Kriza e Haitit sjell Blinken në Kanada: Qeveria Trudeau nuk beson tek zgjidhja ushtarake
Në Kanada ka mberritur sot (27.10.) për një vizitë dy ditore Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken. E para kjo qysh kur ai ka marrë këtë post në administratën Biden. Arsyeja kryesore e ardhjes së kreut të diplomacisë amerikane duket se është kriza në Haiti. Siç kanë pohuar disa media, Blinken synon të bindë Kanadanë për të marrë lidershipin në rastin e mundshëm të dërgimit të një forcë ndërhyrje ndërkombëtarë për të stabilizuar këtë vend të zhytur në kaos total. Tema të tjera diskutimi u paralajmëruan se do të jenë Kina, lufta në Ukrainë si dhe rreziku i ndërhyrjes ruse në zonën e Arktikut. Agjenda e ditës së parë parashikonte takimin me ministren e Jashtme Mélanie Joly dhe më pas më kryeministrin Justin Trudeau.
Ndërkohë, debati për dërgimin e një force ndërkombëtare në Haiti ka ditë që ka nisur edhe në OKB. Kërkesa për dërgimin e kësaj force është bërë zyrtarisht nga qeveria tranzitore haitiane që po administron vendin e pëfshirë nga trazirat qysh nga vrasja në banesën e tij e presidentit Jovenel Moïse në korrik 2021. Në kryeqytetin e shtetit që ndan ishullin Hispanola me Republikën Domenikane, Port-au-Prince, terminali i portit është marrë nën kontroll nga bandat që nga shtatori dhe ato kontrollojnë aksesin e mallrave thelbësore si uji, ushqimi apo nafta, një situatë makthi total kjo, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres.

Blinken, Freeland dhe Joly
Nga ana e saj, Kanadaja, që po kryen aktualish një mision vlerësimi në Haiti, ka dërguar atje edhe pajisje të specializuara, duke përfshirë automjete të blinduara, për të ndihmuar policinë lokale të luftojë bandat, por për momentin, Ottawa duket se heziton të dërgojë ushtarë ose policë në tokën haitiane. “Objektivi kryesor i qeverisë kanadeze është të gjejë një mënyrë për të dërguar ndihma për haitianët, të cilëve u mungon uji dhe ushqimi. Ne mund të ndihmojmë në nivel humanitar dhe për nevojat parësore të qytetarëve”, i ka deklaruar Radio-Canada një burim i qeverisë kanadeze.
Pasi kanë zhvilluar takimin zyrtar, dy homologët Blinken dhe Joly kanë dalë në konferencë shtypi para mediave. Edhe pse thuhet se Sekretari i Shtetit Blinken ka ushtruar presion për zgjidhjen ushtarake, nga deklaratat e ministres Joly rezulton se Kanadaja vazhdon të mos jetë e bindur për nevojën e një ndërhyrjeje të tillë. Joly ka theksuar që për momentin Kanadaja preferon të fokusohet në ndihmën humanitare. Ajo sqaroi gjithashtu se për të zgjidhur krizën politike, është e nevojshme të gjenden zgjidhje për krizën humanitare dhe shëndetësore. Sipas saj, mbi të gjitha është e nevojshme të mbështeten autoritetet në vend dhe Kanadaja vazhdon të besojë që zgjidhjet duhet të gjenden dhe të aplikohen nga vetë haitianët.
Kryediplomatja kanadeze bëri të ditur, ndër të tjera se një mision kanadez ndodhet në Haiti për të vlerësuar situatën në terren, ndërsa ajo vetë po udhëheq diskutimet me disa partnerë, duke përfshirë Komunitetin e Karaibeve (CARICOM) dhe Bashkimin Afrikan për të siguruar legjitimitetin e çdo lloj ndërhyrjeje. Siç dihet, që nga viti 2010, Ottawa ka kontribuar me afro 2 miliardë dollarë për të ndihmuar në forcimin e institucioneve të Haitit, duke përfshirë Policinë Kombëtare.

Blinken dhe Trudeau në fillim të takimit
Më pas, Sekretari amerikan i Shtetit Blinken është takuar në orën 17:00 me kryeministrin Justin Trudeau në zyrën e këtij të fundit. Sipas komunikatës së Kabinetit Trudeau, të publikuar në mbrëmje vonë, ndër të tjera, “Kryeministri dhe Sekretari i Shtetit ritheksuan forcën dhe veçantinë e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë. Ata shkëmbyen mendime mbi një sërë çështjesh aktuale, duke përfshirë situatën në Haiti dhe Iran si dhe angazhimet në rajonin Indo-Pacifik. Kryeministri dhe Sekretari i Shtetit gjithashtu riafirmuan vullnetin e tyre të përbashkët për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës dhe për të punuar me një grup të madh partnerësh për zbutjen e pasojave të agresionit të paligjshëm dhe të pajustifikueshëm të Rusisë”.
Nën shoqërine e zëvendëskryeministres Chrystia Freeland dhe homologes Joly, Blinken ka vizituar gjithashtu sot një një qendër pritëse për refugjatët ukrainas, ndërsa nesër do të jetë në Montréal bashkë me ministren e Jashtme Joly për promovimin e konkurrencës në Amerikën së Veriut, thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lehtësimin e zinxhirit të furnizimit, duke përfshirë dhe një vizitë në një uzinë riciklimi të litiumit.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada dhe Zyra e Kryeministrit kanadez
Foto: The Canadian Press/Blair Gable












