Komunitet

Liri Loshi, përfaqësues i Diasporës së Kanadasë, kandidat për deputet në Kosovë - Nga Fazli Mazreku

  • Published in Komunitet

 Fazli Mazreku - London, Ontario

Vota për ndryshime ante portas

Ështe rast ideal që komuniteti shqiptaro-kanadez, për herë të parë, ta ketë përfaqësuesin e vet në Parlamentin e Kosovës, sepse Liri Loshi, nga Halifax i Nova Scotia, është caktuar kandidat për deputet në Listen e Lëvizjes Vetevendosja për zgjedhjet e parakohshme të 14 Shkurtit 2021.

Nëse Liri Loshi do të ketë fatin të zgjidhet deputet në Parlamentin e Kosovës, ai do të jetë personi më adekuat për t’i përfaqësuar interesat e mërgatës shqiptare në Kanada. Nëse vërtet ne dëshirojme që të dëgjohet zeri i ndryshimit dhe të ndalet shkatërrimi i shtetit të ri e të varfer të Kosovës, duhet t’i japim votën Liri Loshit.

Liri Loshi do të jetë zëri i fuqishëm dhe autentik në tempullin e demokracisë, Kuvendin e Kosoves dhe për këte arsye atij i duhet vota jonë këtu në Kanada, apo gjithandej. Edhe një votë e vetme është shumë e rëndësishme për t’i siguruar atij një vend në Kuvend.

Pse duhet votuar për Liri Loshin?

Ka shumë arsye që në Kuvendin e Kosovës të degjohet edhe zëri i atyre që për dekada jetojnë jashtë Kosove, i njerërzve që kanë fituar përvoja dhe kanë mesuar se si funksionon demokracia dhe sundimi i ligjit.

Liri Loshi është intelektual me profil të lartë dhe njëri ndër më të artikuluarit nga mërgata jonë në Amerikën Veriore, për çështjet e zhvillimeve politike e shoqërore në Kosovë dhe në hapësirat shqiptare. Ai me dekada është konsistent në analizat dhe pikëpamjet e tij për situatën në Kosove dhe gjithmonë ka ide kreative se si duhet të gjendet zgjidhja dhe të ecet përpara.

Ai madje ka një të kaluar të bujshme. Ishte ushtar i UÇK-së, dhe njëherazi mjek i UÇK-së, i cili mjekoi dhe shëroi shumë ushtarë e bashkatdhetarë nga popullsia civile gjatë luftës.

Gjithë ky angazhim i tij është gurthemel i bindjes sonë se sot, kemi mundësi të kemi njeriun më të duhur që na përfaqëson në Kuvendin e Kosovës.

Të nderuar bashkëmërgimtarë,

Kosova që njëzetë vite ka përjetuar një qeverisje kakistokratike, me pasoja të mëdha negative për zhvillimin e demokracisë së brendshme dhe prestigjin ndërkombëtar të saj.

Kosova, thjesht i ngjan një shtëpie të ndërtuar në një zonë urbane, me çertifikatë pronësie dhe leje urbanistike. Këtë shtëpi askush nuk mund ta kontestojë nga jashtë, megjithatë, nga dritaret e saj po dalin fjolla tymi, sepse disa banorë të saj (udhëheqja e pasluftës) po tentojnë nga brenda ta shkatërrojne duke mos u pajtuar për bashkëpronësi.

Është momenti i fundit që të ndalet prishja e shtëpisë nga brenda!

E kush mund ta bëjë këtë më mirë se sa Liri Loshi me kolegët e tij që mëtojnë të bëjnë ndryshime?

Është koha ta hedhim votën tonë për ata që e meritojnë të flasin në emrin tonë!

Kjo thirrje ka karakter utilitar, si pjesë e veprimit për ndryshime përmes votës në qeverisjen e ardhshme, duke besuar se nuk do të kuptohet si ndërhyrje në vullnetin tuaj, sepse vota është e lirë dhe e paprekshme.

©Fazli Mazreku