroi rritje prej 22% të vlerës së pronave. Mbinxehja e tregut të pasurive të paluajtshme, ka bërë që numri i ofertave për çdo shtëpi nga blerësit e mundshëm të rritet në mënyrë të konsiderueshme, madje disa persona, nga jashtë provincës, i kanë blerë pronat edhe pa i vizituar fare paraprakisht. Po ashtu, provinca ishullore po përballet me një rritje prej 30% të kostove të ndërtimit në krahasim me vitet e mëparshme. Ndërtuesit tani kërkojnë mesatarisht 300 dollarë për square feet ndërtim dhe për personat që duan të blejnë një shtëpi me vlerë rreth 300,000 dollarë, tregu sa vjen e po zvogëlohet.
Nwfoundland & Labrador - Qeveria e Newfoundland dhe Labrador ka miratuar projektin e një miniere ari në qendër të provincës me vlerë prej 662 milionë dollarësh. Ministri i Industrisë, Energjisë dhe Teknologjisë, Andrew Parsons, ka deklaruar që projekti Valentine Gold do të jetë në të ardhmen miniera më e madhe e arit në Kanadanë Atlantike. Kompania Marathon Gold, me qendër në Toronto, parashikon ta shfytëzojë minierën në jug të Buchans, pranë Liqenit Red Indian. Marathon Gold do të punësojë 400 vetë çdo vit dhe do të kontribuojë me 2.9 miliardë dollarë në Prodhimin e Brendshëm Bruto (GDP) të Newfoundland dhe Labrador. Miniera parashikohet të sjellë potencialisht 400 milionë dollarë të ardhura për qeverinë provinciale.

Red Indian Lake Newfoundland - Foto Facebook
Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada/The Canadian Press/Reuters












