Krijimtari

Dashuria ka kalendar tjetër - Tregim nga Sami Milloshi

Ajo tha:

- Ditët janë të gjata, por vitet janë të shkurtër.

Më shashtisi. Gjë që më ndodhte shpesh me të. Ajo thoshte gjera që ishin përtej mënyrës se si mendoja unë.

Unë, sipas saj, mendoja njëtrajtshëm dhe se ajo që thosha unë ishte e rëndomtë, po aq sa zgjimi në mëngjes me gjithë rutinën që vjen si larja e dhëmbëve, dushi, pirja e kafes apo leximi i gazetës së ditës.

E kisha pranuar si të mirëqenë çfarë thoshte ajo, po gjithsesi bëja ndonjë përpjekje të shprehja diçka ndryshe.

- Dëgjo! - i thashë, - mamaja e Tomit që e kam mik të ngushtë u martua të dielën që shkoi. Ajo është shtatëdhjetëetetë vjeçe.

- E çfarë ka për t'u çuditur këtu? - pyeti ajo.

Sikur më lëshoi një kovë me akull në fytyrë, sepse unë kujtoja se po i thosha diçka jo monotone, diçka jo të zakonshme, siç ajo priste nga unë gjithherë.

Më preku. Atëhere u rreka ta bind se po i thosha diçka krejt të panjohur, diçka që e dija vetëm unë, diçka që nuk kishte ndodhur as në tragjeditë e Shekspirit apo në rrëfimet e Kafkës, por thjesht diçka që nuk e dinte tjetër kush në këtë Botë, përveç meje dhe Tomit.

- Nuk ka asgjë për t'u çuditur, - e miratova edhe unë atë që sapo tha ajo. - Por, gjithsesi, ka diçka që ndoshta mund të na e pështjellojë pak mendjen.

- Po ç'na qenka kjo? - tha ajo.

- Dy vjet më parë, ishte Tomi ai që po bëhej gati të martohej. Madje na shtroi edhe një drekë me rastin e fejesës së tij. Ia hëngrëm edhe kekun e fejesës, madje edhe vallëzuam në oborrin e blertë të livadhit të shtëpisë në Newport. Vallëzoi edhe mamaja e tij... Mirëpo dy vjet më pas ajo fejesë dështoi. Dhe tani, është mamaja e tij që u martua dhe ai mbeti ende beqar...

- Të kam thënë, - shtoi ajo, - ditët janë të gjata,por vitet janë të shkurtër. Por, ti nuk ua vë veshin fjalëve të mija. Dashuria ka kalendar tjetër. Nuk matet as me sekonda, as me minuta, as me orë, as me javë, as me muaj, e as me vite. Madje, nuk matet as me shekuj, edhe sikur ti ta fillosh numërimin para Krishtit...

Unë heshta se nuk kisha çfar të thosha.

Ajo po më provonte edhe një herë më shumë atë për të cilën më kishte qortuar vite më parë, se unë mendoja në mënyre të njëtrajtshme, ose e thënë ndryshe, rutinore...

© Sami Milloshi