Krijimtari

Ora e zgjimit - Tregim nga Sami Milloshi

E kam një orë elektronike në makinë. Nuk e tregon kohën e saktë reale. Tregon një orë përpara kohës reale dhe kjo ndodh për shkak të ndërrimit të orës në vjeshtë. Mekaniku im më ka ndihmuar disa herë ta korrigjoj shifrën, por unë nuk jam i ngeshëm t’i kërkoj ndihmë. Vetë nuk di ta ndërroj, se edhe kam përtuar ta mësoj se si.

Kur isha tek ai në pranverë, më tha:

- Po të më pyesësh mua, mos e ndërro fare, sepse do të vijë vjeshta dhe, qeveria do të na kërkojë ta ndërrojmë orën përsëri. Qeveria i bën këto lëvizje. Është halli i saj. Ajo do që të na e komandojë edhe zgjimin tonë kur të nisemi për në punë, dhe kur të kthehemi nga puna. Ka hallin e vet, jo hallin tonë. Ti mjafton të vesh zilen në orën e dhomës së gjumit dhe ta gradosh pikërisht atëhere kur ti mund të shkosh në punë. Natyrisht duke llogaritur edhe sa kohë të duhet të shkosh nga shtepia në punë.

- Nuk e ke keq, - i them unë - por unë kam edhe një arsye tjetër pse nuk dua të përdor zilen në dhomën e gjumit.

- E cila na qenka ajo arsye? - më pyeti mekaniku.

- Koha kur unë mund ta gradoj zilen e orës të tingëllojë për të më zgjuar mua për të shkuar në punë, përkon me kohën kur e dashura ime ende fle. Më vjen keq për të dhe nuk dua ta zgjoj. Shto këtu, se siç më ka treguar, pikërisht në mëngjes, ajo sheh ëndërrat e saj për t’u bërë e pasur...

- E po unë nuk di çfarë këshille të të jap o zotëri. Veç nëse, pikerisht në atë orë kur ajo sheh ëndërrat e saj, ti t’i lutesh Zotit të të zgjojë nga gjumi pa qenë nevoja për zilen e orës...

- E di çfarë, - thashë unë, dhe m’u duk sikur po bëja ndonjë zbulim mistik - e marr me mend edhe të kundërtën, se edhe ajo do t’i lutej Zotit për mua të mos i shihte ëndërrat e saj kur më duhet mua të zgjohem...

- E po, atëhere provoje t’i kërkosh asaj që ajo t’i lutet Zotit në darkë para se të bjerë në gjumë, në mënyrë që ajo të heqë dorë nga ëndërrat e saj të mëngjesit...- ma ktheu ai.

- Do ta provoj, - shtova unë me një gëzim të përmbajtur. Por, pastaj, pas pak, pasi u ndava nga mekaniku, një ngërç sikur ma shtangu gjoksin dhe m’u duk sikur po më pushonte zemra. Më shkoi ndërmend se po bëja një mëkat fatal, duke ia hequr mundësinë të dashurës sime të bëhej e pasur. Së paku në ëndrra...

© Sami Milloshi - SHBA