Komunitet

Në biznesin e bukurisë së shëndetshme të Julinda Bashës në Laval - Nga Jeta Dedja

  • Published in Komunitet

Prej kaq muajsh kisha planifikuar një vizitë në qendrën e bukurisë së shëndetshme siç e quaj unë Madisons Santé Beauté SPA në Laval, nën pronësinë e shqiptares Julinda Basha. Shty e shty për shkak të kohës dhe distancës sot më në fund arrita të shkoj. Se nuk mund ta shtyja më shumë se kaq shansin e kënaqësisë që marr tek takoj njerëz të zotë, të guximshëm, që provojnë dhe sfidojnë, shtyjnë tej kufijtë e variantit të vetes së tyre më të mire, duke eksploruar derisa të gjejnë deri ku mund të shkojnë, sa mund të arrijnë, çfarë mund të bëjnë.

Si shqiptare, pata privilegjin të mikpritesha nga pronarja por më vonë kuptova që Julinda e kishte në natyrën e saj t’i mirëpriste të gjithë njëlloj pavarësisht përkatësisë etnike.

Qendra Madisons Santé Beauté SPA është pagëzuar me këtë emër nga pronarët e mëparshëm dhe Julinda kur e bleu, vendosi të mos e ndryshonte duke marrë parasysh rrezikun e trashëgimit të një reputacioni shërbimesh jo dhe aq të shkëlqyera.

Me një familje mbështetëse, vullnetin dhe energjinë për të provuar veten në fusha të tjera, Julinda i hyri rrugës së biznesit.

Për t’i dhënë identitet të ri dhe për të transmetuar tek klientët erën e ndryshimit, Julinda filloi me restaurimet e brendshme, ngjyrat dhe ndriçimin dhe mbi të gjitha produktet e përdorura.

Me një formim në fushën e mjekësisë dhe eksperiencë gati 20-vjeçare si infermiere klinike e vlerësuar për performancën e saj profesionale, Julinda tashmë pronare biznesi nuk ka hequr dorë nga misioni i saj; Shërbimi cilësor ndaj klientëve dhe kujdesi për shëndetin. Shërbimet pa të meta, të administruara e të kuruara në detaj nga pronarja shqiptare kanë përmirësuar imazhin e mbartur nga pronarët e mëparshëm duke arritur sot në vlerësime me 5 yje.

Madisons Santé Beauté SPA të gjitha produktet janë me bazë vegan që do të thotë bimore dhe minerale, pa substanca kimike sintetike dhe pa përbërës me prejardhje nga kafshët. Firma të njohura si Arbonne, Laboratoire Dr. Renaud, Moroccanoil janë parësore që të bien në sy në raftet e qendrës.

Produktet Arbonne për shembull që më tregoi Julinda dhe që mund t’i porosis përmes saj qenkan të renditur në një shkallë të lartë cilësie dhe mbulojnë nevoja të ndryshme që lidhen me mirëqënien fizike dhe mendore.

Ndërkohë duke bërë shëtitje nëpër dhomat e qendrës për t’u njohur me të gjitha shërbimet e ofruara, është e pashmangshme mos të të shtohen dëshirat për t’i provuar ato.

Masazhe, trajtime për fytyrën, trajtime me lazer, epilim e depilim, trajtime për duart e këmbët, thonjtë, lyerje-prerje-stilim flokësh, grim profesional, mikrodermabrazion, infraterapi, lipokavitim dhe të mos harroj elektrostimulimin.

Ambientet janë konform kushteve për privatësi dhe nga biseda me Julindën më konfirmohet që specialistët e qendrës e marrin seriozisht nevojën e klientit për privatësi dhe konfidencialitet. Dihet që në qendra të kujdesit estetik ka një tendencë të shkëmbehen biseda private dhe punonjëset edhe pse nuk janë anëtare të ndonjë urdhri profesional që detyron ruajtjen e konfidencialitetit kujdesen të mos abuzojnë me besimin që klientët japin.

Multikulturat janë prezent edhe tek Madisons Santé Beauté SPA. Ka punonjëse quebécoise, me origjinë turke, dhe siriane.  

A ka punonjëse shqiptare në këtë qendër? Sigurisht,- thotë Julinda, kemi estetisten, Anën, e cila pak më vonë do të kujdesej për një zonjë shumë simpatike që do të festonte 50-vjetorin e vajzës atë mbrëmje.

Kur vjen puna te shpenzimet për kujdesin për veten vjen një moshë e një fazë e jetës që nuk i llogarit më. Ti thjesht përpiqesh të kesh jetëgjatësi dhe pamje rinore sa më shumë të jetë e mundur. Dhe kur rastis të gjesh profesionistë dhe qendra që ofrojnë shërbime që marrin në konsideratë dhe e vënë theksin mbi shëndetin në rradhë të parë pastaj bukurinë, atëherë mendon se nuk ke nevojë të kërkosh më tej, por të ndalosh e të bëhesh klient/e i/e rregullt, edhe pse mund të jetë larg shtëpisë apo punës tënde.

Kjo është adresa për ju që kërkoni t’ju shërbejnë dhe ofrojnë më të mirën ⇓

©JetaDedja/Flasshqip.ca