Mother language - Tregim nga Faruk Myrtaj
Mund të ishte edhe “lodhje”, edhe “moshë”. Ende jo shenjë rrënimi mendor.
Megjithatë kujton veten se i ka kaluar të tetëdhjetat. Edhe meraku i vajzave, për fillesë të dementia-s, s’është çudi e madhe ‘zonjushë Alba!’, i thotë vetes duke qeshur. Dhe, duke bërë kujdes ta dëgjojnë edhe gocat, të dyja. ‘Jo veç humbja e memories, ngadalësimi i të menduarit, mos-orientimi në kohë. Edhe ndryshimet në personalitet, pranohen si eksperiencë e vonë. Gjithçka që s’ndodhi deri këto ditë, i mbetet kësaj moshe.’ Qetësimi përmes të menduarit sikur ia zbut konfuzionin, edhe pse në çastin tjetër është po ajo që mendon sërish me zë.
“Kam filluar t’i harroj fjalët, pikërisht kur më duhen…”
“Na e ke thënë, mama…”
Vajzat bëjnë t’ia paraqesin harresën si diçka të zakonshme. Nuk rreken t’i shfaqen ngushëlluese. E kujtojnë se ende komunikon për bukuri. ‘Në këtë botë ka njerëz që s’kanë folur kurrë, Ma! Merren vesh me shenja e gjeste. Ti ende lexon, ti shprehesh në më shumë se një gjuhë, në ekselencë të folurën e njërës prej tyre. Për aq sa të duhet, harresa e pak fjalëve nuk të privon dot nga ndonjë gjë e madhe…’
Edhe pa ia thënë të tëra, gocat janë të sigurta se i mirëkupton. Mami i tyre e di se jeta josh por, më dendur, detyron njeriun të epet, të dorëzohet. Nëse nuk bindet të ndryshojë ose s’arrin të përshtatet. Jo thjesht teorikisht, harresa përveç se si humbje, shihet si mundësi për të nxënë gjëra të reja. Një gjuhë e dytë, ishte fjala, vlerësohet edhe si favor kundër harresës…
Alba A. ua rrëfen gjithçka gocave. ‘Si ka mundësi të mos e kujtosh këtë fjalë, i them vetes?! E ke përdorur mijëra herë, në mijëra variante, e nuk e sjell dot ndër mend tani që të duhet?! Më mbushen sytë me lot. Provoj ta kaloj me të qeshur por… e qeshura s’vazhdon dot tërë ditën e lume, dè!’
E trishton gjithnjë e më shumë pafuqia për tu shprehur si më parë, edhe pse gocat e ftojnë sërish tu besojë: nuk është mungesë serioze. Njerëzit në kontakt, i janë rralluar. Me nja dy mikesha të hershme, on line, këmbëngulin të mbajnë në kujtesë sado-diçka nga vitet e para mërguar, ngjarje që gjithnjë e më shumë kanë lidhje me persona që s’jetojnë më. Se përse kanë joshjen të kujtojnë se u desh të punonin shumë viteve të para. Më fort akoma, për të mësuar gjuhën…
Siç edhe sot e kësaj dite, tërë të mbërriturve në “tokat premtuara”, u bëhej e ditur se çdo gjë niste nga gjuha. Edhe vetja, Vetja e Mërguar, përmes gjuhës, duhej bërë nga e para. Sa më shumë të nxitonin, sa më shpejt të vraponin, sa më pak të flinin, sa më pak ëndrra në gjuhën dikur, sa më pak të ndjeheshin ku kishin qenë, sa më shumë të largoheshin prej Andej. Çdo gjë që mban lidhur me Atje, prangë do tu bëhej, për ndryshimin këtu. Krejt-e-krejt-e-qartë.
‘S’qenka kollaj?! Nuk bëhet ndryshe?! Në s’mundeni… Sorry!’ Kjo e fundit, Sorry…keqardhja për ardhjen, për ende-mëdyshjen, u thuhej In English. Vazhdimi i fjalisë mund të ndodhte edhe në gjuhë tjetër. ‘Nëse u është e pamundur…mund të ktheheni…në atdheun tuaj. Gjuha juaj…atje, flitet nga të gjithë. Jo këtu. S’ka Mother Language këtu. Suksesi ndodh In English. Bëjeni tuajën, në doni të mbeteni. Sorry, për ju… dhe për Your Mother Language!’
E pamundura nuk ekziston. Gjuha është edhe eksperiencë. Në përmirësimin e të folurit… shërben të ushtruarit e saj. Sidomos dashuria. Goca, ju rekomandojmë të dashuruarit In English! Si dashuri, e marrim këtë jetë, si dashuri e mësojmë Gjuhën. Gjeste para-embrionale, belbëzime fëmije. A s’është e vërtetë se e fillojmë nxënien e gjuhës herët, kur ende s’jemi nxënës. Me gjirin e nënës, në dhelkat e kujdesjet e saj. Mëkim e bekim nëne, përmes kësaj gjuhe shprehemi, me të provojmë që jemi, kjo gjuhë vjen të na mbrojë… Fjalët e fundit- si amanet, në atë gjuhë…
Alba A. dhe mikeshat e saj nuk i harrojnë dot kohët kur Mother Language u vinte në majë të gjuhës. Edhe pa e kërkuar, për të mos thënë ‘edhe pa e dëshiruar’; edhe kur s’u hynte në punë - kur ishin duke folur me të huaj; edhe kur bënin dashuri, ajo gjuhë u fanitej, kur u duhej të jepeshin fjalës dhe ndjesisë së pas-prekjes. Edhe kur lipsej të jepeshin, dhe ishte mirë të jepeshin In English, edhe në këto momente sy-mbyllje avullimi, në ngut të padashur, ajo gjuhë, ‘gjuha dikur’ u gjendej midis. Krejt pa faj, u prishte ekuilibra, turbullonte, mërziste. nervozonte…
“Më mirë të mos e kishim,” thoshin ndonjëherë për të, “… të mos e kishim marrë me vete!”
Ndodhte të psherëtinin, edhe pse gjuha e tyre ishte; edhe pse për ndihmë u vinte. I vononte, i pengonte, ua kthente mundin e të menduarit përmbys. Në stres të paqartë, në mjedis zanoresh e bashkëtingëlloresh të tjetërta, pa ditur se pse, ato akuzuan si shkak trishtimi e dështimi atë, gjuhën e tyre. Ndodhi edhe ta mallkonin. Jo si gjuhë, jo si Gjuhë Nëne, kurrë.
Ndjeheshin edhe më keq, kur shfajësoheshin se mëkatonin pa-falshëm. Si ngushëllim për bijtë, në gjithë gjuhët, prej gjithë nënave, e garantuar falja e gjithnjëshme: ‘Mallkimi i Nënës Nuk e Zë Fëmijën…!’ Edhe pse e pa-shpallur, sillte atë lehtësi që përftohej pas rrëfimeve në tempuj e vende provuar pa mëdyshje si të shenjta…
Pas dilemës ‘cilën-gjuhë’, malli për nënat u ngrihej dhe u gjëmonte nga brenda. Prej së thelli fare, llavë që tundte e shkundte malet, por nuk i rrëzonte. Ajo gjuhë s’do tu hynte në punë këndej. E megjithatë… nuk u shqitej... Nuk e linin dot në dhomat ku banonin, siç bënin me gjërat e tjera lëndore, prurë nga vendlindja. Shkëputja prej gjuhës s’bëhej dot as edhe si me flamurin, as si me bustet e bartura prej Andej. S’provohej dot në mund të mbyllej me dryn, të lihej diku, pa u marrë me vete, s’arrihej dot me të marrëveshja për heshtjen kur duhej heshtur dhe sfidat nuk shternin…
Ndo-një-herë…qenë gati të formonin numrin e telefonit të agjencisë më të parë të fluturimit dhe të porosisnin biletë avioni vetëm me vajtje: për atje, në vendlindje… Nënë moj!
Nuk reshtnin, net të tjera, të pa-gjumë, ditë të tjera dilemash, gjer në mbrëmjet e tjera kur sytë mbylleshin vetëm se prej kapitjes, pasi kujtesa gjëmonte, edhe harresë- kujtesa: “Që të jeni Këtu…duhet të jeni In English!”
Natyrisht, nuk thuhej kësisoj, kaq prerë e rreptë. Askush s’guxon të sugjeroj kësisoj. Cili vallë, do merrte përsipër të bënte mëkat ndaj gjuhëve mëmë? Veç të mendoje shekuj të tërë, nevoja për të ndjerë me zë, për t’i thënë me dikë si domosdo, etja për t’i shndërruar tërë ato ngasje e shtysa të brendshme, dhimbje e gëzime, dashuri të pa-fshehura dot më brenda Njeriut të Hershëm, tërë ato gulçe shpirtrash në kërkim të pa kontrollueshëm për të mos heshtur, reaksione në temperatura vlimi që më në fund çuan në ngjizjen e gjuhëve amtare.
Ndaj dhe s’mund të heshteshin gjuhët mëmë, veç nëse këto vetë, në agoni fryme nën ferman perandorak a prej Nëne të Më-Në-Fundme fare, braktisur bijsh, nëne që vendoste ta mbyllte me dorën e vet gojën për lamtumirë pa amanet. Veç kësisoj mund të vihej kryqi, të ndodhte mbyllja, e jo prej ndonjë ftese detyruese për të mërguar edhe prej Gjuhës si prej truallit...
Ca shtrëngesa ndodhin, krejt tjetër gjë, kur, siç me çdo virtyt në fqinjësi joshjesh, thjesht verifikohej pika e vlimit… Në ishe gjuhë e shndërrueshme në avull, e vdekshme, e ikshme në qiell. Më në fundmë, nëse s’arrije dot të dalloje se përshtatja si-do-si nuk është e thënë të shndërrohet deri në tjetër-bërje.
&
Përshtatja e pa-pushimtë, e çdo ore, megjithatë ndryshoi jetët e Alba A. dhe mikeshave të saj. Në gjuhë e përmes gjuhës, si në një programim të kalibruar, në finale të të cilit gjuhë e dytë, ndjehej çdo ditë e më pak e Huaj, gjersa bëhej gjuha në përdorim. Ishte proces. Reaksion kimik i pakthyeshëm. Bërje nga e para. S’kishte ngè të vërehej, as pse të shpallej, një ditë nuk ia vlente as të pyetej ‘cila ishte më në fund gjuhë e parë?’. As se cila kishte qenë Mother Language…
Mbase do të shkohej deri në fund, kishte menduar dikur, po të mos shfaqeshin si zogj ca fjalë, pëshpëritur trembur, belbër, gjysma-gjysma, prej gocave të saj që u rritën në dy gjuhët, si fëmijë në dy djepe. Mbase prej këtyre artikulimeve të pafajme, Alba A. i ishte gëzuar në fshehtësi vajtje-mendjes se pikërisht prej njohjes gjithnjë e më thellë të gjuhës së dytë, gjuha e mëparshme, Mother Language sikur kishte marrë një ndjesi e nur tjetër. Mbase gjuhët, në rrekjen apo thjesht dukjen gjoja për të shtyrë kufijtë midis, merrnin e jepnin edhe nga njëra tjetra. Vetitë e genet, nuancat dhe sinonimet, gjer në qasjet perandorake të metaforave, vënë në kontakt në arteriet e gjuhëve në bashkëjetesë si në të njëjtat enë komunikuese, këmbeheshin etshëm si limfë drurësh të të njëjtit pyll. Po pse pra pse, u druheshin, në vend t’u gëzoheshin këtyre kombinimeve?!
Alba A., e kujtoi edhe më pas atë ditë kur, duke hapur ca dosje të hershme që pat ndërmendur se s’do t’i duheshin kurrë - që thjesht pati neglizhuar t’i hidhte, shqoi ca letra, dorëshkrime, copëra letrash me nga një a dy fjalë, mezi arrinin të bëheshin fjali. Një blic prej qiejve ia vetëtiu kujtesën. Në atë shkrim ngala-ngala, arriti t’ia shihte gjallë dorën e nënës që zhvendosej mbi letër duke shkruar gjuhën e saj… Nënë moj…
Këtë pusullë, e më-në-fundit mbase, ia kishte futur nën dorë gjatë shkuarjes së mbarmë në shtëpi. E ndodhur mes shesh-lojë-luftës së pa-shpallur midis gjuhëve, Alba A. nuk i humbi këto letra. Nuk gjeti nge t’i shfletonte por s’ e harroi dot atë imazh të qeshur nëne, tri dekada jete ndërruar tashmë. Alba A. po u linte nipave e mbesave ca kartëmonedha të vogla, pastaj edhe ca monedha, për karamele e biskota, ta kujtonin edhe pasi ajo të kapërcente oqeanin, kur ndjeu nën dorë, si trakt, pusullën e nënës. E mori me mend, por i mbushi sytë me lot kur lexoi: “Mos prish para kot! Do të duhen rrugës dhe s’ke ku t’i gjesh…” Asnjë cent s’do t’i duhej më për rrugë. Kjo jetë, e tëra, ishte një rrugë, vajtje-ardhje. ‘Nënë, moj…’ ia bëri prapë!
&
Kur mendohej e kryer, fshirë, harresa si kujtesë e pa-shmangshme i qe shfaqur sërish. Sërish në gjuhë. Pa e kërkuar, e beftë si loti pa dhimbje. Kujtesë për harresën që s’ndodhi as dikur? E më-në-fund-mja e rrekjes së hershme, pas muajsh të gjatë heshtjeje dhe dyshimesh, iu desh të pranonte.
-Më ndodh vetëm në një gjuhë, vetëm In English! -u tha gocave të saj.
-Na e ke thënë, mama…!”
“Ju kam thënë që më ndodh vetëm In English?!”
Të dy gocat, njëherazi, përsëri: “Po, mamush! Edhe këtë na e ke thënë!”
“Ju kam thënë?! Edhe që s’harroj, asnjë fjalë kur flas në Gjuhën e Mëmës?!”
Pyeti me zë që erdhi në çdo fjalë e më ulët. Gocat vështruan njëra tjetrën, pafajshëm, si vogëlushe, të po kësaj nëne.
Nuk po ankohej, por ato ia ndjenë lulë-kuqjen e ftyrës. S’mundi ta fshihte. Mbase s’desh ta fshihte, ngaqë s’ishte fajësi, as ndjesi turpi. E çfarë se babai i tyre kish tërë ato vite Andej, dhe ajo, nëna e tyre, kish mote që s’provonte rrënqethje të trupit…
Ato ishin të sigurta: asnjë favorizim s’do kishte ofruar nëna e tyre si privilegj për ‘gjuhën e marrë me vete’. Thjesht pëlqente që kujtesa t’i funksiononte e plotë, edhe më tej. E morën vesh më pas që nëna, pasi i përcillte, si dikur sa-ardhur, hapte radion, vendoste kufjet dhe dëgjonte In English. Tashmë nuk i duhej të mësonte. Dëgjonte lajme, tërë ditën ligjërime zanore, thjesht të freskonte leksikun, të ruante sa në shumë fjalë prej kësaj gjuhe, ta mbante gjallë, si veten. Donte të dëgjonte më mirë, ndaj ngrinte zërin e radios. Shtoi edhe zërin e TV-së.
Për t’i dëgjuar të dyja i duhej të ngrinte edhe ca zërat, e të dyjave, përsëriste fjalët që mund t’i harronte, të rrezikuarat, i dukej se numri i tyre vazhdonte të shtohej, bashkë me merakun se po i humbte, në çdo orë, çdo ditë. I përsëriste me zë, i dëgjonte të regjistruara me zërin e vet, i shkruante pa pushim që më pas t’i thoshte, sërish, me zë edhe më të lartë. U vu në ngasje të përsëriste edhe leksionet e dikurshme, të kohës së kalimit prej Gjuhës Mëmë në In English, ndjente zor në frymëmarrje, tension së brendshmi, harresa dukej se thellohej në vend të vogëlohej e të zbutej. Nxori nga thellë aneksit një magnetofon të viteve të para këndej, të dëgjonte kur rrinte shtrirë, derisa ta rrëmbente gjumi, kush-e-di-kur...
As e kishte shkuar ndërmend se kjo zhurmëri e pakontrolluar, si pretekst i një gjuhe, vërshonte prej dritareve...
&
Më në fund, sjellshëm siç meritonte kjo zonjë e nderuar që nuk i kishte bezdisur kurrë, fqinjëve u desh të trokisnin tek ajo.
Alba A. u shfaq qetësisht te dera dhe, pa pyetur përse ata ishin aty, nisi të fliste.
Nxitoi të thoshte sa më shumë gjëra në sa më pak kohë. S’bëri asnjë përpjekje të mos u rrëfente çfarë ajo kishte menduar kur trokitën. Mund të mos u thoshte, për shembull, se pikërisht kur gjuha e saj mëmë thuajse nuk i duhej, ngaqë tërë njerëzit e vërsës së saj kishin ndërruar jetë, kur s’kishte më komunikim në gjuhën dikur, tani që çdo gjë e dikurshme ishte jetësisht e largët, po aq jo-ekzistente sa fëmijëria e rinia dhe ajo s’kishte asnjë plan kthimi atje, as si amanet tradicional të prehej më në fund në truallin amë, jo se ai mëmëdhe s’ishte i saj dhe i dy gocave të saj, jo pse ai farë atdheu i vogël - që vogëlohej pa pushim pas tërë krizave e luftërave të përbotshme - më së fundmi kishte krizë edhe për vende varri, për asnjë nga këto subjekte, Alba A. vazhdoi të fliste sikur arsyetonte, pa pasur nge të sigurohej se fjalët e saj e kishin sidosi një lidhje me trokitjen e tyre te dera.
“Erdhi një moment kur s’e kuptonim çfarë na thoshte. Sikur ndërhynte një tjetër gjuhë në të folurën e saj... apo fliste me veten, jo me ne…” u thanë dy gocave fqinjët, atë pasdite vonë.
“E tëra kjo për shkak të paqes së paqartë mes gjuhëve!”, u kishte thënë më në fund fqinjëve, që ende s’u kishte ardhur hera t’i thoshin pse trokitën. ‘Na foli në gjuhë tjetër dhe ne ikëm, pa kërkuar ndjesë, pa pasur të drejtë t’i thoshim se nuk e kuptuam…’
Vajzat e ndjenë pa mëdyshje mirëkuptimin e fqinjëve të nënës së tyre.
“Jam bërë sërish nikoqire!’, u tha bijave ajo. ‘Po e mbaj shtëpinë dritë! Më bëhet sikur ndonjëherë dëgjoj edhe falënderimin e mëmës sime, gjyshes tuaj - ndjesë pastë. Edhe të qeshurën sikur ia dëgjoj… kur harroj fjalët In English!”
Gocat e dëgjonin, si të mos u bënte përshtypje. Mbase që ajo të fliste sa më lirshëm.
“Kam frikë se… ndonjë ditë, as do mendoj dot In English...” e shqetësoi zërin Alba A.
Nëse nxitonte edhe pak, do shtonte se, kur t’i vinte ora, si zonjë e këtushme do ikte, In English do të ishte Fjala e Lamtumirës për të...
“Ndonjëherë më duket sikur Gjuha Ime hakmerret ndaj meje!”, shtoi. S’kishte asnjë shenjë beteje, në tonin e zërit të saj, as mbrojtje s’kërkonte. Më shumë u duk e lehtësuar që ua tha këtë edhe gocave të veta.
“Pse të duket si hakmarrje, Ma… përderisa gjuha kthehet tek ty?! Më shumë ngjan dashuri!”
I tingëlloi ëmbël? Mbase vërtet mund të hollohej ca kujdesia e gocave në fjalët për nënën. Mbase dashuri e kursyer ishte, lënë mënjanë për do kohë, privuar, jo mohuar, jo e pa-dëshiruar, e fyer jo dhe jo. Nuk ka mëri gjuhe për gjuhë tjetër. Tërë gjuhët, të njeriut, prej brenda tij, për tu marrë vesh. Veç njëra prej tyre ngjizej e mbetej, si Gjuhë Nëne. Mother Language. Në e harron, pasi i ke bërë shenjë pranimi, pasi e miklon dhe ofron dashurisht, si prej nëne, në ndodh pra t’ia kthesh shpinën, atëherë po… Se, si-do-si, ca kujdes duhet bërë. Ndryshe, pa e kuptuar, shndërrohesh fëmijërisht në kështjellë prej rëre, vjen një dallgë dhe…!
“Unë… nuk jua kam ndaluar Gjuhën, apo jo?!”
“Jo, mama! Na porositje të përdornim më shumë gjuhën tjetër… Vetëm kaq!”
Qeshën të tria, Alba A., si motra e madhe, që ndante çdo gjë me dy të voglat.
Mu atëherë, pa e kuptuar, si çdo ditë, kishte ardhur ora kur të dy gocat do të largoheshin. Aty jashtë, më këmbë, duke dalë për t’i përcjellë për në shtëpitë e tyre, s’mund të rrinte pa ua thënë.
“Duket se i kam shqetësuar fqinjët me zërin e radios… Në ndodhtë prapë ta ngre zërin, u thoni të vijnë, të më përmendin. Le të trokasin fort, le ta thyejnë derën, nëse s’i dëgjoj! Nuk u mërzitem, jo…!”
“Okay, ikëm Ma! Mbylle derën e mos ki merak për këto gjëra!”
Ato panë që e mbylli, por jo edhe që u mbështet në derën e mbyllur dhe, ulur në gjunjë, ngashëreu: “Nënë moj!”
Thjesht, në gjuhën mëmë.



