Aktualitet

Java kanadeze - Lajme shkurt 16 tetor 2022

Cape Forchu Lighthouse (Nova Scotia)

 

-Ontario, humbin jetën dy policë pas goditjes me armë zjarri nga një 22 vjeçar në Innisfil

-British Columbia, për hërë të parë një kryebashkiak me origjinë aziatike në Vancouver

-Alberta, një ish-deputet gjobitet me 75,000 dollarë për shkelje të ligjit të imigracionit

-New Brunswick, arrihet marrëveshja në parim me 3000 punonjës të Kujdesit shëndetësor

-Nova Scotia, 116,174 qytetarë në listë pritje për mjek familjeje

-Québec, autorizohen qentë në metronë e Montréal

 

Barrie - Dy policë të Shërbimit Policor të South Simcoe në Ontario kanë humbur jetën të martën e kaluar (11.10.). Morgan Russell, 54 vjeç dhe Devon Northrup 33 vjeç, iu përgjigjën një thirrje për ndihmë dhe shkuan në një banesë në Innisfil ku jetonin dy të moshuar. Sipas disa burimeve mediatike, 22 vjeçari Christofer Doncaster (i cili thuhet se ka qenë dhe anëtar i Forcave të Armatosura të Kanadasë) ka qëlluar drejt tyre me një arme gjysëm automatike duke i plagosur rëndë, ndërsa më pas kur ata kanë arritur në spital të transportuar me ambulancë nuk ka qenë e mundur të mbahen në jetë. Sipas Njësisë Speciale të Hetimit, dy policët nuk kishin nxjerrë armët nga brezi në momentin që janë qëlluar. Zjarrit i është përgjigjur me zjarr një polic i tretë që shoqëronte dy të parët, duke e neutralizuar autorin e dyshuar, vdekja e të cilit u konstatua gjithashtu më pas. Telefonata për ndihmë në adresë të policisë është bërë nga dy gjyshërit e autorit të dyshuar, më të cilët jetonte ky i fundit. Funerali i dy policëve të vrarë do zhvillohet të enjten e ardhshme në Barrie.

Devon Northrup dhe Morgan Rusell (R.I.P.)

Vancouver - Në përfundim të zgjedhjeve lokale, pas fitores me mbi 35,000 vota diferencë përballë kryetari aktual në detyrë, Kennedy Stuart, drejtuesi i partisë ABC Vancouver, biznesmeni 52 vjeçar Ken Sim ka hyrë dje në histori si kryetari i parë me origjinë aziatike i bashkisë Vancouver, metropolit kanadez të Pacifikut në provincë British Columbia. Ishte hera e parë pas më shumë se 40 vjetësh, që një kryetar bashkie në Vancouver nuk arrin të zgjidhet për së dyti. Partia ABC Vancouver ka arritur të fitojë gjithsej 7 nga 10 vende në Këshillin Bashkiak. Gjithashtu ABC fitoi 6 nga 7 vendet në Komisionin e Parqeve të Vancouver dhe 4 nga 9 vendet në Komisionin Shkollor.

Ken Sim (në mes)

Edmonton - Ish-deputeti Progresist-Konservator provincial, Carl Benito, 68 vjeç, u dënua të premten me dy vjet arrest shtëpiak dhe me një gjobë 75,000 dollarë për mashtrim dhe shkelje të Ligjit të Imigracionit në Alberta. Ai gjithashtu do të duhet të bëjë 100 orë shërbim në komunitet dhe do të jetë në provë për dy vjet pas dënimit të tij. Djali i tij 28-vjeçar Charles u dënua gjithashtu nga Gjykata Mbretërore e Alberta-s me nëntë muaj arrest shtëpiak, por mund t’i vazhdojë studimet gjatë kësaj periudhe. Më pas ai do të duhet të bëjë 18 muaj shërbim prove dhe 100 orë shërbim në komunitet. At e bir e patën pranur akuzen për punësimin e paligjshëm të tetë shtetasve të huaj midis 2016 dhe 2018 në Edmonton dhe Calgary.

 

Fredericton - Rreth 3,000 punonjës të Kujdesit shëndetësor së shpejti do të duhet të votojnë për marrëveshjen në parim të arritur së fundmi midis Sindikatës së tyre dhe qeverisë provinciale të New Brunswick. Grupi i profesionistëve të shkencave mjekësore përfshin paramedikalët, teknologët diagnostikues dhe radiologjikë si dhe terapistët e frymëmarrjes. Presidentja e Sindikatës, Susie Proulx-Daigle, e cituar nga Radio-Canada, ka deklaruar që negociatat ishin vonuar për shkak të pandemisë COVID-19 duke vlerësuar njëkohësisht dhe gjetjen e gjuhës së përbashkët me qeverinë. Hapi tjetër mbetet tani ratifikimi i marrëveshjes nga anëtarët e sindikatës. Sindikata dhe qeveria kanë rënë dakord që të mos i bëjnë publike detajet e marrëveshjes në parim përpara se ato t’u prezantohen anëtarësisë. Ende nuk ka një datë të specifikuar për zhvillimin e votimeve.

 

Halifax - Aktualisht 116,174 qytetarë të provincës Nova Scotia (mbi 11% e banorëve) janë në listë pritje për të patur një mjek familjeje dhe 47,000 prej tyre jetojnë në zonën metropolitane të Halifax. Lista e pritjes tani është më e gjatë se kurrë dhe gjatë vitit të fundit janë shtuar rreth 38,000 emra. Sipas zyrtarëve të Autoritetit Shëndetësor provincial, rritja e listës është rezultat i rritjes së madhe të popullsisë në vitet e fundit me mbi 5% midis 2016 dhe 2021 (sipas regjistrimit më të fundit) si dhe e numrit të lartë të mjekëve që kanë dalë në pension. Sipas vlerësimeve të fundit nga Statistics Canada, Nova Scotia ka 1.01 milionë banorë, një rritje prej 2.9% në një vit. Përqindja e banorëve pa mjek familjar është ndoshta më e lartë se sa tregon lista, sepse jo të gjithë e shtojnë emrin e tyre duke aplikuar online.

 

Montréal - Tashme qentë do mund të shoqërojnë të zotët e tyre në metronë e Montréal. Projekti pilot i shumëpritur i Shoqërisë së Transportit të Montréal (STM), i cili do zgjasë nëntë muaj, filloi të zbatohet prej dje në mëngjes (15.10). Pronarët e qenve lejohen të udhëtojnë me kafshën e tyre, nëse respektojnë kushtet e mëposhtme: udhëtimi me metro ndërmjet orës 10:00 dhe 15:00 dhe pas orës 19:00 gjatë ditëve të javës (nuk ka kufizime në fundjavë dhe festa, por qentë nuk do lejohen gjatë aktiviteteve të mëdha, si Grand Prix); qeni të mbajë maskë në gojë gjatë gjithë udhëtimit dhe pronari ta lidhe me një zinxhir jo më të gjatë se 1,25 m; ndalohet hypja e qenit në ndenjëse; lejohet vetëm një qen për person. Mosrespektimi i këtyre kushteve do gjobitet nga 75 deri në 500 dollarë. Stacioni Longueuil-Université-de-Sherbrooke, i cili nuk është nën autoritetin e STM, është i përjashtuar nga projekti pilot për momentin.

 

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada/CBC/Reuters