Kolumnist

Dashje pa dashje edhe 8 dhjetorin e kthyem në propagandë - Nga Ilir Levonja

Sot është 8 dhjetori, dita e studentëve të Shqipërisë, me ngjyrë, pa ngjyre, bindje apo besim, që u ngritën dhe protestuan për një Shqipëri si gjithë Europa. Madje prej këtej lindi edhe pluralizmi shqiptar i cili pas plot 35 vjetësh rezulton një mishmash social prirjesh dhe sundimesh, aq sa sot pjesa dërrmuese e shqiptarëve duan ta braktisin vendin e tyre.

Dhe ta mendosh që brenda këtyre 35 vjetëve, Anglia, Franca, Italia, Greqia, Gjermania, Austria etj., kanë ndërruar me dhjetra kryeministra, ndërsa Shqipëria e studentëve vërtitet në 3 a 4 emra. Ndaj sot përpjekjen për pluralizëm të atyre mijëra studentëve e celebron Edi Rama, dikur me mikrofon, kurse sot një sundues totalitar, e feston Ilir Meta nga qelia e burgut, e feston Sali Berisha që nuk kishte asnjë lidhje me studentët, por shkoi aty si mestar i qeverisë komuniste. E festojnë edhe ca grupe ish-dhjetoristësh të cilët mbajnë gjoksit ca dekorata kallpe si ish-ata të Nacionalçlirimtares etj., kanë nga një diplomë, nga një biznes, duke u kthyer kështu më shumë në pragmatistë se sa dhjetoristë.

Eshtë e dhimbshme të mendosh që në këto 35 vjet stanjacion diktarorial emrash, demokracia shqiptare bën vetëm propagandë, madje arrin deri aty sa me një të rënë të lapsit bash ditën e studentëve që kërkonin liri demokraci dhe Shqipërinë si gjithë Europa, ta quanin me vendim qeveritar si Dita e Rinisë, një absurditet me konotacion komunizmi për të fikur thelbin e demokracisë dhe lartësuar kultin e Individit. Eshtë kjo arsyeja që statutet e partive politike vlejnë më shumë si letër higjenike për ata që drejtojnë dhe ata përreth tij, aq sa demokrati e ka të pamundur të kritikojë Njëshin, po ashtu socialisti, se të tjerët janë si ato të dashit mes shalëve.

Nëse statutet e partive do zbatoheshin në respekt të thelbit të demokracisë, sot edhe Shqipëria do ishte një krahmarrje e madhe e valës europiane. Madje mos u çudisni që kokëfortësia e njëshave për dorëheqje, a hapje krahu..., ndikon edhe shëndërrimin e çështjes kombëtare në një tabu moderne mes shqiptarëve. Dikur nuk i la Venediku, Stambolli, Patriarkana greke, nuk i la Beogradi, etj., sot nuk po lënë veten.

Imagjinoni sikur me skupet financiare të kishte ekzistuar dorëheqja për shembull si në Angli a Austri, qeveria shqiptare sot do kishte më shumë të burguosur sesa miliarderë. Sikur të kishte ekzistuar dorëheqja madje edhe opozita do kishte më shumë gjak të ri dhe modele sesa urrejtje, përplasje, intriga rreth vetes..., aq sa sot janë gati t'i futen njëri-tjetrit me shkopinj bejsbolli.

Imagjinoni se si në konceptin e një ish-burri, ish-lideri, ish-politikani 81 vjeçar, ripërsëritja e Foltores së vitit 2022 konsiston si një prurje e re. Thelbi i vitit 2022 i asaj Foltoreje ishte vërtetë revansh, së pari për shkakun e mosrespektimit të statutit, përjashtimeve unike personale, lidhjeve bizarre me pushtetin dhe humbjeve seri me justifikimin e njëjtë ngriva-shkriva por nuk largohem. Por mbi të gjitha për një indinjatë totale demokratësh të cilët nuk pranonin t’u nëpërkëmbej a përdhosej historia e tyre, jo emri Sali Berisha, por e theksoj historia, ndaj u ngritën mbushën stadiumet, duartrokitën dhe u frymëzuan pasi dëgjuan sinqerisht premtime mbi listat e hapura, dorëheqjen, konservatorizmin, statutin, primaret, ku çdo provincë a rrethinë të vendonte vetë për deputetin.

Mirëpo këto u shkërdhyen me të njëjtin preteks, vjedhja e zgjedhjeve dhe lufta pa bythë aq sa askush nuk do ta kuptojë nevojën e vendimeve të forta. Nuk mund të thuash se filani më vodhi zgjedhjet dhe bash me filanin të pretendosh se po bën reformë zgjedhore etj. Kësisoj e më zi edhe tek ana tjetër, ndaj stanjacioni shqiptar eshtë kthyer në një perversitet social të pa-arsimuarish, por veç të fortësh dhe shqiptarët çdo festë e kanë kthyer në propagandë, jo festë të vërtetë.

© Ilir Levonja - SHBA