Aktualitet

Kanadaja mbështet krijimin e një gjykate ndërkombëtare kundër korrupsionit

Kanadaja, së bashku me dy shtete të tjera, përkatësisht Holandën dhe Ekuadorin, përmes ministrave të tyre të Jashtëm, kanë mbështetur sot (28.11) idenë për krijimin e një gjykate ndërkombëtare kundër korrupsionit, duke deklaruar se një institucion i tillë do ndihmonte goditjen dhe ndëshkimin e "kleptokratëve" në krye të qeverive. Sipas ideatorëve, kjo gjykatë do duhet të funksionojë në të njejtën mënyrë si Gjykata Ndërkombëtare Penale (International Criminal Court).

“Një gjykatë e tillë do t'i sigurojë komunitetit ndërkombëtar një mjet shtesë për të zbatuar ligjet ekzistuese kundër korrupsionit”, ka shkruar në Twitter ministri i Jashtëm holandez Wopke Hoekstra, pas një takimi ndërministror të zhvilluar në Hagë, qytet holandez ku ndodhet selia e një numri gjykatash të nivelit botëror.

Rreth 189 palë, duke përfshirë 181 vende, kanë nënshkruar Konventën e OKB kundër Korrupsionit, e cila synon t'i japë fund praktikave të tilla të dënueshme në mbarë botën. Sipas shifrave të OKB-së, çdo vit, rreth 2 trilion dollarë amerikanë nga shpenzimet që bëhen përmes prokurimeve në mbarë botën, vidhen përmes metodave korruptive.

Gjyqtari i lartë amerikan Mark Wolf, i cili po drejton fushatën promovuese, ka pohuar se Gjykata Ndërkombëtare Antikorrupsion do të fokusohet tek zyrtarët më të lartë dhe njerëzit që u japin atyre ryshfet. “Kultura e eliminimit të korrupsionit nis nga lart, por kleptokratët gëzojnë pandëshkueshmëri, sepse ata kontrollojnë administrimin e drejtësisë në vendet që ata sundojnë. Kjo gjykatë mund të jetë një vend ku denoncues kurajozë, për shembull, mund të paraqesin prova dhe japin dëshmitë e tyre, nëse nuk mund ta bëjnë këtë në vendet ku jetojnë”, tha ai gjatë një paneli diskutimi në kuadrin e takimit ministror.

Megjithatë, përkrahësit e idesë së gjykatës antikorrupsion janë të ndërgjegjshëm se ka ende një rrugë të gjatë për t’u përshkuar, përpara se ky institucion të bëhet realitet dhe gjithashtu do të duhet të evitohen pengesat e ngjashme me ato të cilat përballet Gjykata Ndërkombëtare Penale.

Mark Wolf

International Criminal Court, gjykatë e krijuar në vitin 2002 për të ndëshkruar krimet më të rënda që ndodhin në botë, i mungon për shembull kompetenca për të arrestuar të dyshuarit dhe për ta realizuar këtë, me një shkallë suksesi që varion, mbështetet tek shtetet anëtare.

“Ne duam të shohim se çfarë ka funksionuar dhe çfarë nuk ka funksionuar dhe cilët mund të jenë hapat e ardhshëm”, deklaroi në tryezën e rrumbullakët Maja Groff, këshilltare e lartë e Integrity Initiatives International, organizata që ka propozuar idenë e krijimit të gjykatës kundër korrupsionit.

©Flasshqip.ca me informacion nga AFP

Foto: ISTOCK/ALFEXE; Boston Herald/ Ted Fitzgerald