Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 13 nëntor 2022

 

-British Columbia, dekorohet me Legjionin e Nderit një veteran 100 vjeçar

-Alberta, krijohet një fermë hidroponike brenda Calgary Tower

-Newfoundland, zbulohet një monedhë ari angleze e shekullit XV

-Ontario, qeveria Ford zgjat edhe një vit reduktimin e taksës mbi karburantin

-Québec, gjashtë futbollistë të FC Montréal do marrin pjesë në Botërorin e Katarit

 

British Columbia - Për kontributin e tij në çlirimin e Francës gjatë Luftës së Dytë Botërore, 100 vjeçari Fernand Labrie do të marrë medaljen e Legjionin të Nderit në një ceremoni zyrtare të enjten e ardhshme (17.11) në British Columbia. Në vitin 1940, në moshën 18-vjeçare ai u angazhua në ushtri dhe më pas u dërgua në Angli. Më 19 gusht 1942, Fernand Labrie pati marrë pjesë në zbarkimin në brigjet e Dieppe, si ushtar i Regjimentit Maisonneuve të Forcave Kanadeze, në bordin e një anijeje që mbante TNT (trinitrotoluen). Në ceremoninë që do mbahet në Duncan, në ishullin e Vancouver, veterani do të marrë dekoratën e krijuar për here të parë nga Napoleon Bonaparti në vitin 1802 nga duart e Konsullit të Përgjithshëm të Francës për provincën, Nicolas Baudouin. Ceremonia do përkujtojë 80-vjetorin e zbarkimit në Dieppe, ku shumica e pjesëmarrësve ishin ushtarë kanadezë.

Alberta - Bujqësia urbane po zhvillohet në shumë qytete të mëdha anembanë Kanadasë, përfshi dhe Calgary-n, kryqendrën e Alberta-s. Sipas aktorëve të interesuar për këtë bujqësi jokonvencionale, qëllimi është shfrytëzimi i godinave të zbrazëta dhe reduktimi i emetimeve të gazeve serrë. Në pamje të parë, qendra e Calgar-y është një hapësirë ku mbretëron betoni dhe mjedisi nuk është i favorshëm për rritjen e bimëve. Megjithatë, Calgary Tower, një nga simbolet e metropolit albertan, do të strehojë brenda hapësirës së vet një lloj të ri bujqësie: një fermë vertikale që do të kultivojë sallata të ndryshme dhe domate. Kompania iniciatore e projektit, Agriplay Ventures, shpreson madje të shndërrojë një të tretën e zyrave të zbrazëta të qytetit në ferma të këtij lloji. Calgary aktualisht ka 17 ferma vertikale të brendshme dhe 5 të tjera në zhvillim e sipër.

Newfoundland - Një monedhë ari angleze që daton nga shekulli i 15-të është gjetur në ishullin Newfoundland gjatë gërmimeve arkeologjike të zhvilluara verën e kaluar. Ajo tani konsiderohet si monedha më e vjetër e zbuluar në Kanada. Sipas ish-kuratorit të Muzeut të Bankës së Kanadasë, Paul Berry, monedha, e quajtur quarter Noble d’Or, është fabrikuar në Londër midis viteve 1422 dhe 1427 gjatë mbretërimit të Henry VI, duhet të ketë qenë shumë e vlefshme në atë kohë dhe nuk ka qenë më në qarkullim kur ka humbur. Si përfundoi ajo në Newfoundland dhe Labrador kjo mbetet një mister. Një studim i kujdesshëm mund të ndihmojë në zbulimin e sekreteve të saj. Pritet gjithashtu të rifillojnë gërmimet në vendin e zbulimit. Vitin e kaluar, një monedhë argjendi e vitit 1490 u zbulua në Vendin Historik Provincial Cupids Cove Plantation në Newfoundland dhe deri tani konsiderohej si monedha më e vjetër e gjetur në Kanada.

Ontario - Gjatë një konferencë shtypi në Etobicoke sot (13.11.), kryeministri i Ontarios, Doug Ford, njoftoi se qeveria e tij do të zgjasë edhe për një vit uljen e taksës së karburantit prej 40% që u vendos gjatë verës. “Të gjithë pa përjashtim janë të shqetësuar për rritjen e kostos së jetesës. Nga karburanti tek mallrat ushqimore, çmimet janë rritur dhe kjo po ushtron presion mbi familjet. Njerëzit kanë nevojë për ndihmë”, theksoi kryeministri Ford, sipas të cilit duhet mbështetur vendosja e çdo mase që zbut presionin mbi buxhetet familjare. Kreu i qeverisë së Ontario-s pohoi se me këtë vendim një familje mesatare në provincë do të kursejë 195 dollarë. Ulja e taksës 5.3 cent për litër do të jetë në fuqi deri më 31 dhjetor 2023. Qeveria Ford ka vendosur dhe masa të tjera për të ulur koston në rritje të jetesës, si eliminimi i tarifave të targave dhe heqja për momentin e tarifave në autostradat 412 dhe 418.

Québec - Trajneri i kombëtares kanadeze të futbollit, John Herdman, ka deklaruar sot (13.11.) listën me 26 lojtarë për Botërorin 2022, që do të zhvillohet nga 20 nëntori deri më 18 dhjetor në Katar. Në listë janë dhe 6 lojtarë të CF Montreal: James Pantemis, portieri i dytë, mbrojtësit Kamal Miller, Alistair Johnston dhe Joel Waterman si dhe mesfushorët Samuel Piette dhe Ismaël Koné. Kanadaja do të nisë Botërorin më 23 nëntor kundër Belgjikës, e renditur e dyta në botë. Përballë lojtarëve yje si Kevin de Bruyne (Manchester City, Angli) dhe Thibault Courtois (Real Madrid), testi do të jetë i madh për ekipin kanadez. Do të pasojnë duelet kundër Kroacisë (e 12-ta në renditjen e FIFA-s), më 27 nëntor, e më pas Marokut (i 22-ti). Nga ana e saj, Kanadaja renditet e 41-ta në renditjen e ekipeve kombëtare të FIFA-s.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press