Aktualitet

Zelensky i kërkon Kanadasë të kontribuojë në një proces paqeje afatgjatë me Rusinë

Ka nisur prej dje (18.11.) Forumi i 14-të vjetor Ndërkombëtar i Sigurisë që zhvillohet çdo vit në Halifax të Nova Scotia. Konferenca tre-ditore ka mbledhur së bashku ekspertë të sigurisë dhe mbrojtjes, udhëheqës politikë dhe akademikë nga e gjithë bota. Fjalën e hapjes në këtë takim e ka mbajtur ministrja e Mbrojtjes së Kanadasë, Anita Anand.

Përmes një video fjalimi të regjistruar paraprakisht dhe të transmetuar gjatë seancës së djeshme të forumit në fjalë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje Kanadasë që të kontribuojë në një proces afatgjatë paqeje me Rusinë, ndërkohë që lufta 10-mujore po hyn në një fazë kritike me afrimin e dimrit dhe kur infrastruktura e vendit, sidomos ajo e furnizimit me ngrohje është dëmtuar ndjeshëm.

Zelensky pohoi se paqja e vërtetë do të kërkojë marrëveshje në 10 fusha të ndryshme. Ai përmendi veçanërisht tërheqjen e forcave ruse, lirimin e të burgosurve si dhe sigurinë bërthamore, ushqimore dhe energjetike të Ukrainës. Presidenti u deklaroi gjithashtu pjesëmarrësve në Forumin e Halifax për Sigurinë Ndërkombëtare se ai pret që Kanadaja të marrë lidershipin në një nga këto fusha.

Anita Anand

Nga ana e saj ministrja e Mbrojtjes Anand, në fjalimin e saj në fillim të takimit, kujtoi ndihmën ushtarake prej më shumë se 1 miliard dollarësh që Kanadaja i ka dhënë Ukrainës që nga fillimi i luftës. Ajo u shpreh gjithashtu se ushtria ukrainase po e fiton luftën dhe se presidenti rus Vladimir Putin e ks forcuar unitetin në radhët e NATO-s.

Deklarata e Anand për fitore dhe thirrja e Zelensky-t për kontribut në një proces paqeje afatgjatë me Rusinë, duken disi kontradiktore me njera-tjetrën, në një kohë kur dimri po troket në prag dhe kur ende nuk ka sinjale optimiste për zhvillime pozitive në këtë konflikt që po zgjat prej 10 muajsh.

©Flasshqip.ca me informacion nga The Canadian Press

Foto: Valentyn Ogirenko/Reuters; The Canadian Press/Andrew Vaughan